Arti i lidershipit të hijshëm?

David Brooks,
“New Yok Times”

Kohët e fundit kam menduar shumë për eksperiencën. Donald Trumpit i mungon eksperienca politike dhe marrëzia që shkakton mungesa e eksperiencës së tij, bëhet përditë e më e dukshme. Nga ana tjetër, Hillary Clinton është asgjë tjetër, përveç se eksperiencë. Anija e saj lundron qetë-qetë, e megjithatë, siç na e ka treguar edhe një herë reagimi i saj ndaj skandalit të e-mail-eve, ka shpeshherë një duhmë jonjerëzore në fushatën e saj, që frymëzon mosbesim.
Kështu që, kam menduar se nuk mjafton të jesh pa përvojë. Njerëzit në jetën publike, që vërtet i admirojmë, e shndërrojnë eksperiencën në hijeshi. Ata njerëz, mendoj unë, i shohin vitet që kanë kaluar, si agjentë të përulësisë. Ata e shohin që, në shumicën e rasteve, ngjarjet në jetën tonë janë “projektuar” përsosmërisht për të nxjerrë zbuluar dobësitë tona kronika, si dhe ekspozuar disa të reja.
Herët a vonë, jeta të mëson se nuk je qendra e universit, se nuk je aq i talentuar apo i mirë sa mendoje. Të mëson të vrasësh më pak mendjen për atë që mendojnë të tjerët dhe bëhesh më pak i vetëdijshëm, duke dalë edhe nga rruga jote.
Njerëzit që janë të hijshëm e kuptojnë gjithashtu saktësinë e vëzhgimit të John Keats, se “asgjë nuk bëhet reale, deri kur përjetohet”. Mund të mësosh ndonjë të vërtetë nga ndonjë libër apo të dalë nga goja e ndonjë miku, por urtësia nuk “depozitohet” brenda teje, deri kur e vërteta të jetë skalitur prej ndonjë momenti turpërimi, kënaqësie, zhgënjimi, lumturimi apo ndonjë emocioni tjetër të përjetuar direkt.
Gabimet thjesht duhen bërë.
Njerëzit e hijshëm janë aq të përulur sa të vëzhgojnë se gjërat më të mira në jetë janë zakonisht të pamerituara – mënyra se si qindarkat e dashurisë që investon tek fëmijët, të kthehen më vonë si dollarë; mirësia e të huajve; rilindja që vjen pas një akti faljeje të papritur nga një mik.
Njerëzit e hijshëm që sheh në jetë dhe për të cilët lexon në librat e historisë – po mendoj për më të mëdhenjtë e të gjithë kohërave, si Linkolni, Gandi, Mandela dhe Doroti Dej, si dhe figura më të afërta si Françesku dhe Haveli – e shndërrojnë vetëdijen për dobësinë e tyre, në simpati për dobësinë e të tjerëve. Si shkruante Juan Gabriel Vasquez, “Eksperienca apo ajo që ne e quajmë eksperiencë nuk është inventari i dhembjeve tona, por simpatia e mësuar për dhembjet e të tjerëve”. Ata janë të mirë në pranimin e dhuratave, që është e domosdoshme për miqësinë e vërtetë, por që është e vështirë për një njeri krenar që ta bëjë.
Ata mund të jenë tejet këmbëngulës në veprim. Mendoni për Martin Luter King Jr. Hijeshia dhe mirësia që vërshonte tek ai përmes miqve dhe mbështetësve nga të gjitha anët, e bënë radikalisht shpresëplotë dhe i dhanë besim e forcë. Aftësia e tij për të luftuar buroi prej aftësisë për të marrë.
Njerëz të tillë kanë një fuqi të butë. Ata janë agresivë dhe të mirë, pa bërryla, ndihen rehat të zbulojnë dhe të shastisen prej “mëkateve” të tyre.
Ushtria e SHBA ka qenë shumë e mirë në rritjen e këtyre lloj liderëve. Në vitet rreth Luftës së Dytë, gjeneralët shpesh largoheshin nga puna. Por atyre u jepej edhe një shans i dytë. Domethënë, kalonin eksperienca të shëmtuara, por u jepej një shans për të bërë diçka me ato eksperienca dhe të riktheheshin më të fortë dhe më të shkathët.
Atyre u kujtohej gjithashtu shumë qartë, që si pjesëtarë të një elite, kishin përgjegjësi që vinin me atë pozicion. Sot, të gjithë mohojnë të jenë pjesë e establishmentit, duke besuar se elita e vërtetë është dikush tjetër. Kështu që, askush nuk pranon një kod kujdestarie dhe një sens privilegji dhe detyre personale.
Hillary Clinton ka eksperiencë, por nuk duket të jetë transformuar prej saj. Mespërmes skandalit të e-mail-eve, ajo është duke përsëritur të njëjtat gabime që bëri gjatë skandalit të kompanisë “Rose Law”, dy dekada më parë. Qëndrimi i saj është sërish i brishtë, kundërshtues, fsheharak.
Skandalet Clinton janë të gjithë njësoj. Ka një akt të sjelljes së pahijshme, por jo shkelje penale, më pas mosdhënia e informacionit dhe përgjithmonë më pas, mungesa e vullnetit për t’u rrëfyer. Përvoja e distilon jetën në instinkte. Nëse e keni interpretuar jetën si një fushë beteje, atëherë do të doni që të ruani kontrollin në çdo kohë. Do të pengoni qasjen. Do të refuzoni të mbani konferenca për shtyp. Do të mbylleni, edhe ndaj atyre që mund t’ju ndihmojnë.
Nëse ju e trajtoni botën si një vend miqësor dhe shpresëdhënës, si një rrjet marrëdhëniesh, do të shikoni për lajmin e mirë tek njerëzit dhe jo të keqin. Do të jeni të gatshëm të hiqni dorë nga kontrolli dhe me dorëzimin, ju do të fitoni më shumë forcë, teksa gjithmonë e më shumë njerëz do të besojnë në sinqeritetin tuaj, e si pasojë do t’ju ndjekin pas.
Udhëheqësit e hijshëm krijojnë një ambient më të hijshëm, duke e pritur botën në mënyrë të hapur. Kështu përfundojnë duke maksimizuar ndikimin dhe efektivitetin e tyre. Është e vështirë të dorëzosh kontrollin, por ashtu si pjesa tjetër e jona, Hillary Clinton duhet të vendosë se çfarë lloj udhëheqëseje dëshiron të jetë. Amerika është në kërkim të dëshpëruar për një ngritje, për një udhëheqëse, e cila tregon se u beson bashkëkombësve të saj. Kurrë nuk është tepër vonë për të mësuar nga përvoja.

Përgatiti:
KLARITA BAJRAKTARI

Exit mobile version