Artikulli që çmontoi perandorinë kriminale të Suel Çelës: Si media e mbështetur nga amerikanët goditi krimin, politikën dhe drejtësinë në Elbasan

Në shkurt të vitit 2024, INA Media, një platformë investigative e mbështetur nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, publikoi një shkrim të thelluar që zbuloi rrënjët dhe strukturën e një prej grupeve më të fuqishme kriminale në Shqipëri, të drejtuar nga Suel Çela. Investigimi dokumentoi me prova konkrete se si ky grup kontrollonte në mënyrë të plotë politikën dhe drejtësinë në Elbasan, duke shfrytëzuar këto lidhje për të siguruar tenderë publikë, për të pastruar paratë e përfituara nga trafiku i drogës, si dhe për të organizuar sulme për llogari të politikanëve, gjykatësve e biznesmenëve kundrejt favoreve apo parave.

Artikulli, i cili përfshinte emra të anëtarëve kyç të bandës, detaje të aktiviteteve të tyre të paligjshme dhe skemat e lidhjeve me bizneset e korruptuara, ngriti alarmin për ndikimin e krimit të organizuar në institucionet shqiptare. Bandat e lidhura me Suel Çelën, përmes favoreve dhe parave, kishin arritur të organizonin sulme kundër gazetarëve dhe mediave të pavarura, duke u përpjekur të heshtnin zërat që denonconin aktivitetet e tyre.

Sot, disa muaj pas publikimit të këtij shkrimi dhe ndërhyrjes së strukturave ligjzbatuese të mbështetura nga SPAK, banda e Suel Çelës ka pësuar një goditje të rëndë. Operacioni i zhvilluar në Elbasan, i mbështetur edhe nga të dhënat e aplikacioneve Sky Ecc, çoi në lëshimin e 21 masave sigurie, përfshirë arrestime të rëndësishme si ajo e Mario Çelës, vëllait të Suel Çelës, dhe Marsel alias Bujar Shegës, një biznesmen me lidhje të ngushta me grupin.

Ky rast është dëshmi se gazetaria investigative, si ajo e INA Media-s, ka një rol kyç në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, duke nxitur veprime konkrete nga drejtësia dhe duke ekspozuar lidhjet mes grupeve kriminale dhe institucioneve shtetërore.

Artikulli i Investigative Network Albania:

Elbasani: Tenderë, krim dhe drogë!

Exit mobile version