Protestës të qytetarëve para Drejtorisë së Policisë së Tiranës i janë bashkuar edhe artistët dhe aktorët.
Këta të fundit pasi kanë përfunduar një tjetër protestë të tyren kundër Kryeministrit Edi Rama lidhur me Teatrin Kombëtar, i janë bashkuar protestës maratonë para godinës së policisë së Tiranës, ku po mbahen prej ditës së djeshme të arrestuarit pas protestës së zhvilluar në Rrugën e Kombit.
Derhemi u shpreh se problemi i shqiptarëve është kryeministri i papërgjegjshëm. Ai tha se kryeministri duhet të dëbohet se po mban peng vendin! “Arsyeja është një dhe e vetme. Shqiptarët kanë një shtet të papërgjegjshëm dhe një kryeministër të papërgjegjshëm.
Nuk e kuptoj si mund të jenë kaq pak njerëz këtu, sot duhet të ishte gjithë Tirana”, tha aktori i Teatrit Kombëtar.
Derhemi i ka bërë thirrje Ramës të tërhiqet nga qeverisja: “Unë kisha vetëm një gjë. Një person po na mban varur gjithë shqiptarëve dhe ky është Edi Rama. Unë i bëj thirrje t’i vërë gishtin kokës.
Ai nuk duhet të qeverisë më këtë vend sepse është i papërgjegjshëm”, tha ai në prononcimin për mediat
Ndërsa, në solidaritet me banorët e Kukësit dhe gjestin e tyre të protestës, aktori Arben Derhemi deklaroi se, “Edhe unë jam barbar, jam një prej këtyre”.
Qytetarët kërkojnë lirimin e të arrestuarve, ndërsa ata nesër do të dalin para Gjykatës për t’u njohur me masën e sigurisë.
Aktorët e Teatrit Kombëtar u mblodhën pasditen e sotme në mjedisin mes dy teatrove, dhe protestuan në kundërshtim të prishjes së godinës aktuale të TK dhe sipas tyre, ndërtimit të kullave në emër të një godine të re.
Ata paralajmëruan se të hënën e ardhshme, si sot java, protesta do të jetë edhe më e madhe deri në zmbrapsjen e kryeministrit nga projekti, pavarësisht se minsitrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, tha para disa ditësh se nuk ka ende një vendim për prishjen e Teatrit.
Aktori Arben Derhemi falenderoi aktorët e Cirkut të Tiranës, të cilët iu bashkuan protestës së aktorëve pasi edhe Cirku është në plan të prishet.
“Aktorët janë sot këtu për të mbrojtur djersën dhe dinjitetin e tyre përballë një arroganti të cilit nuk i lindi dëshira për të bërë Teatër të ri, por për të bërë pesë kulla”, tha Derhemi.
Aktori i shquar, Robert Ndrenika tha se, duhet të presin, pasi sipas tij, kjo godinë mund të qëndrojë edhe 70 vite. Aktori kërkoi mendimin e presidentit dhe nuk kurseu ironinë ndaj kryeministrit.
“Në këtë pikë duam edhe mendimin e Presidentit të Republikës për këtë çështje nëse duhet ta bëjë shteti Teatrin apo jo? PPP po të ketë dëshirë le ta bëjë teatro private sa të dojë. Kam mendimin që ne të dashur të presim. Edhe një apo 2-3 vite. Ne nuk e heqim dot, ai do PPP vetë se s’ka nga të vejë (kryeministri). Pasi të PPP ai vetë do vendosim. Kjo godinë mund të qëndrojë dhe 70 vite të tjera pa vendosur edhe një gozhdë. Të paktën të na lërë të qete”, tha Ndrenika.