Sokol Çunga
Nuk jam bërë ndonjëherë pjesë e tribunave, sepse nuk më shkojnë tribunat, por u ngjita sot në këtë skenë bashkë me këta artistë, sepse mes këtyre djemve dhe vajzave, shoh artin e pastër qytetar, artin e zhveshur nga çfarëdolloj nuance politike. Këta janë artistët e ndërgjegjshëm të Shqipërisë, të cilët i bëjnë thirrje qytetarëve nën moton “Për Tokën, për ujin, për ajrin dhe për jetën”.
Ishin dikur, një shekull e ca më përpara, ca burra shqiptarë kurbetlinj, të cilët u mblodhën bashkë, vunë mundin dhe shpenzimet e tyre, në shërbim të atdheut. Erdhën këtu dhe u bashkuan me një grusht tjetër burrash të ndriçuar dhe shpallën Shqipërinë vend të lirë dhe të mosvarme. Këta burra sot i quajmë rilindas dhe etër të kombit.
Sot kemi djem e vajza nga brenda e jashtë Shqipërisë dhe nga Kosova, të cilët mblidhen për një kauzë shumë jetike, për natyrën, për natyrën e Shqipërisë. Sot ama, ndryshe nga dje, nuk kemi nevojë për të mbrojtur kufijtë e vendit dhe copëtimin e kombit, sot kemi nevojë për të mbrojtur natyrën e Shqipërisë dhe për të ruajtur ndërgjegjen e qytetarëve nga shkatërrimi.
Ky është arti rilindës për të cilin kemi nevojë sot. Pa qytetarë nuk ka qytetërim, pa qytetarë nuk ka profesionistë, nuk ka nëpunës, nuk ka shtetarë. Pa qytetar nuk ka as qeveri dhe as Kryeministër, pa qytetarë ka një tufë delesh pa bari.
Këto fjalë i drejtohen edhe mediave, të cilat na sollën gjithë ato furgonë dhe na zunë sheshin, por që nuk besoj se po transmetojnë për aq vend sa zunë. Lypet që qytetari të dijë jo vetëm përgjegjësitë, por edhe të drejtat e tij. E drejta e qytetarit është të kërkojë nga shteti i tij hesap a funksionon apo jo dhe nëse nuk funksionon, përse nuk funksionon.
Batutat e tipit, “o ma, nuk e bëra unë, e bëri ai tjetri para meje” apo trembja e qytetarit me gogole dhe ëndrra të frikshme nuk janë demokraci, sepse kjo pastaj nuk është shoqëri dhe nuk është shoqëri demokratike që funksionon, por është Mesjetë, e cila ka nevojë për një rilindje. Sepse nuk mund të ketë rilindje urbane, nuk mund të ketë as Shqipëri të rilindur nëse nuk ka qytetarë, nëse nuk ka ndërgjegje qytetare.
Do të më thoni se po bëj politikë. Sigurisht! Sepse qytetari është qenie politike. Sepse politikë nuk do të thotë “fushatë, zgjedhje, seanca parlamentare, vota, pazare e skupe”. Politikë do të thotë të merresh me hallet e qytetarit ose të paktën këtë gjë kishte ndër mend Aristoteli dikur kur fliste për politikën, nga i cili kemi marrë sot fjalën Republikë apo demokraci.
Vetëm se politika jonë ka një dallim, nuk është politikë për kolltuk, nuk është politikë për pasurim, nuk është politikë për pushtet. Është politikë për ajrin, për ujin, për tokën, për jetën. Është politikë e mirë. Për ta thënë edhe një herë ndryshe këtë mesazh, zgjodha një poezi që e kam lexuar dikur më herët te Ulliri, tek Parku [i Liqenit Artificial të Tiranës], e cila rastësisht ndodhet në një revistë që nuk qarkullon më, por që ka një titull shumë interesant Mehr Licht, “Më shumë dritë”, janë fjalët e fundit që tha i madhi Gëte para se të vdiste. Më shumë dritë mendimit. Është një poezi nga nobelistja polake Wislawa Szymborska, përkthyer mjeshtërisht nga Alket Çani.