Shqipëria është ndër të paktat vende ku artistët nuk tatohen për fitimet që realizojnë, edhe pse ligji ua njeh këtë detyrim. Për këto shuma në mijëra euro, që shpesh sigurohen edhe nga një natë e vetme (kryesisht këngëtarët) nuk paguhet asnjë taksë.
Administrata tatimore duket se po angazhohet që t’i japë fund evazionit fiskal në këtë industri.
Si hap të parë, ajo ka nisur me njoftimin kundrejt këtyre individëve apo subjekteve që ushtrojnë aktivitet në fushën e artit që të bëjnë vetëdeklarimet dhe të paguhen detyrimet përkatëse sipas ligjit.
Sipas tatimeve, nëse detyrimet nuk përmbushen, atëherë strukturat hetimore do të nisin kontrollet dhe verifikimet për të përmbushur detyrimet.
“Bazuar në nenin 6, të Ligjit nr. 9920, datë 19.5.2008 ‘Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë’, i ndryshuar, duhet të bëhet i identifikueshëm duke u regjistruar e duke u pajisur me numrin unik të identifikimit (NIPT) apo të deklarojë të ardhurat e realizuara në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe jashtë saj, bazuar në nenet 8, 13 dhe 16 të Ligjit, nr. 8438, datë 28.12.1998 ‘Për tatimin mbi të ardhurat’ i ndryshuar, si dhe nenit 10 të Ligjit nr. 9632, datë 30.10.2006 ‘Për taksat vendore’, i ndryshuar dhe të kryejë shlyerjen e detyrimit mbi të ardhurat, sigurimin e punonjësve etj.”, bën të ditur Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.
Sipas saj, të gjithë operatorët ekonomikë, persona fizikë, juridikë apo profesione të lira në fushën e ekonomisë së artit dhe industrisë krijuese, janë objekt i këtij ligji.
“Administrata tatimore ka konstatuar së fundmi se një pjesë e mirë e këtij sektori, që janë subjekt i Ligjit nr. 35/2016 ‘Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to’ i është përgjigjur thirrjes së saj në lidhje me detyrimet tatimore që rrjedhin ndaj tyre në funksion të zhvillimit të aktivitetit të tyre ekonomik dhe është e gatshme të këshillojë në çdo kohë, të gjitha entet apo individët, të cilët dëshirojnë të formalizohen dhe të kontribuojnë në procesin e luftës ndaj evazionit fiskal”, thotë administrata tatimore.
Për fiskun, ekonomia e artit apo ajo e industrisë krijuese nuk mund të trajtohen në mënyrë të diferencuar nga veprimtaritë e tjera ekonomike, ndaj dhe formalizimi i tyre do të jetë pjesë e punës së përditshme.
2 milionë lekë në vit, ja çfarë duhet të bëni…
Tatimet sqarojnë se artistët, aktivitetet e tyre që kryejnë qoftë brenda apo jashtë vendit, duhet t’i kenë të evidentuara dhe të justifikuara, qoftë përmes kontratave të rregullta apo edhe faturave. Në dëshirën e tyre, sqarojnë tatimet, mbetet funksionimi si ent ekonomik, çka nënkupton detyrimin për t’u pajisur me NIPT.
Por, nëse të ardhurat që këta individë realizojnë në një vit janë më të larta se 2 milionë lekë atëherë ata do të detyrohen që të plotësojnë deklaratën vjetore të të ardhurave.
“Individët, rezidentë në Republikën e Shqipërisë, që realizojnë të ardhura të tatueshme prej 2 milionë lekësh dhe më shumë në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe jashtë saj, janë të detyruar të dorëzojnë deklaratën e tyre vjetore të të ardhurave pranë administratës tatimore. Deklarues të të ardhurave individuale vjetore janë edhe tatimpaguesit jorezidentë, të cilët krijojnë të ardhura të tatueshme me burim në Republikën e Shqipërisë. Këta individë dorëzojnë deklaratën vjetore të të ardhurave në rrugë elektronike, jo më vonë se data 30 prill e vitit që pason, për të cilën bëhet deklarimi. Deklarata individuale vjetore e të ardhurave plotësohet me numrin e identifikimit personal, i cili shërben si kodi fiskal i individit. Tatimi që individët (përfshirë artistët, këngëtarët, etj.) llogarisin dhe paguajnë është 15%. Për individët që realizojnë këtë shumë të ardhurash, legjislacioni nuk njeh shpenzime të zbritshëm (Ligji Nr. 8438, datë 28.12.1998 ‘Për tatimin mbi të ardhurat’, i ndryshuar”.