Aktori dhe aktivisti i Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, Neritan Liçaj, i ftuar në Syri TV përballë gazetares Klaudia Karabolli ka treguar planin e tyre në mbrojtje të godinës në rast të një sulmi nga Policia e Shtetit.
Sipas tij, reagimi i “Europa Nostra” i ka futur frikën qeverisë, e cila po nxiton të jetësojë planin e saj.
“I ka trembur reagimi i Europa Nostra ndaj dhe po tentojnë të nxitojnë. Vijon qëndrimi me turne. Javët e fundit kanë ardhur policët privatë të Lleshit që shohin çfarë bëjmë, a jemi në gatishmëri dhe kujtojnë se ne hamë bar, jemi budallenj. Është e gjitha një lojë “kukafshehthi”. Më kollaj e kemi ne të pushtojmë ministrinë e brendshme dhe bashkinë se sa ata sheshin e Teatrit”, u shpreh Luçaj.
Aktori i mirënjohur se, në qëndresën për Teatrin gjen persona nga të gjitha kahet politike, por edhe nga të gjitha grupmoshat.
“Ka njerëz të majtë, të djathtë, pa ngjyrë, të rinj, pleq, ka edhe forca opozitare sigurisht, që i kanë dalë në krah Aleancës për Teatrin. Jemi shumë mirë të përgatitur”, vijoi aktori.
Nëse vijnë 1000 policë, a jeni sërish të gatshëm? Nëse përdoret gaz lotsjellës?
“Ata natën nuk vinë me trupa të mëdha. Por që të lëvizi shumë trupa bie në sy dhe ne kemi njerëz brenda tyre që na informojnë. Ne e marrim vesh 30 minuta para se ata të nisen. Ata nuk kanë cipë. Nëse e bëjnë si te Bregu i Lumit do të kishte një kosto politike shumë të madhe. Ne jemi shumë të organizuar. Edhe ne kemi dijet tona ushtarake, më të mira se të ministrit”, u përgjigj Neritan Liçaj.