Ditën e djeshme përmbarues gjyqësorë privat, iu drejtuan Cirkut Kombëtar për të ekzekutuar një vendim gjyqësor të formës së prerë për t’i liruar dhe kthyer pronën ish-deputetit demokrat Astrit Veliaj, ku mbi këtë pronë është e vendosur një pjesë e ҫadrës së Cirkut. Bëhet fjalë për 409 metër katror, që Astrit Veliaj është pronar i tyre, dhe i ka fituar të gjitha seancat në shkallët e gjyqësorit që prona t’i kthehet atij.
Përmbaruesit gjyqësor, u drejtuan dje për ta liruar këtë pronë, dhe dera e Cirkut ishte e mbyllur, sepse punonjësit e Cirkut janë me pushime deri në shtator. Të gjendur përballë kësaj situate, përmbaruesja gjyqësore urdhëroi punëtorët e saj të hyjnë me forcë në cirk duke shembur derën, ҫka bëri që aktorët e Cirkut Kombëtar t’i ndërpresin pushimet dhe të shkojnë urgjentisht tek Cirku për të bërë rezistencë, kundër shembjes së ҫadrës.
I gjendur përballë kësaj situate, Përmbarimi lajmëroi policinë, dhe kështu nisi shkatërrimi i ҫadrës, dhe rezistenca u shtua edhe më tej nga akrobatët dhe aktorët e Cirkut, duke bërë që ekzekutimi i vendimit të pezullohet përkohësisht.
Dritare.net ka shkuar pikërisht tek Cirku Kombëtar për të mësuar më shumë se ҫfarë po ndodh me këtë situatë.
Edhe pse janë me pushime tek dera e Cirkut ishin Pavli Sallata, mjeshtër Cirku dhe Kryetar i Sindikatës së Artistëve, dhe Julian Kazazi, artist, akrobat dhe iluzionist i Cirkut Kombëtar.
Julian Kazazi shprehet për dritare.net se Cirku Kombëtar është në varësi të Ministrisë së Kulturës dhe ata kërkojnë nga ministria një vendim për zhvendosje të Cirkut në një hapësirë tjetër ose në të kundërt nuk do të lejojnë që pa pasur këtë vendim ҫadra e Cirkut të mbyllet.
Gjithashtu Kazazi shprehet se Përmbarimi një ditë më parë ka shkuar aty pa pasur një konfirmim nga Ministria e Kulturës, dhe ai shprehet më tej se Përmbarimi gjatë kohës që po ekzekutonte vendimin ka shembur derën e Cirkut, duke shkaktuar dëme materiale. Gjithashtu dëme janë shkaktuar edhe gjatë përpjekjes për të mbyllur një pjesë të ҫadrës, e cila ndodhet pikërisht në tokën e Veliajt. Këto dëme sipas Pavli Sallatës janë shkaktuar nga Përmbarimi për shkak se ata nuk kanë marrë asnjë ekspert për të mbyllur ҫadrën, por sipas tyre punëtorët e marrë nga Përmbarimi janë punëtorë të thjeshtë, të cilët nuk kuptojnë se si mbyllet ҫadra e Cirkut pa u dëmtuar.
Prona
Cirku Kombëtar është i vendosur mbi një pronë, ku 409 metër katrorë e kësaj prone janë fituar me vendim gjyqësor nga Astrit Veliaj, dhe Gjykata ka lëshuar urdhër për kthimin e pronës tek pronari i ligjshëm. Këto metra katrorë që përbëjnë vetëm një pjesë të vogël të Cirkut tanimë duhet t’i kthehen pronarit, por fillimisht duhet mbyllur një pjesë e ҫadrës, ҫka mund ta nxjerrë jashtë funksioni Cirkun për arsye se mbyllja e një pjese të ҫadrës mund të sjellë shembjen totale të saj.
Përmbarimi
Përfaqësuesja e Përmbarimit është shprehur ditën e djeshme se, “Kam 2 vjet në një proces ekzekutimi për t’i kthyer pronën pronarit, Z.Astrit Veliaj ku ka në pronësi 409 metër katrorë të fituar në të tre shkallët e gjyqësorit, është pronar me çertifikatë pronësie, jam në zbatim të vendimit, pala debitore kanë bërë kundërshtim për mua para 2 vjetësh që kemi filluar në këtë proces, nga procesi është fituar nga ana e zyrës në të tria shkallët e gjykimit”, thotë përmbaruesja. “Kam 2 vjet në një proces ekzekutimi për t’i kthyer pronën pronarit, Z.Astrit Veliaj ka në pronësi 409 metër katrorë të fituar në të tre shkallët e gjyqësorit, është pronar me çertifikatë pronësie, jam në zbatim të vendimit, pala debitore kanë bërë kundërshtim për mua para 2 vjetësh që kemi filluar në këtë proces, nga procesi është fituar nga ana e zyrës në të tria shkallët e gjykimit”. Në këto kushte, Përmbarimit do t’i duhet edhe një ndërhyrje tjetër, për ta ҫuar në vend vendimin gjyqësor për kthimin e pronës.
Ministria e Kulturës
Cirku Kombëtar është në varësi të Ministrisë së Kulturës, dhe është detyra e ministrisë të gjejë një vend tjetër ku të zhvendoset Cirku. Por ajo që bie në sy është neglizhimi i këtij problemi nga ministria në një hark kohor prej 5 vitesh, pasi proceset gjyqësore për kthimin e kësaj prone kanë nisur para plot 5 vitesh. Edhe aktorët e Cirkut shprehen për dritare.net se, ministria mund të kishte vepruar më herët për ta zgjidhur këtë situatë, që sot rrezikon të lërë 39 punëtorë të Cirkut të papunë, që një gjë të tillë ata nuk do ta lejojnë, pasi paralajmërojnë edhe protesta për këtë gjë. Ministria e Kulturës nga ana tjetër sipas aktorëve të Cirkut mund të bëjë marrëveshje me pronarin e tokës, për ta kompensuar atë me vlera monetare që toka t’i kthehet përsëri Cirkut dhe puna të vazhdojë po aty, ose të gjendet urgjentisht një ambient tjetër për zhvendosjen e Cirkut që duhet të jetë një hapësirë relativisht e madhe.
Përplasja e aktorëve me Përmbarimin
Aktorët ditën e djeshme u desh që të ndërpresin pushimet e tyre në mbrojtje të “bukës së gojës” siç e quajnë ata, pasi Përmbarimi kishte ardhur për të mbyllur ҫadrën. Një problem tjetër që deklarojnë artistët për dritare.net është papërgjegjshmëria e Përmbarimit, dhe prishja e ҫadrës jashtë ҫdo standardi pa pasur një plan konkret, ekspertë të fushës dhe teknikë. Ata nuk mund t’i mbajnë lotët kur flasin për Cirkun, sepse shumë nga ta janë rritur në atë ҫadër cirku të ngritur në vitin 1976 dhe një vit më pas 1977 dhanë edhe premierën e parë në atë vend. Duke lajmëruar rezistencë, ata kërkojnë nga Ministria e Kulturës zgjidhje të menjëhershme të kësaj situate.
dritare.net