Artisti me famë botërore i drejtohet Ramës: Fytyra e dhunshme e pushtetit! Vafsh në djall…

Nga Ardian PACI

Profesori i parë që më ka folur kundër komunizmit ka qenë Edi Rama. Duke ardhur nga një qytet i dhunuar keqas në vitet e regjimit, isha mësuar me përshpëritjet nën zë apo në rrethe intime, por kurrë nuk kisha hasur një figurë që, e mveshur me petkun dhe autoritetin e mësuesit të artikulonte aq hapur mendimin ndryshe.

Lidhja ime me Edi Ramën i ka rrënjët tek ky frymëzim antikonformist, tek guximi i fjalës, por edhe i veprimit qysh në protestat e para në Institutin e Arteve deri te lëvizja studentore.

Shumë vite na ndajnë nga ajo kohë e shumë gjëra kanë ndodhur në jetët e seicilit prej nesh. Ka patur momente afrimi e momente largimi, ka patur indiferencë, entuziazëm e shpresë siç ka patur dyshime e mospajtime në distancë.

Kjo ngjan si një histori e rëndomtë marrëdhënieje mes një ish studenti e një ish profesori, por ja që ish profesori ka ngjitur shkallët e pushtetit e sot është kryeministri i Shqipërisë e pikërisht sot ka konsumuar një akt brutal e të pabesë: ka shembur godinën e Teatrit Kombëtar e ka dhunuar njerëzit që për më shumë se dy vite i kishin dalë në mbrojtje. Në fakt kjo është vetëm pika që bëri të derdhet vazoja.

Atëherë në djall ish profesori me gjithë kujtimet e shkollës.

Edi Rama është sot fytyra e dhunshme e pushtetit.

Është i pushtetshmi që nëpërkëmb të ndryshmin e manipulon të dobëtin.

Është pazarxhiu që tregton me të mirën publike.

Është gaztori që tallet mbi viktimën që sapo ka dhunuar.

Është artisti, ah po artisti. Këtu më duhet më shumë se një rresht.

Edi Rama pa dyshim ka lënë gjurmë në artin shqiptar. Nuk është artisti i dështuar që etiketojnë shpesh herë kundërshtarët e tij. Pa dyshim është ndër ato që rinovuan elementët e shprehjes artistike në vitet 90. Është ndër ata që krijuan modelin e artistit të angazhuar e antagonist me pushtetin.

Pa dyshim ka edhe kontributin e vet në hapjen e skenës së mbyllur shqiptare ndaj dialogut me artin bashkëkohor ndërkombëtar si kur ishte ministër kulture apo edhe kur u zgjodh kryetar bashkie në Tiranë. Por pikërisht atëherë zë fill tek ai edhe fara e një arti që bëhet spektakël i pushtetit dhe i një pushteti që manipulon artin.

Me intensitet të ndryshëm, por gjithmonë e më tepër, në këto vitet e fundit, pushteti dhe estetika e pushtetit janë ndërthurur në një simbiozë sa problematike aq edhe të frikshme.

Estetika si dukje, si fasadë e zbukuruar, si shkëlqim i jashtëm i një të brendshmeje që kalbet nga e pavërteta, brutaliteti dhe vulgariteti është sot vepra më evidente e politikanit-artist Edi Rama.

Nuk është Edi Rama artisti i vizatimeve surreale me ngjyra në dokumente zyrtare, apo i qeramikave të abstraguara, por Edi Rama videoartisti i videove marramendëse me dron për propagandë në Facebook, manipuluesi i portreteve të vogëlushëve të vuajtur që presin udhëheqësin t’i bëjë me shtëpi, regjisori i selfie-reality-show që rreshton në skenë figurantët për të luajtur spektaklin e tij të pushtetit, por edhe me keq, projektuesi i një shoqërie ku elementet përbërës janë si ngjyrat në tavolocën e piktorit që, nën vizionin e trillit të tij, vendos si t’i shpërndajë, kur t’i ekzaltojë e kur t’i fshijë mbi telajon e realitetit ku vepron.

Ky është artisti i banalitetit ulëritës por edhe i një derive të rrezikshme për demokracinë e brishtë shqiptare që duhet ta njohin e, nëse duan, ta ekspozojnë galeritë dhe bienalet e artit nëpër botë, por që për fat të keq, e konsumojnë vetëm qytetarët shqiptarë, ata qytetarë të cilëve ai u shitet si udhëheqës, si kujdestar i trupit dhe i shpirtit, si baba që në fund të fundit i rreh se i do.

Ish profesori dhe artisti Edi Rama ka një vend tashmë në memorien time e aty besoj do të rrijë gjatë.

I pushtetshmi ekstravagant Edi Rama ka sot një kundërshtar publik me shumë.

Artikulli paraprakE papritur! Del Piero shtrohet në spital
Artikulli tjetërArtistët i kërkojnë hetim ndërkombëtar BE për Teatrin: Monitoroni sot protestën