As Rama as Berisha!

Nga Ilirjan Taga

Pra loja është e qartë dhe e zbuluar. Ramës i intereson Berisha. Me Berishën beteja është e mbyllur pa filluar. Rama nuk ka çfarë u thotë shqiptarëve për 3 mandatet e mbushura me skandale, me bashkëpunëtrorë të ngushtë të arrestuar, me bashkëpunëtorë të ngushtë të arratisur dhe me bashkëpunëtorë të ngushtë nën hetim. Rama e ka humbur betejën me shqiptarët me kohë. Që në zgjedhjet e kaluara ai nuk kishte veçse një kartë: mirë se po iki unë por, kush do të vijë?! Saliu me Ilirin?! Dhe pse ngushtë, karta i rezultoi fituese. Sepse Saliu dhe Iliri janë alternativa tjetër e ngjashme me Ramën.
Rama do Saliun si opozitë në opozitë. Jo se Ramës i ha barku për Saliun por, sepse opozitë më të pashpresë për të ardhur në pushtet se me Saliun në krye, nuk ka. Saliut ke ç’i thua. I përmend 97ën, piramidat, Gërdecin, 21 Janarin, non-gratat, Partizanin, njëmilion shuplakat.
Ndërsa Saliu është i zënë ngushtë. Shahisti i zoti, është i dërrmuar, e si shahist i zoti që është, përpiqet që lojën, në pamundësi për ta fituar, ta nxjerrë remí. Saliu e di që nuk e merr pushtetin, e di që asnjë shanc nuk ka. Prandaj ka tjetër objektiv. I duhet të uzurpojë opozitën që kur t’i japin “shah” mos të bëhet “mat” por, gjithmonë ta ketë një kuti për tu shmangur. Në këtë pikë e ka me pash ndihmën e Ramës.

Kanë edhe halle të tjera të përbashkëta. Sidomos SPAKun. Madje këtë e kanë hallin më të madh. Asnjëri nuk e do. Se duket që ky është një institucion që u ka dalë nga duart. I pari e quan organizatë kriminale e i dyti bën komisione për t’ia vështirësuar jetën. I pari thotë e ka kapur Rama, i dyti e lëvdon për ta bërë të besueshëm të parin e thotë që komisionin e do për ta bërë më të mirë (!) për t’ia ulur kështu besueshmërinë.

Në fund të fundit Ramës i duhet që Saliu të besohet si i burgosur politik dhe shqiptarët duhet t’i shohin si armiq për vdekje. Vetëm kështu shpresa e shqiptarëve mbetet në koma.
Prandaj, benzinën për të djegur Flamuri karriket e sjell “e pafajshmja” Elda, por flakës mbi benzinën e Eldës, i fryn Rama me gojën e Elisës. Situata kërkon tym, Berisha e ndez flakën e Rama i ofron eshkën dhe i fryn zjarrit, siç bëri me Salianjin ku Rama bëri goxha hartim për të marrë autorësinë e burgosjes. Tymnaja rritet. Ama mes flakëve e tymit të një revolucioni që nuk ka nisur kurrë, palët kur u duhet ulen pa asnjë negociator e pa ngritur asnjë flamur të bardhë për t’i shërbyer “remísë” tashmë të vendosur mes tyre “Rama në pushtet, Berisha opozita e vetme”. Kështu, mes tymnajës u ulën e votuan amnistinë anti SPAK, votuan listat e mbyllura dhe Shqipërin me 12 rajone nga ku Rama përfiton në tavolinë minimalisht 10 deputetë. Së fundmi, Berisha kërkon bashkënumërim me numërues partiakë duke shuar mundësinë e një numërimi elektronik.

E në lojë janë edhe (k)analistët e pavarur, “kokat e mençme” lavazhierë në lavazhet mediatike të darkës. Natë për natë ata, pa u lodhur, përsërisin e përsërisin të njejtën gjë. Natë për natë i fryjnë fyellit në vrimën revolucionit të remisë. Përpiqen ta paraqesin revolucionin si një luftë të ashpër me revolucionarë të burgosur politik, tradhëtarë e qeveritarë të armatosur deri më dhëmbë e me gijotinën gati për revolucionarin radhës. (K)analistët, sillen e sillen rrotull të vërtetës si qenushë që mender u vjen çiçi, e nuk e thonë dot të vërtetën e madhe që opozita është e marrë peng nga Berisha për hallin personal që e ka zënë. Jo, qenushët e vegjël mediatikë e kanë të përcaktuar ham-hamin e vet në shërbim të kockëhedhësit. Ata gjithë inatin e kanalizojnë tek opozitarët e rinj që i quajnë me gjuhën e Berishës, opozitë të opozitës. Për këta ham-hamista të vegjël, fajin e ka Adriatik Lapaj, Endri Shabani, Pano Soko, Enkelejd L. Alibeaj, Dashamir Shehi, se Lulzim Basha po e po si një “tradhëtar” tashmë i sprovuar që e kishte pas kapur Rama që në djepin e Saliut. Gjithë teoria e tyre ham-hamse është që kush do të mundë Ramën duhet të shkojë e të futet në bunkerin e Berishës për të mos fragmentarizuar votën. Si kockëgrryes të vegjël, nuk arrijnë të kuptojnë që, çfarë duhet mundur nuk është njeriu Rama, por modeli Rama, modeli që ngjan siç ngjajnë dy pika ujë me modelin Berisha. Në vend që të kërkojnë largimin e Berishës më në fund nga jeta politike e këtij vendi dhe të çlirojë demokratët e marrë peng brenda bunkerit të tij, për të çliruar gjithë opozitën e për tu dhënë shpresë gjithë shqiptarëve, ham-hamsat me ham-ham çdo natë përpiqen ta fusin turmën në bunkerin ku luhet loja për remínë “Rama në pushtet, Berisha i vetëm në opozitë”.

Marrëveshjen Rama-Berisha për remí mund ta prishin vetëm shqiptarët. Kësaj loje të pisët “O Ramën, o Berishën” shqiptarët duhet tu përgjigjen me “As Ramën, as Berishën”. 34 vjet. Mjaft është mjaft.

Artikulli paraprakParalelizmat në historinë e Shqipërisë/ Nga Fan Noli deri në ditët tona, injoranca dhe arroganca e politikës shqiptare
Artikulli tjetërSPAK e mori të pandehur për shpërdorim detyre, arrestohet ish-deputeti i PS, Jurgis Çyrbja