Alexander Hleb e ka pranuar se kishte bërë gabim të madh kur e kishte braktisur Arsenalin për Barcelonën.
Hleb i ishte bashkuar Arsenalit nga Stuttgarti më 2005 dhe i kishte kaluar tri sezone në Londrën veriore, duke i bërë 130 paraqitje, para se të largohej.
Mesfushori sulmues iu bashkua Barcelonës më 2008 por nuk ishte në gjendje të zinte vend në skuadrën e Barçës, pasi u paraqit vetëm në 36 ndeshje, para se të huazohej në Stuttgart, Birmingham dhe Wolfsburg.
Në fund ai u pajtua ta shkëpusë kontratën me Barcelonën.
Edhe pse në sezonin e parë me Barcelonën e fitoi Ligën e Kampionëve, La Ligën dhe Kupën e Mbretit, Hleb e pranon se nuk ia ka vlejtur largimi nga Arsenali, ku ndihej i lumtur.
“Kanë kaluar shumë vjet dhe ende mendoj për këtë. Nuk kuptoj. As sot e kësaj dite nuk e kuptoj se çfarë ndodhi apo pse e mora këtë vendim”, tha Hleb.
“Natyrisht, Barcelona ishte ekipi më i mirë në botë në atë moment por unë isha shumë i lumtur në Arsenal në atë kohë. Kisha miq, më pëlqente trajneri dhe po luaja për njërin prej ekipeve më të mira, pastaj tifozët, stadiumi dhe gjithçka tjetër. Kampionati fantastik, Premierliga dhe gjithçka tjetër”, shtoi ai.
“Pse u largova nuk kuptoj. Unë isha shumë i lumtur në Arsenal. Qava kur fola me Arsene Wengerin. Ne biseduam gjatë pushimit veror para se të largohesha dhe ai më tha se dëshironte të më mbante në klub sepse isha i rëndësishëm për të. Qava. Nuk e dija çfarë në bëja në atë moment”, nënvizoi ai.