Asambleja e PPE, mbështetje Bashës për strategjinë e opozitës

Kryetari i opozitës, Basha ka shtruar si problem në tryezën e Partive Popullore manipulimin e zgjedhjeve në Shqipëri dhe reformimin e sistemit zgjedhor me qëllim që t’i jepet fund manipulimeve. Kreu demokrat Lulzim Basha mori pjesë dje në Asamblenë Politike të Partisë Popullore Europiane (PPE), që zhvillohet në Kopenhagen me pjesëmarrjen e drejtuesve të partive të djathta europiane.
Para Asamblesë, zoti Basha bëri një pasqyrë të zhvillimeve politike në vend dhe ndau me politikanët e djathtë europianë vizionin e tij për të ardhmen e PD-së dhe të opozitës. Në mënyrë të veçantë, ai theksoi rëndësinë që ka për opozitën dhe vetë demokracinë në Shqipëri reformimi i sistemit zgjedhor, për t’i dhënë fund përgjithmonë historisë së manipulimit të zgjedhjeve.
Në bisedat me drejtuesit e partive simotra, Basha diskutoi gjithashtu mbi përballjen me sfidat për integrimin europian të vendit, dhe mori mbështetjen e tyre në këtë proces.
Basha mori gjithashtu premtimin për vazhdimin e mbështetjes direkte politike të PPE-së dhe partive simotra të Partisë Demokratike, përfshi mbështetjen me këshillim dhe asistencë në lidhje me strategjinë dhe alternativën opozitare.
Qëndrimet e mbajtura në takimin e Partive Popullore nga Basha paralajmërojnë edhe strategjinë që do të ndjekë opozita që në ditët e para të fillimit të sezonit të ri politik. Opozita do të përqendrohet që në fillim të legjislaturës së re të Kuvendit tek krijimi i të gjitha mekanizmave ligjorë që garantojnë një proces të lirë zgjedhor dhe që nuk do të mund të shkaktojë fraktura të rënda politike dhe të përbëjë rrezik për të çuar vendin drejt destabilizimit.
Qeveria e re është unike në llojin e saj në të gjithë historinë politike të këtyre 27 viteve, pasi është një qeveri e pakicës së shqiptarëve. Ajo është bojkotuar në zgjedhjet e fundit nga më shumë se 70% e votuesve, të cilët nuk e kanë votuar dhe ajo është sot në pushtet me votat e blera të asaj pakice që nuk mund të jetë legjitime.
Propozimet e opozitës për të hartuar një kod elektoral, i cili të garantojë votimin dhe numërimin elektronik është shtruar për zgjidhje prej më shumë se 18 muajsh dhe megjithatë në asnjë moment nuk ka pasur vullnet politik nga qeveria për ta implementuar. Duket se tani ekziston e gjithë koha e mjaftueshme për të bërë reformën e garantimit të zgjedhjeve të lira dhe që nënkupton edhe fundin e pushtetit politik me vota të blera të Ramës.
Në axhendën e opozitës nuk mund të ketë çështje më të rëndësishme se rikthimi i votës së lirë si instrument ndryshimi në duart e qytetarëve dhe Basha e ka rinisur këtë sfidë edhe në kancelaritë diplomatike të Europës. Ndalesa e parë ka qenë në tryezën politike të Partive Popullore, të cilat kanë shumicën në Parlamentin Europian dhe kryesojnë Komisionin Europian.
Raporti i OSBE/ODIHR po ashtu ka vërejtur rrëzimin e sistemit të zgjedhjeve të lira në Shqipëri, kur në raportin pas zgjedhjeve të 25 qershorit denoncoi blerjen e votave dhe kërcënimin e votuesve dy fenomenet kryesore me të cilat Rama qëndron sot në një pushtet, i cili nuk mund të jetë legjitim.

Exit mobile version