Asensio rinovon kontratën me Realin

Marco Asensio do të luajë në “Santiago Bernabeu” deri në vitin 2023. Ditëve të ardhshme Real Madridi do të bëjë zyrtare rinovimin e kontratës me talentin spanjoll, i cili do të ketë klauzolë lirimi 350 milionë euro, kështu shkruan e përditshmja spanjolle “Marca”. Asensio ka shkëlqyer që në sezonin e parë me Real Madridin, duke tejkaluar pritshmërit e Los Blancos.
21-vjeçari ka shënuar në çdo kompeticion për Realin në sezonin që lamë pas. Ai realizoi edhe në finale të Ligës së Kampionëve ndaj Juventusit, duke u bërë lojtari më i ri i Realit që shënon në një finale. “Marca” shkruan se Reali nuk e ka me ngut rinovimin, pasi Asensio ka kontratë deri në vitin 2022, por do ta bëjë një gjë të tillë vetëm për të futur klauzolën prej 350 milionë eurove.
Asensio, që shihet si talenti më premtues në Spanjë, u transferua te Reali në dhjetor të vitit 2014 nga Mallorca për 3.9 milionë euro, i cili qëndroi në formë huazimi te kjo skuadër e më pas edhe te Espanyol deri në vitin 2016, kur u kthye për të impresionuar botën me talentin e tij.
Është vetëm 21-vjeçar, por tashmë Zinedine Zidane i beson plotësisht talentit spanjoll, të cilin e ka inkuadruar në çdo ndeshje të rëndësishme të këtij sezoni. Asensio, i cili e përfundoi sezonin me 10 gola në 38 paraqitje, shihet si e ardhmja e Real Madridit dhe Spanjës.
Ndërkohë, Odegaard do të qëndrojë edhe për një vit në Heerenveen, për t’u rritur më shumë si lojtar – derisa beson se edhe më tej ka mbështetjen e klubit. Martin Odegaard beson se Real Madridi edhe më tej ka besim te ai, pavarësisht se ka dështuar të impresionojë në Holandë te Heerenveen.
18-vjeçari Odegaard iu bashkua skuadrës së Heerenveen në formë huazimi për 18 muaj në janar të këtij viti, i cili ka shënuar vetëm një gol në 16 paraqitje në Ligë. Mosparaqitjet e mira të norvegjezit rritën spekulimet se mund të kthehet në Madrid më herët, por 18-vjeçari pret të kalojë një tjetër sezon në formë huazimi te Heerenveen. “Kam pasur mundësinë të stërvitem me më të mirët e botës dhe klubi ende ka besim te unë”, tha Odegaard për televizionin norvegjez “TV 2”.
“Ata kanë thënë se do të më monitorojnë se si po shkon progresi im dhe se do të vrazhdojnë të investojnë. Nuk kam folur me Zidanen, por rregullisht flas me shefin e skautëve”, shtoi ai.

Artikulli paraprakLargohet De Biasi!
Artikulli tjetërKëshilltari i Merkel: Të ikë Rama, jo populli