Asgjë e re nga listat!

Ardi Stefa

Listat e kandidatëve për deputetë të partive u publikuan! Asgjë që nuk e dinim dhe asgjë që nuk e kishim parashikuar nuk u përgënjeshtrua.

Si nga kampi socialist, ashtu edhe nga demokratët.
Në fakt, sot u vërtetuan katërcipërisht të gjitha ato parashikime tonat, të cilat i jepnin Ramës mandatin e katërt pavarësisht 12 viteve në pushtet, pas një pushteti të konsumuar e të korruptuar, pavarësisht gjysmës së kabinetit pas hekurave apo nën hetime.

Sikundër u vërtetua edhe parashikimi që PD është në ditën e saj më të keqe, për shkak të mungesës së strategjisë, ose më saktë, të strategjisë që e donte lideri i saj në opozitë dhe veten e vet lider të monopolit “opozitar”.

Kushdo që e pa sot uljen në krye të mbledhjes së kryesisë së PD, ku në krah të Berishës qëndronin Vokshi dhe Noka, të cilët kanë bërë kërdinë në manipulimin e votave në proceset e PD, e kuptoi se si do të shkonte situata.

Ngelej vetëm të shihnim se si do të ishin listat përfundimtare; cilët do të zhgënjeheshin, largoheshin përfundimisht apo çfarë pozicionesh do të kishin deputetët, që iu bashkuan Berishës muajt e fundit dhe që u “bënë” me të, thjesht për një vend në parlament. Sepse për një vend në parlament “luftuan” vitin e fundit.

Paçka se “u bashkuan në diversitet”, shkuan atje ku ishte shumica e demokratëve; flisnin në emër të opozitarizmit, parimeve, demokracisë e të tjera termave të bukura. Paçka se dogjën karrige e u “përleshën “ me gardën, ndezën flakadanë, dogjën e përmbysën karrige dhe kërcënuan me një revolucion që nuk nisi kurrë…

Edhe një herë Berisha i përdori, i keqpërdori dhe i flaku; i gënjeu, u tall dhe i nëpërkëmbi, duke i hedhur në kërkim të votës me shpresën pothuajse të shuar se mund të hyjnë në parlamentin e ri, pavarësisht se në fundvit e kishin përdredhur belin duke kërcyer me këngën e tij…

Dhe jo se është ndonjë humbje e madhe mosqenia në parlament e deputetëve që kaluan pas sharjeve ndaj Berishës tek lëpirja dhe demonstrimi i besnikërisë…

Berishës nuk i ka interesuar ndonjëherë fitorja. I ka interesuar vetëm një parti- bunker e interesave të tij, një pozicion komod në opozitë, një opozitë e kalcifikuar, me figura të stërprovuara, të stërkonsumuara, por besnike.

Prandaj listat e sotme ishin përballja e dy strategjive.

E strategjisë fituese të Ramës, i cili gardën e vjetër e zëvendësoi dhe e çoi në listën e hapur për të maksimalizuar votat dhe për të rritur numrin e mandateve dhe e strategjisë së Berishës për të ruajtur një opozitë të rrudhur, por verbërisht besnike ndaj tij. Dhe kjo strategji e Berishës dhe e besnikëve të tij është strategji humbëse, disfatiste dhe aspak elektorale.

Kërkesa për të qenë në “listat e sigurta” e të gjithë deputetëve besnikë ndaj tij, të cilët u shpërblyen dhe e poshtëballkonistëve “mbështetës” të Gaz Bardhit, të cilët u degdisën në listat e hapura dhe aspak të sigurta tregon se askush prej tyre nuk beson në fitoren e PD dhe se kalkulimet i kanë bërë vetëm një një karrige në parlament ngaqë asnjëri prej tyre nuk guxon të jetë në listën e hapur për të mbledhur vota me peshën dhe eksperiencën politike që ka. Në këtë kontekst nxitimi, këmbëngulja dhe presioni për të qenë të sigurtë për mandatin e tyre në parlamentin e ardhshëm dëshmon se PD po e nis në mënyrën më të gabuar garën elektorale të 11 majit.

Mentalitet tipik humbësi, mentalitet tipik pakice.
Dhe Berisha përpiqet t’u tregojë shqiptarëve se mund të bëjë garderobë të re me kostume të vjetra, të jetë inovator me të njëjtët emra këtu e 25- 30 vjet, të duket që PD është rinovuar dhe rithemeluar me të njëjtët humbës kronikë, të tregohet elokuent me të njëjtën retorikë si të para 30 vite, të rrotullohet rreth vetes me të njëjtët njerëz, por tashmë më të plakur e më të pakët në numër dhe më jashtë kohe…

Në fakt po u paraqitet shqiptarëve të njëjtët njerëz, por pa ofruar asgjë të re, ata njerëz, të cilët kanë patur në dorë ta bënin Shqipërinë dhe s’e kanë bërë dot, se do të zgjidhë problemin me ata njerëz, që janë vetë problemi.

Dhe demokratët që kanë 12 vite që presin fitoren, do të shohin një mandat të katërt të Ramës, një tkurrje të PD, e cila vështirë se do ta marrë veten e të ringrihet…

Ndoshta PD-së i ka ardhur koha të ulë qepenin dhe të pranojë fundin se do të jetë një parti që mund të qeverisë ndonjëherë Shqipërinë.

Ndoshta duhet të pranojmë të gjithë, me dhimbje, por ta pranojmë ë PD e ka mbyllur ciklin e vet jetësor politik.

Exit mobile version