Mitingu i fitores, po hapet një epokë ere

Lulzim BASHA

1 muaj e dhjetë ditë më parë ishim mbledhur në këtë shesh për paralajmërimin e fundit ndaj republikës së vjetër. 5 ditë më vonë ajo kapitulloi, dorëzoi gjysmën e qeverisë dhe u detyrua të pranojë kushtet tona, kushtet tuaja për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Por 1 muaj e 10 ditë më parë ju premtova se së shpejti do të mblidheshim sërish këtu për të tretën të vërtetën. Këtu në këtë shesh të shenjtëruar nga sakrifica e burrave dhe grave, të rinjve dhe të rejave të sheshit të lirisë që themeluat me vullnetin tuaj Republikën e re, që vendosët me njëzëri t’i jepnit fund planit ogurzi të republikës së vjetër, që pasi vodhi dhe mashtroi shqiptarët për 4 vite, bëhej gati të vidhte zgjedhjet tona, vullnetin tuaj. 110 ditë më parë, republika e vjetër krekosej mbi Shqipërinë e mjeruar. 110 ditë më parë, shqiptarët e dëshpëruar nuk shihnin dritë në fund të tunelit. 110 ditë më parë, demokratët u ngritën, u bashkuan dhe nisën një marshim ku sot janë bashkuar shumica dërmuese e Shqipërisë.

Të gjithë presin ndryshimin

Me vendosmërinë totale për të bërë një hap përpara, me vetëdijen tonë, se sa herë demokratët bëjnë një hap përpara, Shqipëria bën një hap përpara. Kështu ka qenë në ditët, kur Partia Demokratike i priu vendosjes së demokracisë. Kështu ka qenë, kur Partia Demokratike anëtarësoi Shqipërinë në NATO, kështu ka qenë kur hoqëm vizat për qytetarët shqiptarë dhe rrëzuam murin mes familjeve tona. Dhe kështu do të jetë ditën e dielë, kur së bashku të themelojmë Republikën e re. Shqipëria na priste, Shqipëria na kërkonte. Bota e priste këtë. Bota e pret ndryshimin. Bota na pyet, unë ju pyes; a jeni gati?! Ditën e dielë bashkimi i madh i shqiptarëve do t’i japë fund me votë republikës së korrupsionit e krimit, regjimit më të korruptuar që e shndërroi Shqipërinë në një hambar droge. Njeriu që vuri pushtetin e tij, timonin e tij mbi interesin e çdo shqiptari të djathtë e të majtë, të ri e të moshuar, burrë apo grua. Njeriu që për pushtetin e tij rrënoi ekonominë me taksat e larta, me çmimet e larta, vuri kriminelët në institucione, kriminalizoi shtetin, e mbushi Shqipërinë me drogë. Ky është kryeministri i 4 viteve që shkuan, kryeministri i republikës së vjetër që ne, që ju do ta largoni me votë ditën e dielë. Këtu nga kjo çadër ka ushtuar ditë për ditë dhe ta dëgjojë sot gjithë Shqipëria, le ta dëgjojë Europa dhe Amerika se çfarë keni vendosur në datën 25 qershor për Edi Ramën.

Republika e Re, pakt i ri mes qytetarit dhe politikës

Edi Rama erdhi në pushtet para katër vitesh, duke premtuar 300 mijë vende pune. Edi Rama erdhi në pushtet, duke premtuar rend dhe siguri për Shqipërinë. Edi Rama erdhi në pushtet, duke premtuar shëndetësi falas. Asnjë vend të ri pune nuk hapi dot. Qindra mijëra shqiptarë i humbën vendet e punës. Shqipëria u mbulua nga droga, bandat bënin ligjin, shëndetësia është në kolaps, arsimi është në kaos, pensionistët në mjerim, rinia në dëshpërim. Edi Rama pati katër vite miliarda euro, por i harxhoi ato për veten e tij, për çetën e tij të korruptuar. Dita e dielë është dita e gjykimit popullor me votë. E reja që po vjen, Republika e Re, do të sjellë me vete një pakt të ri mes politikës dhe qytetarit. Kurrë më nuk do të keni kryeministra që krekosen mbi mjerimin tuaj, kurrë më nuk do të keni deputetë që shkelin mbi djersën tuaj. Kurrë më nuk do të keni një kryeministër të qefeve dhe tekave të tij. Ju meritoni dhe do të keni kryeministrin e qytetarëve, kryeministrin e ekonomisë. Sepse ekonomia është çështja kryesore për të cilën ne vendosim këtë të dielë. Apo jo? E dëgjoni Edi Ramën, ka katër vjet që flet sikur nuk ka qenë një ditë kryeministër, por kryetar opozite. E dini si i thonë kësaj apo jo? (Turma – Rama ik.) Ngaqë dëgjonte çadrën tre muaj, filloi të flasë edhe ai sikur është i çadrës, por ai nuk është i çadrës, nuk është i Republikës së re, që ne do e ndëshkojmë me votë. Nuk mund të bashkëjetojë krimi dhe droga me aspiratën e shqiptarëve, për rend dhe siguri. Nuk mund të bashkëjetojnë taksat e larta dhe inspektorët që terrorizojnë biznesin.

Ekonomi e fortë, e nesërme e sigurtë

Me planin tim ekonomik, me bekimin e Angela Merkel, me mbështetjen e Donald Trump, me taksa të ulëta, me uljen e TVSH-së me planin e vetëm ekonomik që vetëm nëpërmjet Republikës së re, t’i japim shqiptarëve ekonominë e fortë dhe të nesërmen e sigurtë për çdo shqiptar. Dita e dielë ndan gjithçka. Gjithçka varet nga dita e dielë. Ju e keni vendosur apo jo? E keni vendosur apo jo? PO. Prandaj ndodheni këtu në këtë shesh siç ishit në të gjitha sheshet e Shqipërisë këtë javë. I mbushët sheshet dhe rrugët ju që e keni vendosur mos harroni ditën e dielë, mbushini qendrat e votimit. Merrini me vete familjarër dhe shokët tuaj. Ju që akoma nuk e keni vendosur në këto 48 orët e fundit. Dijeni mirë se ne të gjithë jemi shqiptarë, ne të gjithë jemi krenarë që jemi shqiptarë, ne  duam flamurin kuq e zi, ne krenohemi me Ismail Qemalin, Skënderbeun. Por të dielën nuk votohet për Ismail Qemalin, të dielën nuk votohet për Skënderbeun, të dielën votohet për ekonominë tuaj, për punën dhe punësimin tuaj, për të ardhmen e fëmijëve tuaj, për dinjitetin e prindërve dhe pensionistëve. Ndaj këto zgjedhje kanë dy zgjidhje: të qëndrojmë kështu siç jemi me një njeri që katër vite nuk mbajti asnjë premtim. Sepse nuk kishte prioritet hallet, problemet dhe prioritetet e qytetarëve, të qëndrojmë kështu siç jemi me taksa të larta, me paratë që bëhen fasada dhe palma. Asgjë nuk do të ndryshojë. Mundësia e vetme që Edi Rama i ka dhënë shqiptarëve është ajo që Gallupi konstatoi para një  jave, 56% duan të largohen nga Shqipëria. Kjo është dera e Republikës së vjetër që na çon përsëri në hajatin e krizës ekonomike, të braktisjes së qytetarëve, të pushtetit dhe pasurive në duart e një grushti pushtetarësh, oligarkësh dhe kriminelësh. E doni atë derë? Do ta mbyllni atë derë. Dhe dera tjetër që do të hapim me votën për numrin 6 është dera e planit ekonomik, të vetmin në këto zgjedhje me TVSH 15%, taksën e sheshtë 9%, me 1,5% të xhiros taksës së biznesit të vogël dhe pullën fiskale që do të ndalojë njëherë e përgjithmonë terrorin e taksidarëve. Ne do t’i japim frymëmarrje ekonomisë tonë. Vetëm taksat e ulëta sigurojnë investime, vetëm investimet sjellin ekonominë e fortë dhe vendet e punës që ju meritoni dhe do t’i keni me Republikën e re.

Shqiptarët jo më të braktisur

Mëngjesi i parë i Republikës së re nuk do t’i gjejë më të braktisur dhe ata qindra e mijëra familje fermerësh që janë sot në kufijtë e ekzistencës siç tha dhe zotëria nga Devolli. I kam dëgjuar hallet tuaja, i kam prekur me dorë, brengat dhe hallet tuaja. Është dita, ora e ndihmës së Republikës së re për fermerët me subvecionet e drejtpërdrejta si gjithë Europa, si Amerika. Ky është plani ekonomik, ky është numri 6. Mëngjesi i parë i Republikës së re, është mëngjesi i studentëve dhe studenteve me një ligj të ri për arsimin. Asnjë bir e bijë shqiptari nuk do të mbetet jashtë universiteteve për shkak të pamundësive ekonomike.  10 mijë studentët më të mirë do të kenë çdo vit stazhet e paguara nga Republika e re. Nuk mund të ketë të nesërme të sigurtë pa ekonomi të fortë. E nuk mund të ketë ekonomi të fortë, pa një kryeministër që ka një prioritet veten e tij; vizatimet, qypat me baltë, ekspozitat, talljet dhe përçmimet, ndeshjet e futbollit, basketbollit, por asnjëherë punën tuaj, punësimin tuaj. Katër vjet, pesë orë përditë në televizor. Këtu në këtë shesh shkrimtari i madh Kim Mehmeti tha: “Edhe frigoriferin po ta hapim na del Edi Rama”. Në fakt, ka të drejtë. Edi Rama është në frigoriferin e çdo shqiptari, në frigoriferët e zbrazur të familjeve që kanë humbur vendet e punës, në frigoriferët e zbrazur të fermerëve të falimentuar, në frigoriferët e zbrazur të punësuarve, që nuk kanë siguri për punën e tyre ditën e nesërme, në frigoriferët e zbrazur të tyre që as në prizë nuk i vënë dot për shkak të çmimit të energjisë. Dhe ai flet nga mëngjesi deri në darkë për çdo gjë përveçse ekonominë.

Ndryshimi i dytë historik i takon demokratëve

E pra, le t’i themi sot këtu nga ky shesh se, Republika e re do t’i japë fund pallavrave politike, se roli i qeverisë dhe Kryeministrit të ri, roli im do të jetë që frigoriferi juaj të jetë plot përsëri, tavolinat tuaja të jenë plot përsëri, xhepat tuaj të jenë plot përsëri. Dhe kjo do të vijë vetëm përmes kushteve për një ekonomi të fortë, vetëm përmes një plani ekonomik, një plani, i cili materializon nevojat tuaja, mat mundësitë tona dhe jetëson modelin perëndimor në Shqipërinë tonë. Ky ka qenë motivi im prej ditës time të parë në politikë. Nuk erdha në politikë për ambicie dhe protagonizëm personal. Nuk erdha në politikë për pushtet e timon. Por me besimin dhe bindjen se mund t’ju shërbeja ju, se mund të bëja punë të mira për ju, se së bashku me ju mund të krijoja këtu në Shqipëri atë që pashë, shijova dhe gëzova në Europë, atë që e bënë të mundur për çdo shqiptar emigrant, të çajë përpara me djersën e ballit, që këtu na kthehet në mallkim, mundësinë e ndershme për çdo shqiptar. Kam punuar dhe jam përpjekur, kam dhënë rezultate dhe fryte dhe kam bërë gabimet e mia. Por sot ju them se jam gati që bashkë me ju t’i prijmë këtij ndryshimi të madh, ndryshimit të dytë historik i takon demokratëve ta drejtojnë. Pas vendosjes së pluralizmit është radha e Partisë Demokratike t’i japë fund republikës së partive e të krijojë Republikën e qytetarëve. Ne jemi sot jo më shumica e heshtur, por shumica morale dhe triumfuese e Republikës së re.

Asgjë nuk e ndal fitoren

Ndaj me datë 25 nuk jemi nisur drejt pazareve, nuk jemi nisur drejt kompromiseve, por për çdo shqiptar, për gjithë shqiptarët, për fëmijët tanë, për të ardhmen tonë jemi nisur drejt…fitores  Ndaj i bëj thirrje çdokujt t’i bashkohet kësaj lëvizjeje të jashtëzakonshme. Ndryshimi vjen vetëm kur ju votoni për të.  Të zhgënjyer, të braktisur, të majtë kokulur nga premtimet e pambajtura dhe prioritetet e gabuara të Edi Ramës, të majtë të lemerisur nga kriminalizimi i shtetit dhe pasiguria për fëmijët tuaj mos rrini në shtëpi, mos ulni kokën! Bashkohuni me ne! Bëhuni pjesë dhe themelues e Republikës së re! Asgjë nuk e ndal fitoren tonë! Asgjë nuk e ndal Republikën e re! Ju e thatë, e vendosët, e themeluat dhe të dielën e votojmë të gjithë së bashku. Dita e dielë është dita e festës për vëllezërit dhe motrat tona të besimit islam. Sepse dita e Bajramit të Madh, që vjen pas një muaji sakrifice dhe shprese që mbyllen me ngadhënjimin e Zotit. Duke iu uruar nga zemra këto ditë të fundit agjërim të lehtë e të pranuar çdo besimtari mysliman! Duke uruar dhe lutur që sakrifica e tyre dhe lutjet e tyre t’i shërbejnë një Shqipërie të tërë, të gjithë shqiptarëve, të djathtë e të majtë, të krishterë e myslimanë. Dua t’i drejtoj sot edhe lutjen time në emrin tim, të familjes time e të gjithëve ju, Zotit të madh që ta bekojë Shqipërinë ditën e dielë, që zëri i qytetarëve të dëgjohet, që vota e qytetarëve të vendosë, që Republika e re të jetë realiteti që të gjithë e presim dhe e dëshirojmë.

Të djelën shqiptarët votojnë për ekonominë

Lulzim Basha iu drejtua dje qytetarëve në mitingun  përmbyllës të fushatës elektorale për zgjedhjet e 25 qershorit, se pasnesër, të Dielën, do të votohet për Ekonominë. “Të dielën, Shqipëria do votojë: do zgjidhni edhe 4 vite të tjera me më shumë premtime të pambajtura, apo do votoni për ekonominë?”, iu drejtua Basha qytetarëve. Unë besoj se ne duhet ta zhvillojmë ekonominë tonë tani, përndryshe mundësia për të ndryshuar do na anashkalojë, do kemi një shans tjetër të humbur, u shpreh kreu i opozitës. Ne kemi një plan-theksoi Basha, që është i njëjti plan që kanë vendet më të zhvilluara europiane. Ata nuk janë më të mirë se ne. Ata thjesht kanë patur një fillim më të mirë. Por ne duhet ti arrijmë. Ne mund të sjellim këtu investime dhe ta vëmë Shqipërinë në punë.  “Dita e dielë ndan gjithcka. Gjithçka varet nga dita e Dielë. Ju që e keni vendosur mos harroni ditën e Dielë, mbushini qendrat e votimit, merrini me vete familjarë dhe shokët tuaj. Ju që akoma nuk e keni vendosur në këto 48 orët e fundit. Dijeni mirë se ne të gjithë jemi shqiptarë, ne të gjithë jemi krenarë që jemi shqiptarë, ne  duam flamurin kuq e zi ne krenohemi me Ismail Qemalin e Skënderbeun. Por të dielën nuk votohet nuk për Ismail Qemalin, të dielën nuk votohet për Skënderbeun, të dielën votohet për ekonominë tuaj, për punën dhe punësimin tuaj, për të ardhmen e fëmijëve tuaj , për dinjjitetin e prindërve dhe pensionistëve. Ndaj këto zgjedhje kanë dy zgjidhje: të qëndrojmë kështu sic jemi me një njeri që katër vite nuk mbajti asnjë premtim, sepse nuk kishte prioritet hallet problemet, dhe prioritetet e qytetarëve, të qëndrojmë kështu sic jemi, me taksa të larta, me paratë që bëhen fasada dhe palma. Asgjë nuk do të ndryshojë. Kjo është dera e republikës së vjetër. Do ta mbyllni atë derë! Dhe dera tjetër që do të hapim me votën për numrin 6, është dera e planit ekonomik, të vetmin në këto zgjedhje, me TVSH 15%, taksën e sheshtë 9%, me 1,5% të xhiros taksë biznesit të vogël dhe pullën fiskale që do të ndalojë njëherë e përgjithmonë terrorin e taksidarëve. Ne do ti japim frymëmarrje ekonomisë tonë. Vetëm taksat e ulëta sigurojnë investime, vetëm investimet sjellin ekonominë e fortë dhe vendet e punës që ju meritoni, dhe do ti keni me Republikën e Re”, tha Lulzim Basha. Lulzim Basha e mbylli mesazhin e tij me fjalët: Nuk erdha në politikë për ambicie e protagonizëm personal, nuk erdha në politikë për pushtet e timon. Kam bërë dhe unë gabimet e mia. Por jam gati ti prij ndryshimit të të dytë të madh, pas vendosjes së pluralizimit, që është vendosja e Republikës së Re, të qytetarëve. Ndryshimi i dytë i madh, që është ekonomia e fortë, e nesërmja e sigurtë.

Artikulli paraprakMitingu i fitores, PPE flet shqip: PD, fituese
Artikulli tjetërArrestohen 4 policë të Drejtorisë së Burgjeve