Drejtuesi politik i Koalicionit Euroatlantik, Lulzim Basha, ishte i pranishëm ditën e sotme në aktivitetin e Unionit Artistik të Kombit Shqiptar, “Sofra Dardane”. Në fjalën e tij, Basha vuri theksin te rëndësia e mbështetjes institucionale për kulturën kombëtare dhe artistët shqiptarë në të gjitha trojet, dhe angazhim të drejtpërdrejtë nga qeveritë e Tiranës e Prishtinës.
Ai propozoi financimin e programeve kulturore për fëmijët shqiptarë në diasporë, me qëllim ruajtjen e identitetit dhe gjuhës shqipe. Në planin politik, Basha tha se duhet koordinim të ngushtë mes Shqipërisë dhe Kosovës për një politikë të jashtme të përbashkët dhe avancimin e objektivit për anëtarësimin e Kosovës në NATO.
Ai gjithashtu dënoi politikat hegjemoniste të Serbisë dhe theksoi mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, si dhe zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit në Maqedoninë e Veriut. Basha më tej tha se në programin e Koalicionit Euroatlantik, parashikohen investimet në sektorin e sigurisë kombëtare, ndihma financiare për mbrojtjen e Republikës së Kosovës, dhe vizioni për integrimin e Kosovës në NATO.
Fjala e plotë e Bashës:
Dua të ndaj me të gjithë ju, e në veçanti të këtyre ansambleve të mrekullueshme të Kosovës, të Preshevës, të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, shqiptarëve të Malit të Zi dhe Çamërisë, disa prej ndjenjave dhe mendimeve dhe zotimeve tona si euroatlantikë.
E para dhe më kryesorja, kultura kombëtare. Artistët tanë kombëtarë meritojnë respektin më të thellë, mirënjohjen më të thellë, por meritojnë po kështu përkrahjen. Përkrahjen e cila sot nuk mund të jetë thjesht dhe vetëm nga artdashësit, nga njerëzit që kanë sakrifikuar gjithçka nga vetja e tyre, për ta mbajtur gjallë këtë traditë të mrekullueshme, por përkrahje të drejtpërdrejtë nga qeveria e ardhshme e Tiranës, po kështu e Prishtinës dhe nga çdo forcë politike anembanë në hapësirat shqiptare.
Kjo përkrahje e merituar vjen sepse ata janë pasqyra e vërtetë e shpirtit të kombit tonë, në qëndrueshmëri, në sakrificë, në bukuri, në krenari e, padiskutim, besojnë në të ardhmen europiane të kombit tonë, anembanë në trojet tona stërgjyshore.
Dhe kjo përkrahje duhet të vijë në çdo aspekt, jo vetëm për artin dhe kombin, por edhe për fëmijët tanë, edhe për fëmijët e pothuajse gjysmës së kombit tonë, që nuk jeton në trojet tona stërgjyshore, por është detyruar të jetojë në emigracion, e ku po rriten gjenerata të treta e të katërta, të cilat shpeshherë e kanë më të vështirë ruajtjen e gjuhës, zakoneve dhe traditave.
Ndaj angazhimi ynë është që për këta fëmijë, shteti shqiptar, e shpresoj në bashkëpunim edhe me qeverinë e Republikës së Kosovës, të financojë çdo vit ekskursione kulturore, historike, gjeografike, kulinare, të fëmijëve shqiptarë që jetojnë në diasporë, për t’i njohur me bukuritë e jashtëzakonshme, me vlerat kulturore, historike dhe artistike të Shqipërisë, të Kosovës dhe trojeve tona stërgjyshore, në Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, Preshevë, e anembanë Ballkanit. Për t’iu ushqyer me krenarinë e identitetit të tyre si shqiptarë, dhe për të mundësuar në këtë mënyrë, jo thjesht rigjallërimin e një turizmi me të vërtetë patriotik, por edhe rigjallërimin e shqipes, në brezin e tretë e të katërt, që të jetojë në përjetësi edhe te shqiptarët në emigracion.
Por miqtë e mi, angazhimi ynë më kryesor si euroatlantikë, është padiskutim, një politikë e jashtme dhe e sigurisë e Shqipërisë, në koordinim me Kosovën dhe faktorin politik shqiptar kudo në Ballkan, e cila do të avancojë axhendën tonë kombëtare.
Që do të ruajë arritjet e deritanishme të diplomacisë dhe të luftës heroike të UÇK-së, të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare dhe të Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, në veçanti tani që përballemi me rreziqe të shtuara gjeostrategjike, për shkak të lakmisë hegjemoniste, të një Serbie të çarë më dysh, një pjesë e popullsisë progresiste që kërkon Europën, dhe një pjesë tjetër që vazhdon t’i shërbejë agjendës anti-euroatlantike, anti-europiane, anti-shqiptare të Kremlinit të Vladimir Putinit.
E pra miqtë e mi, kjo nuk është lojë, gjeostrategjia ka përcaktuar shpeshherë fatin tonë pa na lejuar të ishim faktor. Sot që ne jemi faktor, që jemi të ulur në tavolinën më prestigjioze të vendimeve, që është ajo e NATO-s, duhet të bëjmë detyrën tonë.
Ndaj angazhimi ynë kryesor, si euroatlantikë, angazhimi ynë për politikën tonë të jashtme, ka të bëjë pikërisht me objektivat kryesorë të Çështjes Kombëtare.
Së pari, asgjë për Kosovën e mbi Kosovën, pa Kosovën. Ky është zotimi ynë si euroatlantikë, gjithçka në koordinim me Prishtinën, për të avancuar objektivin e anëtarësimit të Kosovës, një orë e më parë në NATO, duke i dhënë fund njëherë e përgjithmonë planeve të errëta për cenimin e sovranitetit dhe integritetit të saj territorial.
Së dyti, angazhimi ynë krah faktorit politik në Maqedoninë e Veriut, për të mos zhbërë asgjë nga arritjet e Marrëveshjes së Ohrit dhe zbatimin e plotë të kësaj marrëveshjeje, parakusht për avancimin e mëtejshëm të fqinjit tonë lindor, për të cilin shqiptarët si element shtetformues kanë sakrifikuar kaq shumë dhe janë garanci e identitetit europian dhe euroatlantik të Maqedonisë së Veriut.
Bashkë me Prishtinën, Tirana duhet të angazhohet jo me fjalë, por me vepra për të drejtat e shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc dhe t’i thotë stop politikave regresive, hegjemoniste dhe spastruese. Duke filluar me pasivizimin e heshtur të adresave në Luginën e Preshevës, e në veçanti Komunën e Medvegjës, dhe duke kërkuar që shqiptarët e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit të garantohen me të drejtat e tyre, jo vetëm sipas kushtetutës së Republikës së Serbisë, por sipas Kartës Europiane të të Drejtave të Njeriut, si kushti minimal i avancimit të Serbisë në integrimin europian.
Angazhimi ynë për një politikë të jashtme të fqinjësisë së mirë përputhet me vizionin tonë për një Ballkan në Bashkimin Europian, për një Kosovë në NATO, si elemente kyçe jo vetëm të politikës së jashtme të Shqipërisë, por dhe përmbushjes së plotë të aspiratës sonë mbarëkombëtare për një bashkim të vërtetë kombëtar, në kuadër euroatlantik dhe europian.
Është e qartë se Shqipëria dhe Kosova kanë nevojë të investojnë në sigurinë kombëtare. E sa i takon programit tonë, Koalicionit Euroatlantik, investimet në sektorin e sigurisë kombëtare, ndihma financiare për mbrojtjen e Republikës së Kosovës, dhe vizioni ynë për integrimin e Kosovës në NATO, parashikojnë dy forca të armatosura të Shqipërisë dhe Kosovës që të jenë zilia e Ballkanit, dhe garantuese të vlerave euroatlantike për Ballkanin Perëndimor.
Anëtarësimi i Kosovës në NATO mbetet objektivi më i rëndësishëm. Për këtë, Koalicioni Euroatlantik mbetet 100% i përkushtuar – sot me program, nesër me resurset, institucionet dhe financat e shtetit shqiptar, krah për krah Republikës së Kosovës, qeverisë së Kosovës dhe forcave politike të Kosovës.