Ish-kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel ka kritikuar publikisht liderin kryesor të opozitës gjermane, Friedrich Merz, për pranimin e ndihmës nga ADF për të miratuar në Bundestag, propozimin për ashpërsimin e politikës për azilin.
Kjo është hera e parë që CDU u mbështet në votat e Alternativa për Gjermaninë për të miratuar një mocion kundër imigracionit në parlament
Marrëveshja theu një premtim të Partisë Demokristiane për të mos bashkëpunuar me AfD, e cila është në vend të dytë përpara zgjedhjeve gjermane më 23 shkurt.
Angela Merkel tha se Merz, i cili është pasardhësi i saj si lider i partisë Demokristiane (CDU) dhe njëkohësisht kandidat për kancelar, gaboi në “braktisjen” e këtij premtimi.
“Unë e konsideroj të gabuar braktisjen e këtij angazhimi dhe, si rezultat, lejimin e vetëdijshëm për një shumicë me votat e AfD në Bundestag për herë të parë. Ky propozim dhe qëndrimi i lidhur me të ishte shprehje e përgjegjësisë së madhe politike shtetërore, të cilën unë e mbështes plotësisht në tërësi”, tha Merkel, e cila iu referua një marrëveshjeje që Merz bëri në nëntor 2024, kur u zotua në mënyrë eksplicite se do të pengonte AfD-në të luante një rol vendimtar në votimet e Bundestagut.
“Është e nevojshme që të gjitha partitë demokratike të punojnë së bashku përtej kufijve politikë partiakë dhe në bazë të ligjit evropian të zbatueshëm për të bërë gjithçka që duhet për të parandaluar sulme të mëtejshme si ato në Magdeburg dhe Aschaffenburg”, theksoi ajo.
Migrimi është bërë tema mbizotëruese në fushatën zgjedhore gjermane përpara votimit më 23 shkurt, pas një sërë sulmesh që iu atribuohen të dyshuarve me prejardhje emigrantësh.