Ambasadori amerikan përsëriti dje deklaratën e bërë një ditë më parë nga zëvendësndihmësekretari amerikan i Shtetit, Yee, duke deklaruar se askush nuk duhet të dalë mbi ligjin. Shtetet e Bashkuara po lëshojnë mesazhe të qarta të brakstisjes së qeverisë Rama e lidhur me krimin e organiziuar veçanërisht pas votimit të së mërkurës, kur PS refuzoi kërkesën e Prokurorisë së Krimeve të Rënda për arrestimin e Saimir Tahirit.
“Nuk do të ishte e përshtatshme për mua të them, nëse Saimir Tahiri është fajtor apo i pafajshëm. Por, është jashtëzakonisht e rëndësishme që ju si drejtues të shoqërisë civile, ju si të rinj, ju si qytetarë të Shqipërisë të zbuloni të vërtetën. E drejta për të ditur të vërtetën nuk i përket asnjë partie politike. I përket qytetarëve të Shqipërisë. Askush nuk duhet të jetë mbi ligjin”, tha Ambasadori Lu.
Shtetet e Bashkuara, thirrje qytetarëve
Shtetet e Bashkuara tani po i bëjnë thirrje direkte qytetarëve për të kërkuar të vërtetën mbi lidhjet e Tahirit me krimin dhe bandën e Habilajve. “Nuk do të ishte e përshtatshme për mua të them, nëse Saimir Tahiri është fajtor apo i pafajshëm. Por, është jashtëzakonisht e rëndësishme që ju si drejtues të shoqërisë civile, ju si të rinj dhe ju si qytetarë të Shqipërisë të zbuloni të vërtetën. E drejta për të ditur të vërtetën nuk i përket asnjë partie politike. I përket qytetarëve të Shqipërisë”. Deklaroi sot, Ambasadori amerikan Donald Lu për çështjen Tahiri”. Po çfarë fshihet pas thirrjes që po bëjnë amerikanët drejtuar shoqërisë. Ata nuk po i drejtohen më thjesht dhe vetëm politikës. As nuk po i drejtohen thjesht dhe vetëm Drejtësisë, ata tani po i drejtohen shoqërisë që të kërkojë të vërtetën e lidhjeve të krimit me Tahirin.
Instrumentat që shoqëria ka për të kërkuar të vërtetën mbi lidhjet e qeverisë me krimin nuk janë institucionale. Shoqëria reagon përmes protestave dhe kjo është ajo çfarë pritet të ndodhë gjatë ditëve dhe javëve të ardhshme. Beteja për çmontimin e krimit nuk do të jetë e lehtë, por do të ndodhë me çdo kusht. Ky është mesazhi që po përsërisin partenrët e Shqipërisë, të cilët kësaj here duken të vendosur për të shkuar deri në fund këputjes së hallkave të krimit të organizuar me politikën.
Seanca e së mërkurës ishte prova e parë e kapjes së të gjithë mazhorancës dhe kriminalizimit të forcës politike në qeverisje përmes vendimmarrjes së saj. Tani në terrenin e politikës së brendshme dhe asaj ndërkombëtare janë skenarë të tjerë për çmontimin politik të krimit të organizuar të njehsuar me partinë në pushtet.
Cili është kuptimi i shprehjes “askush mbi ligjin”
Shtetet e Bashkuara përmes dy deklaratave radhazi kanë përsëritur të njëjtën shprehje; “Askush mbi ligjin”. Cila është domethënia e kësaj fjalie dhe kujt i drejtohet. Deklarata bëhet vetëm pak orë pas votimit, ku Rama dhe PS nuk lejuan Prokurorinë të arrestojë Tahirin. Atëherë është i qartë konteksti i deklaratës amerikane. Mbi ligjin është sot PS dhe ish-ministri i saj i Brendshëm, Tahiri të cilët e kanë vendosur veten pas votimit të së mërkurës mbi shtetin ligjor dhe mbi drjetësinë, Prokurorinë dhe Gjykatat. PS ka bërë gabimin fatal me votimin e së mërkurës, duke vendosur partinë dhe lidhjet e krerëve të saj me krimin e organizuar mbi ligjin. Ndaj dhe reagimet amerikane kanë qenë mjaft të ashpra, brenda 48 orëve dhe pritet që të ashpërsohen në ditë dhe javët e ardhshme. Shtetet e Bashkuara ashtu si dhe BE nuk do të mund të lejojnë një forcë politike të dalë mbi ligjet pasi ky do të ishte fundi i kapitullit të një shteti të së drejtës dhe instalimi dhe pranimi zyrtar i diktaturës së krimit.
Reagimi i plotë i ambasadorit
Dua t’ju përgëzoj për punën e jashtëzakonshme që keni bërë për të luftuar korrupsionin në sistemin arsimor. Por së pari, më lejoni të them dy fjalë në lidhje me polemikat aktuale rreth ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.
Të gjithë ju jeni duke parë të shkruhet historia në këtë vend. Ajo që dini është se në komunizëm, Shqipëria kishte problemin e turpshëm të udhëheqësve komunistë që dërgonin njerëz të pafajshëm në burgjet më të tmerrshme: në Spaç, në Burrel dhe në Qafë Bar.
Në 27 vitet e fundit, ky vend është përballur me problemin tjetër, me problemin e turpshëm të politikanëve të fuqishëm, nga e djathta dhe nga e majta, që kanë kryer krime të tmerrshme dhe i kanë shpëtuar drejtësisë, pa pushim.
Nuk do të ishte e përshtatshme për mua të them, nëse Saimir Tahiri është fajtor apo i pafajshëm. Por, është jashtëzakonisht e rëndësishme që ju si drejtues të shoqërisë civile, ju si të rinj, ju si qytetarë të Shqipërisë të zbuloni të vërtetën. E drejta për të ditur të vërtetën nuk i përket asnjë partie politike. I përket qytetarëve të Shqipërisë. Askush nuk duhet të jetë mbi ligjin.
Ju nuk jeni gjyqtarë apo prokurorë, por jeni njerëz që votoni. Ju i dhatë besimin tuaj këtij personi si anëtar i Kuvendit dhe si ministër i lartë i kabinetit. Është përgjegjësia juaj të kërkoni që publiku të dijë të vërtetën për këtë çështje. Nëse është i pafajshëm, njerëzit duhet ta dinë këtë. Nëse është fajtor, ai duhet të përballet me drejtësinë.
Tani, më lejoni të flas për arsyen pse jemi këtu sot – korrupsioni në sistemin arsimor.
Unë besoj që brezi juaj do të ndihmojë në gjetjen e zgjidhjes së problemit të rritjes së korrupsionit në shkolla dhe universitete. Më pëlqejnë shumë idetë që po vini në praktikë. Për shembull, më pëlqen idea juaj për të identifikuar profesorët më të mirë dhe për t’iu treguar të gjithëve, se cilët profesorë i rezistojnë korrupsionit dhe vendosin edukimin e studentëve të tyre përpara interesave vetiake.
Ndërsa brezi juaj lufton korrupsionin, ju lutem dijeni se keni mbështetjen tonë të plotë. Ne po punojmë çdo ditë për të mbështetur vetingun në drejtësi, luftën kundër krimit të organizuar dhe dekriminalizimin e politikës. Aty ku brezat e kaluar kanë dështuar në luftën kundër korrupsionit, unë jam besimplotë se ju do të keni sukses.
Më lejoni ta përfundoj duke falenderuar të gjithë anëtarët e Këshillit Rinor, Qendrën për Nisma Ligjore Qytetare dhe veçanërisht profesorët e dekanët që e kanë mbështetur me guxim këtë nismë.
Korrupsioni nuk do të mposhtet në një ditë të vetme, por mund të mposhtet nga një brez. Do të mposhtet nga brezi juaj.
Arben SHAHINI