Nga Jorida TABAKU
Dua të falenderoj çdo votues që, përmes votës së tij, kërkoi dhe luftoi për ndryshimin, që edhe sot është shumë i nevojshëm dhe i domosdoshëm për vendin. Fatkeqësisht, për arsye që përditë e më shumë janë të qarta, ndryshimi që ne kërkonim nuk erdhi.
Dua të falenderoj çdo demokrat, sidomos ata të degës 2,3 dhe 10 në Tiranë, që për javë të tëra punuan së bashku me mua në një përpjekje të ndershme për t’i rikthyer dinjitetin dhe shpresën vendit. Megjithëse puna rezultoi me mbi 9500 vota shtesë përpjekja jonë u errësua nga një klimë e pandershme që ndikoi tërësisht në vullnetin e votuesve dhe që gjithashtu frenoi dhe pengoi ndryshimin që jam e bindur se shqiptarët e duan.
Nuk ia arritëm, mbi të gjitha, sepse rregullat e lojës u shkelën njëanshmërisht, por edhe për shkak se ne nuk menduam për asnjë çast dhe asnjë moment që duhet të ishim njësoj si pala tjetër në pandershmëri.
Por, me gjithë këtë situatë të nderë dhe të paprecedent, ku përditë po bëhet më e qartë, për shqiptarët dhe jo vetëm, makineria e pandershme që i siguroi një mandat të tretë kësaj qeverie. Ne nuk do të dorëzohemi. Beteja për një vend demokratik, për një shtet ku institucionet nuk janë vegla të vullnetit të një personi, nuk do të ndalet.
Lufta jonë dhe mbi të gjitha lufta ime personale për të qenë zëri i atyre që më besuan me votën e tyre përfaqësimin nuk do të rreshtë. Pa asnjë kompromis me ata që shkërmoqën dhe shkelën parimet e shenjta të demokracisë dhe lirisë. Pa asnjë demotivim, por me bindjen e palëkundur që do t’ia dalim në këtë përpjekje për të ardhmen e fëmijëve tanë.
Do të luftojmë njësoj si në ditët e fushatës, si një ekip i vetëm që ka përzemër interesin e shqiptarëve dhe të Partisë Demokratike. Mbi të gjitha edhe në këto kushte do të jetësojmë premtimin e PD-së për të qenë bashkë me qytetarët pas 25 prillit.
Çdo ditë dhe me cdo mënyrë, ashtu si kam bërë deri me sot, pa kompromis! Derë më derë dhe shtëpi më shtëpi!
Askush të mos e dyshojë, se ditë më të mira do të vijnë për ne dhe për Shqipërinë!