Kristjan Asllani do të jetë gati për “derbin e Italisë” përballë Juventusit. Mesfushori shqiptar më në fund ka lënë pas dëmtimin dhe sot raportohet se ka kryer një seancë të plotë stërvitore.
Asllani kishte munguar në dy ndeshjet e fundit të Interit, ndaj Romës dhe Jang Bojs, pa dhënë kontributin e tij për shkak të kësaj situate me dëmtimin. Por ai është lënë pas dhe ky është një lajm i mirë për futbollistin, por edhe për trajnerin Inzagi i cili duhet të modifikojë mesfushën pas dëmtimit të Çalhanollu.
Asllani do të jetë një alternativë në pankinë, pasi vështirë se Inzagi mund ta rrezikojë mes titullarëve duke pasur parasysh se sapo ka ardhur nga dëmtimi. Por ndërkohë, një alternativë nuk do të jetë Karlos Augusto, i cili ka një problem muskulor në kofshën e majtë dhe kësisoj është mungesë e sigurt për ndeshjen e të dielës në darkë.