Asnjë devijim nga kauzat e drejta

Basha deklaroi dje gjatë një takimi me demokratët e Shijakut, Durrësit dhe Rrogozhinës se PD nuk do të tërhiqet nga kauzat e saj të drejta, ndërsa qeverisja aktuale ka degraduar dhe është e ngjashme me atë të vitit 1991 përmes fletërrufeve dhe ku votimet bëhen fiktive.
Basha tha se Partia Demokratike duhet të vazhdojë rrugën e saj të kauzave të drejta për Shqipërinë, me në krye atë të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Basha tha se zgjedhjet e 25 qershorit dhe mazhoranca që doli prej saj, janë një version i asaj të vitit ‘91, ku qytetarët bëheshin pjesë e votimeve fiktive nën terrorin e Sigurimit të Shtetit dhe fletërrufetë identifikonin koka turku mes qytetarëve. Për Lulzim Bashën, e vetmja forcë që ka moralin dhe fuqinë për t’i dhënë popullit zgjidhjen që meriton dhe dëshiron është Partia Demokratike dhe plani i saj.
“Ne kemi ngritur disa kauza të drejta, të cilat koha dhe 25 qershori provuan se janë kauzat më të rëndësishme për Shqipërinë sot. E nisëm me kauzën e dekriminalizimit. Me luftën kundër drogës si projekt politik i Edi Ramës, për të mbuluar dështimin me ekonominë dhe për të zhvilluar skemën që përdori, sofistikoi dhe kulmoi më 25 qershor, shitblerjen masive të votës dhe lekët e drogës. Qytetarët ishin skeduar me metodat e Sigurimit famëkeq. Paratë ishin shpërndarë, ato mbaheshin nën vrojtim me ndihmën e një shteti të bërë njësh me krimin, administratës, shërbimeve, ndihmës sociale, subvencioneve, legalizimeve, me mediat të gjitha të kapura dhe të vëna në shërbim të pushtetit dhe gjithçka tjetër. Në këto kushte u zhvilluan zgjedhjet e 25 qershorit. Në këto kushte mazhoranca që ka dalë nga 25 qershori është një mazhorancë fiktive. Nuk reflekton vullnetin e njerëzve aq sa e reflektonte ajo e ‘91-shit, për rrethana të njëjta apo të ngjashme. Reflekton frikën, dëshpërimin, reflekton varfërinë që këta e thelluan. Ne jemi të vetmit që kemi moralin, forcën, kurajën, vizionin dhe planin për ta nxjerrë Shqipërinë. Nuk ka dritë në fundin e tunelit të Edi Ramës. Ajo që doli nga kutitë e 25 qershorit nuk është kurrsesi as vullneti, as dëshira e tij”, tha Basha.
Lulzim Basha theksoi se vetëm PD ka moralin dhe vlerat për ta çuar përpara Shqipërinë.
“Kur i dhamë shqiptarëve konceptin e Republikës së re, që në thelb është një raport i ri midis qytetarit dhe pushtetit, me zgjedhje të drejtpërdrejta të deputetëve, me zvogëlim të numrit të deputetëve, me ndryshim të balancës kushtetuese midis institucioneve, fuqizimin e qytetarit, eliminimin e partitokracisë dhe rikthimin tek vlerat demokratike për të cilat u ngritëm 25 vjet më parë. Kjo do të ndodhë edhe brenda Partisë Demokratike. Fuqizimi i anëtarit do të thotë vendimmarrje një anëtar një votë, siç u shpreha kur dorëzova listën e deputetëve. Kjo duhet të jetë hera e fundit që lista dorëzohet nga kryetari. E që këtej e tutje duhet të jetë produkt i një procesi transparent, gjithpërfshirës, me standarde dhe konkurrues për të evidentuar me votën e çdo anëtari të Partisë Demokratike, më të mirët dhe për t’u bashkuar rreth tyre në betejë”, deklaroi Lulzim Basha.

Selami: Bashkoj PD-në, përçarja nuk ka të ardhme

Në bashkëbisedimet me demokratët e Durrësit, Shijakut, Rrogozhinës dhe Fierit, kandidati për kryetar i Partisë Demokratike, Eduard Selami, bëri thirrje për bashkimin e gjithë faktorëve të djathtë, duke theksuar se përçarja nuk ndihmon në ringritje. Kundërshtari politik, tha Selami, po e shijon këtë fazë, por me mua u shpreh ai, Partia Demokratike, do të ringrihet dhe rifitojë demokratët, elitën dhe shtresat e djathta.
“Dalim nga strukturat dhe përçahemi. Kundërshtarët tanë po e shijojnë këtë, edhe ato ‘miq’ mezi presin të na shohin përtokë, por ne të gjithë së bashku nuk do ia japim këtë shans. Do të dalim më të fortë nga kjo garë, duke thënë disa të vërteta që duhej të ishin thënë me kohë, jo duke folur në mënyrë personale, jo duke hedhur njëri-tjetrin, jo në mënyrë përjashtuese”, tha Selami.
Problemi më i madh në Partinë Demokratike, thotë Selami, është prishja e rregullave të lojës. Kur ai të jetë kryetar angazhohet të bëjë një analizë të thellë për të rikthyer funksionimin e bazës.
“Rregullat e lojës janë prishur, në strukturë dhe në funksionim. Unë këtë quaj pikën më të dobët tonën. Prandaj ju them se nëse më 22 korrik nëshkruajmë një kontratë së bashku dhe jam besimplotë që do të ndodhë sepse modeli që ofroj është bashkëkohor dhe fitues. Do të fillojmë një analizë nga e para në seksion dhe grupseksion për t’i rikthyer në funksionim, duke futur konkurrencën, meritokracinë. Ju do të zgjidhni kush do t’iu përfaqësojë në nivel qendror dhe lokal”, tha Selami.
Selami konfirmoi shqetësimin për pabarazinë e garës dhe u angazhua se PD, do të ketë në Statut nenin që kryetari në rast humbje të dorëhiqet.
“Gara nuk është e përsosur. Hajde të fusim një nen në Statut për herët e tjera që nëse kryetari i partisë nuk fiton, jep dorëheqje dhe nuk kandidon atë radhë për kryetare partie, që të shmangen këto gjëra. Nuk mund të jetë njëri me këpucë, tjetri zbath, njëri kryetar në detyrë me skortë, ndërsa unë me një shofer që nuk di rrugët”, tha Selami.
Rinia është në qendër të projektit të Selamit, ndërsa tha se kërkohet një qasje e re për motivimin e tyre pasi siç u shpreh ai, kanë humbur shpresën te Partia Demokratike.

Përse listat nuk mund të vihen në përdorim jashtë partisë

Komisioni i Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale në Partinë Demokratike zhvilloi dje, datë 15.07.2017, në orën 12:00 mbledhjen e tij të radhës. Në këtë mbledhje u administruan dokumentacionet zyrtare të degëve të Partisë Demokratike që kanë të bëjnë me përbërjen e komisioneve të votimit, vendet e votimit, si dhe listat shtesë sipas përcaktimit të bërë në pikën 8/b të Udhëzimit Nr. 1, datë 04.07.2017, për anëtarët që kanë karta anëtarësie të PD-së ndër vite, por për arsye teknike nuk ishin përditësuar në Regjistrit Elektronik të anëtarësisë.
Deri në mesditë janë administruar të dhënat e 64 degëve nga gjithsej 68 degë të Partisë Demokratike.
Data 15 korrik është afati përfundimtar për administrimin e këtyre të dhënave. Komisioni vendosi si afat të fundit për përfaqësuesit e kandidatëve datën 16 korrik për të sjellë listën e përfaqësuesve të secilit kandidat për 68 komisionet e votimit.
Komisioni është duke përpunuar të dhënat e listave shtesë, të cilat do i bashkëlidhen regjistrit elektronik dhe 5 ditë para zgjedhjeve do të merret vendimi për listën përfundimtare të votuesve.
Theksojmë se, lista e anëtarësisë është e hapur për përdorim të brendshëm në gjithë degët dhe strukturat lokale të Partisë Demokratike. Ato janë të dhëna personale dhe bazuar në Ligjin për “Të dhënat personale” dhe Ligjin për “Mbrojtjen e të dhënave personale” nuk mund të publikohen. Përveç arsyes ligjore ka dhe një arsye morale. Këto lista nuk mund të vihen në përdorim jashtë partisë për ta kthyer anëtarësinë tonë në gjueti shtrigash në vendet e punës në administratë dhe jo vetëm.
Komisioni gjithashtu mori në shqyrtim të gjitha përgatitjet logjistike për votimet e 22 korrikut. Tashmë janë gati vulat zgjedhore, fletët e votimit, formularët e posaçëm etj. I gjithë procesi po ecën normalisht konform rregullave statutore të PDSH-së.

Udhëzimi

Në nisjes të garës, me anë të një udhëzimi, Komisioni ka vendosur që kryesitë e degëve të PD në rrethe janë përgjegjëse për organizimin e votimit që do të zhvillohet më 22 korrik. Çdo degë ka një qendër votimi. Ambientet ku do të kryhet votimi do të miratohen nga ky komision, sipas propozimeve që do të vijnë nga degët, jo më vonë se 12 korriku. Në selinë qendrore do të ngrihet qendra e degës nr. 2, ku do të votojnë përveç anëtarëve të thjeshtë, edhe anëtarët e Kryesisë, anëtarët e Këshillit Kombëtar, deputetët e vjetër e të rinj. Deputetët e rinj kanë të drejtë të votojnë dhe në vendet ku ata janë me banim. Në çdo qendër votimi do të ngrihet një komision që e miraton kryesia e degës, kryetar do të jetë një nga n/kryetarët e degës dhe dy anëtarë, dhe nga një përfaqësues për secilin kandidat.
Statuti i PDSH dhe aktet e tjera të dala në zbatim të tij, si dhe organizmat e PDSH garantojnë garë të ndershme, të drejtë dhe të barabartë për këdo që dëshiron të kandidojë.
Që nga data 28.06.2017 në PDSH nuk ka patur dhe nuk do të ketë anëtarësime të reja derisa të përfundojë procesi i zgjedhjes së kryetarit të saj. Listat e anëtarësisë administrohen sipas Statutit dhe rregullave të përmendura më sipër. Çdo degë e PDSH ku do të votohet për Kryetarin e PDSH do të marrë në avancë në përputhje me vendimin e Komisionit të Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale kopje të listës së anëtarësisë të degës së saj, të cilën ajo e disponon edhe në degë. Listat e votimit sipas përcaktimeve në Statut do të administrohen nga Komisioni i Votimit, i cili kryesohet nga kryetari ose sekretari i degës dhe anëtarë të tjerë që i zgjedh Kryesia e Degës. Çdo kandidat do të ketë vëzhgues në çdo komision votimi.
Çdo degë e PDSH administron databazën e anëtarësisë së saj. Çdo ndryshim në databazën në qendër bëhet vetëm me kërkesën zyrtare të degës shoqëruar me dokumentacionin e plotë të anëtarit që shtohet apo largohet.

Artikulli paraprakBeqaj dhe Lama, 15 mijë euro për një vend pune
Artikulli tjetërOSBE/ODIHR: Opozitës i’u vodhën 7 mandate