Asnjë fatkeqësi nuk mund ta ndalë dot më fundin e pakthyeshëm të Ramës

Nga Red VARAKU

Edi Rama po e merr zvarrë këtë vend me marrinë e tij për të mbuluar me çdo mjet dhe mënyrë kalbëzimin politik, shoqëror dhe ekonomik, që zbuloi radiografia e ashpër e përgjimeve të publikuara nga Zëri i Amerikës dhe prestigjiozja gjermane BILD.

Prej momentit kur dolën këto përgjime, ai ka mbetur peng i tyre dhe në çdo nismë të qeverisë së tij, parësor ka qenë vetëm synimi për të zhbërë të vërtetat, që zbuluan këto përgjime.

Por, sa më shumë që po përpiqet që të dalë në sipërfaqe, aq më shumë po zhytet edhe më keq në spiralen e llumit dhe krimit. Këto përgjime e ndryshuan historinë e tij politike në mënyrë dramatike.

Deri para publikimit të tyre, duhet pranuar që edhe pse kishte dështuar në mënyrë spektakolare pothuajse në të gjithë sektorët e qeverisjes, ai ia pati dalë që nëpërmjet mediave të kapura, të ndërtonte një narrativë të tijën dhe të fshihte të vërtetat rreth mënyrës kriminale me të cilën qeveriste.

Por ekspozimi në sytë e opinionit publik i këtyre të vërtetave, ku vetë ai dhe elita e PS parakalonte në përgjime me krimin e organizuar për të vjedhur shqiptarët, e ka detyruar të prodhojë një qasje të re, jo vetëm ndaj politikës, por edhe ndaj vetë shtetit.

Pra, përgjimet nuk zbuluan vetëm kalbëzimin e shtetit, por zbuluan në mënyrë të pamëshirshme mekanizmin kriminal se si ai në bashkëpunim me krimin e organizuar vidhte zgjedhjet për të vjedhur më pas pasurinë dhe të ardhmen e popullit më të vuajtur në Europë. Pikërisht asgjësimin e këtij mekanizmi i ka kërkuar BE, si kusht themelor për hapjen përfundimtare të negociatave.

Nëse para përgjimeve Rama qeveriste në moskokëçarje të plotë, duke u pasuruar me një plan të kujdesshëm me kosto të ulët për të dhe lukuninë e tij të babëzitur, pas përgjimeve, ai po qeveris i diktuar nga makthi i të vërtetave që ato zbuluan, me shpresë se mund ta varrosë këtë histori.

Beteja e tij e pashembullt kundër të gjithëve, është një patologji të cilën e prodhon vetëm ideja e frikës ndaj të vërtetës. Frikë kjo, në rastin konkret jo vetëm politike, por edhe penale.

Këtë maskaradë, e filloi me një ndër krimet më të mëdha ndaj demokracisë, me vendimin për të realizuar zgjedhje monopartiake, pa opozitën në 30 qershor. Ky akt përveç se ishte një akt i shëmtuar dhe me pasoja të rënda për demokracinë, ishte dhe një akt krejtësisht i paligjshëm, sepse u bë në kundërshtim me dekretin e Presidentit të Republikës dhe duke shkelur Kushtetutën dhe parimet themelore të demokracisë.

Më pas, sërish në një përpjekje të ndyrë për t’i varrosur të vërtetat që zbuluan përgjimet, në bashkëpunim me armikun më të madh të Kosovës, ideoi krijimin e Jugosllavisë së re. Këtë e bëri si presion ndaj Perëndimit dhe si thikë pas shpine ndaj Kosovës ,duke hyrë në histori si shqiptari, që është gati të shesë jo vetëm territore, por edhe gjakun e derdhur për liri të vëllezërve të tij, në interes të pushtetit të tij.

Ishte sërish makthi për të mbuluar të vërtetat, që zbuluan këto përgjime, që e detyroi që një fatkeqësi si tërmeti i 26 nëntorit, ta përdorte në mënyrë të turpshme si mundësi për të shpëlarë fytyrën e larë me gjakun e shqiptarëve të pafajshëm, duke harruar dhe lënë në mëshirë të fatit me mijëra qytetarë, të cilët kanë mbetur të braktisur në mes të katër rrugëve.

Edhe tani që vendi ndodhet po shkon me siguri drejt katastrofës, ai sërish ka braktisur hallet e vërteta të qytetarëve dhe po bën gjithçka për ta përdorur edhe këtë fatkeqësi për të rikuperuar dëmin që shkaktuan këto përgjime.

Por, me gjithë këtë degradim të pashoq që i bëri politikës shqiptare, demokracisë, medies dhe institucioneve të këtij vendi, në funksion të mbulimit të së vërtetës, është e qartë që ai po shkon drejt një fundi të pakthyeshëm.

Të gjitha këto, jo vetëm që nuk e ndihmuan për të dalë nga llumi ku e ka zhytur babëzia dhe paaftësia e tij, por zbuluan edhe më shumë kalbëzimin e thellë politik, ekonomik dhe kulturor të vendit tonë.
Tashmë, edhe piramida e shantazhit dhe terrorit politik për të mbuluar të vërtetën ka filluar të shembet. Qytetarët nuk kanë më frikë dhe kanë filluar t’ia përplasin të vërtetat në sy. Tashmë përgjegjës dhe nën akuzë ndodhet vetëm një njeri, Edi Rama.

Me ç’duket të gjithë e kanë kuptuar që është e rëndë që ne sot të vazhdojmë të qeverisemi nga këta kriminelë dhe është e tepërt që Shqipëria ta paguajë kaq shtrenjtë papërgjegjshmërinë e një njeriu vetëm.

Me sa duket, bashkë me këto të vërteta të mëdha për të cilat askush nuk ka më dyshim, do të marrë fund një degradim i pazakontë, një deformim tepër i rrezikshëm i historisë së Shqipërisë, i historisë së politikës dhe demokracisë.

Exit mobile version