Nga Red VARAKU
Sigurisht që është naive të akuzohet qeveria për rënien e tërmeteve. Tërmetet janë një fenomen i pa parashikueshëm kudo në botë, madje edhe në vendet e zhvilluara.
Ajo për të cilën ka përgjegjësi qeveria është se ajo, përpara tenderave për zyra luksoze apo makina të shtrenjta, duhet të ketë gjithmonë gati një plan emergjence civile, qendra e evakuimi dhe të garantojë sigurinë e pronave të atyre që do të zhvendoseshin në rast të një situate kritike.
Rama nuk kishte dhe nuk ka gati asgjë prej tyre. Kjo situatë, ashtu si edhe situatat e tjera të tërmeteve në Korçë apo dhe përmbytjeve, e nxorri lakuriq paaftësinë e kësaj qeverie për t’i dalë zot qytetarëve të saj.
Ai po mjaftohet me telenovelën e re, ku parakalojnë ministra të mallëngjyer dhe qytetarë të përlotur, që vetëm përqafojnë njëri tjetrin, a thua se detyrë e qeverisë është të qajë bashkë me qytetarët përpara 20 kamerave.
Në vend që të bëjë këtë bilanc të hidhur dhe t’u kërkojë ndjesë qytetarëve për këtë papërgjegjshmëri, Rama flet për dritat në stadium me të cilat i është dashur të merret personalisht, duke na shfaqur kështu një shtet tërësisht të kalbur dhe jofunksional.
Rama duhet të kishte shpallur gjendjen e emergjencës dhe të mblidhte rreth vetes një ekip, që të na vizatonte hartën e dëmeve dhe pasojat e tërmetit.
Por, e vërteta është që ai nuk ka asnjë mundësi t’i ndihmojë këta qytetarë, jo sepse nuk ai do, por sepse me papërgjegjshmërinë e tij, ai nuk ka bërë asgjë që të dalë faqebardhë në situata të tilla të jashtëzakonshme.
Deri këtu jemi thjesht tek paaftësia, por që ta përdorësh këtë fatkeqësi si operacion ‘piari’ , për veten dhe qeverinë, si ‘sapun’ për të pastruar fytyrën nga korrupsioni dhe krimi, kjo është pafytyrësia më e madhe.
Përfaqësuesit e qeverisë, sidomos ministrat e tij më të diskretituar dhe vetë Rama, nxitojnë të shfaqen si njerëz të përvuajtur për hallet e popullit, ndërsa vetë Rama nxiton të shfaqet para kamerave si baba i mallëngjyer me qytetarët e hutuar në krah.
Ndërkohë, nuk kemi asnjë specialist apo ministër të na tregojë si është realisht situata, cilat janë dëmet dhe cilat do të jenë format e dëmshpërblimit për qytetarët.
Qeveria po dëshmon, se njësoj si njerëzit e tronditur, është vetë me sytë nga qielli, pa asnjë vizion dhe pa asnjë plan për t’ia dalë situatës.