Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi ka mbledhur gjatë paradites së sotme strukturat e partisë së saj, ku u shpreh se Shqipëria ka vetëm një rrugë për të ardhmen e saj, dhe që është integrimi në BE.
Duke folur për dekadën e re në të cilën kemi hyrë, Kryemadhi tha se një orë e më parë duhet të rrëzohet Rilindja që ka marrë peng vendin.
“Të dashur shqiptarë dhe shqiptare,
Të nderuar anëtarë të Lëvizjes Socialiste për Integrim të Qarkut Tiranë!
Ju uroj një vit të ri të mbarë, të paqtë, të gëzuar dhe të begatë për ju dhe gjithë shqiptarët.
Ju uroj këtë vit, i cili hap dekadën e shpresës, dekadën e fitores mbi të keqen, dekadën kundër varfërisë, dekadën e rifitimit dhe konsolidimit të lirive, dekadën e një Shqipërie pjesë të Europës së Bashkuar, dekadë që e bën Shqipërinë edhe njëherë vend të dashur të shqiptarëve nga e cila ata nuk do donin të iknin kurrë, në dekadën që do ta kthejë Shqipërinë realisht në shtëpinë e të gjithë shqiptarëve.
Startimi në këtë dekadë të re është një mision i madh dhe i pakthyeshëm. Është një mision që nuk e ndal dot asnje, autokrat, burokrat i korruptuar, oligark, kriminel, trafikant a kushdo qoftë, pasi përballë nuk ka as një, as dy, as pesë e as dhjetë, por shumicën absolute të shqiptarëve, që janë ngritur në këmbë për të rifituar Shqipërinë që po përpiqen t’ua grabisin.
Viti 2020 është fillimi i një dekade ku Shqiperia, Familja, Kombi shqiptar janë dhe do të jenë të parët! Asnjë dorë e zezë nuk mund të shtrihet mbi to pasi të gjithë shqiptarët së bashku do ta refuzojnë me forcën e rezistencës dhe shpirtit të tyre.
Ne jemi krenarë për sot dhe për gjithë jetën se do të jemi ne njerëzit e dekadës së re të një Shqipërie krejt tjetër nga kjo e sotmja që nuk është hall dhe problem vetëm i shqiptarëve por edhe i Ballkanit. Të një Shqipërie e njerëzve të lirë, e inisiativës së lirë, gjithashtu edhe një shembull përparimi dhe zhvillimi.
Kjo dekadë do të flakë tej Rilindjen e shëmtisë politike dhe morale, Rilindjen e shpërbërësve të familjes, Rilindjen e tradhëtarëve të Kombit dhe do të ngrejë lart atdhetarët e vërtetë, të rinjtë e talentuar, burrat dhe gratë që mbajnë mbi shpatulla ekonominë e vendit dhe të familjeve të tyre. Do të ngrejë lart talentin dhe dijen e shqiptarëve me të cilët ne krenohemi dhe që sot kemi aq shumë nevojë. Tashmë ka ardhur më në fund dita që të ringremë shpresën dhe besimin dhe të rivendosim në piedestal dinjitetin njerëzor”, u shpreh Kryemadhi.
Kryetarja e LSI-së foli dhe për largimin e të rinjve, që sipas Kryemadhit është i ngjashëm me atë që ndodhi në vitin 1991.
“Sot rifillojmë aksionin politik të Lëvizjes Socialiste për Integrim pasi është mbyllur një vit i gjatë dhe i zymtë për shqiptarët, që kulmoi me fatkeqësinë natyrore të 26 Nëntorit, ndërkohë që varfëria ekonomike u thellua më tej, dhe BE tha një tjetër “JO” për hapjen e negociatave.
Ne sot kemi takimin e parë politik organizativ për 2020. Ne të gjithë sa jemi, këtu jemi të bindur e kemi besim se Shqipëria dhe shqiptarët meritojnë më shumë se çfarë ju është premtuar, e shumë herë më tepër se çfarë ju është ofruar në realitet.
Ne po lëmë pas një vit të vështirë, i cili do të lërë plagë në shpirtin e shqiptarëve. Viti 2019 do të shënohet si viti që 120.000 shqiptarët e braktisën vendin e tyre për tu garantuar shkollim,shëndetësi,siguri dhe ekonomi për fëmijët e tyre, qe nuk i gjetën dot këtu në Shqipëri, e më keq akoma, nuk patën besimin se mund t’i gjenin ndonjëherë.
Po t’i hedhim një sy kalendarit të tranzicionit shqiptar do të shikojmë që Shqipëria është përballur me dy momente tragjike: në 1991 dhe në 2019. Këto dy periudha i bashkon e përbashkëta e zbrasjes së Shqipërisë nga të rinjtë dhe të rejat e saj, nga filizat e rinj më të mirë të cilët do të ishin kontribuesit kryesorë të ndertimit të një vendi për të cilin do të ishin krenarë. Një vend ndërtuar mbi demokracinë, ku sundon e ligji i barabartë për të gjithë, ku secili ka mundësi të barabarta për arsimim, për punësim e biznes, ku shteti i garanton çdo qytetari sigurinë e shendetit, ushqimit dhe të jetës.
Këto dy periudha ngjajnë tashmë si dy pika uji:
Në 1991 e gjithë Shqipëria, rinia shkollore e universitare, ajo punëtore e intelektuale, u larguan drejt BE në emigracion per tu rikthyer me besimin “Ta bejme Shqipërinë si gjithë Europa”, pasi përmbysi një sistem të kalbur që ju kishte hequr të drejtën e lirisë,të besimit,të fjalës,të të jetuarit,të shkolluarit,të punësimit, një sistem i mori jetën mijëra shqiptarëve sepse besonin në Zot,pse besonin në liri,pse besonin në vlerat humane, pse besonin tek liria dhe demokracia.
Në 1991 shqiptarët u larguan me besimin per tu kthyer më pas, në një Shqipëri të lirë, demokratike e Evropiane.
Sot, pas gati 30 vitesh, kemi përsëri një Shqipëri që i largohen filizat, por tashmë me trishtimin se përsëri vendi ka një parlament monist, se është kthyer çensura dhe hequr e drejta e fjalës, se është kthyer shtetëzimi dhe grabitja e pronave private në përfitim të Partisë Shtet dhe bandave të saj kriminale.
Në eksodin e sotëm, ai që ishte dikur “Blloku i udhëheqjes” është zëvendësuar me Grupimin e Rilindjes, që janë pjesë apo përfaqësues të bandave kriminale që blejnë pushtetin me paratë e pista, që më pas pushteti tu shërbejë vetëm atyre.
2019 si viti i fatkeqsisë natyrore që goditi Shqipërinë është edhe një nga vitet më të errta keq-qeverisese që kemi kaluar:
Shpopullimi solli dhimbjen në familjen shqiptare, dëmtimin e saj, por edhe plakjen të menjëhershme të popullsisë”, deklaroi kryetarja e LSI-së.
Kryemadhi: Korrupsioni po lë viktimat e termetit pa shtëpi
Politika jo humane dhe dritëshkurtër e Rilindjes ngriti taksat për shqiptarët dhe bizneset dhe si rezultat me mijëra biznese u mbyllën.
Mbyllja e mijëra bizneseve erdhi edhe si rezultat i korrupsionit të paprecedent të taksidarëve të Rilindjes.
Biznesi vendas por edhe investitorët e huaj janë lënë në dorë të gjobëvënësve dhe klientëve kriminalë të qeverisë. Ndaj Shqipëria ka nivelin më të ulët të investimeve të huaja në rajon, dhe ka rënë poshtë në treguesit e klimës së biznesit.
Kthimi i ekonomisë shqiptare në një lavatriçe e pastrimit të parave të drogës të trafiqeve ka dëmtuar ekonominë në afatgjatë, duke shkatërruar konkurrencen dhe tregun e lirë.
Bilanci i 2019-të na tregon qartazi se kjo është qeveria e dështimeve të mëdha edhe në bujqësi.
Ne sot mbajmë vendin e fundit në rajon për produktivitetin, eksportet dhe për mbeshtetjen e prodhimit bujqësor. Dhe dështimi për të mbështetur bujqësinë është dështim për të mbështetur gjysmën e popullsisë shqiptare që merret me të, e cila, në 80 përqind të saj punon për tu ushqyer vetë, pra, për të mbijetuar.
Por 2019, shënoi një rritje, rritjen e pagesës për koncesionet: shqiptarët paguan 16% më shumë se në 2018,për koncesionet.Kocesionet e sterilizimit ku çdo komplet kushton 60 here me shume se ne Gjermani,Turqi e gjetke.
• Unaza e Re – 40 milion euro grabitja
• Teatri – 200 milion euro
• Dividenti – 140 milion euro iu merren buxhetit te shqiptareve
Ndonëse, ishte viti i fatkeqësisë së shqiptarëve, ndërkohë që sipas shifrave të qeverisë 10225 qytetarë flenë në çadra,mbi 3580 shtëpi dhe godina janë prishur, dhe 3650 qytetarë duhet të dalin nga vendet ku janë strehuar se ju ka mbaruar afati, e vetmja gjë që rritet është pagesa për koncesionet dhe klientët e qeverisë. Edi Rama dhe Rilindja paguajnë vetëm një koncesion 8.5 milion euro për punë të pabërë. Dhe nuk ka as humanizmin, as inteligjencën që me këto 8.5 Milion euro mund të ndërtonte 40.000m2 apartamente për 10000 shqiptarë që jetojnë në çadër.
Kryemadhi: Rrënimi ekonomik i Shqipërisë nga rilindja
Viti 2019 shënoi edhe një rekord tjetër të trishtë: investimin më të ulët në arsim, mbylljen e dhjetra shkollave në të gjithë Shqipërinë disa për mungesë infrastrukture por shumica në zonat rurale për shkak të mungesës së nxënësve. Ne akuzojmë sot këtë mazhorancë se kjo politikë e shkatrimit të vendit është e qëllimshme, sepse në një shoqëri ku investimi në arsim është i vogël, ka vetëm dy rrugë: ose largimi për t’i shpëtuar injorancës dhe padijes ose nëpërmjet injorancës t’i nënshtrohet pushtetit sado i mbrapshtë të jetë ai.
Shëndetësia përfaqëson një dështim tjetër spektakolar te kesaj qeverisje. “Shëndetësia falas”është në fakt alibia e Rilindjes për grabitjen më të madhe të buxhetit të shqiptarëve.Nga shëndetësia falas ajo është tashmë për këdo është shëndetësia më e shtrenjtë në rajon, dhe detyrimin publik per t’i sherbyer shëndetit të njerëzve, kjo mazhorancë e ka hedhur tek privat i cili realizon me pagesë mbi 70 përqind të volumit të shërbimeve që duhet të ofroheshin nga sistemi publik.
Pra fjalët janë të tepërta për të përshkruar mungesën e përgjegjësisë,ndjeshmërisë dhe humanizmit,të kësaj qeverie e cila ka vetëm një qëllim: grabitjen dhe zhvatjen.
Më 8 tetor të vitit 2019 shqiptarët morën edhe një goditje tjetër në ëndrën e tyre Evropiane.Jo-ja nga Bashkimi Evropian, ishte një shuplakë tjetër në fytyrën arrogante të kësaj qeverisje.
Një gjë është e qartë, realiteti virtual i gënjeshtërt që Rama mendon se konsumojnë çdo ditë shqiptarët, nuk mund të funksionojë edhe me partneret Evropiane.
Ata nuk mund të gënjehen më kur shikojnë se si Shqipëria, faktor historik për paqen e stabilitetin në rajon, po kthehet në një provokator i këtij stabiliteti nga aventurat, akrobacitë apo amatorizmi i kryeministrit në politikën e jashtme, ashtu siç e paralajmëroi Bundestagu gjerman me 9 kushtet e tij.
Tashmë ka dale edhe boja e fasadës së lyer nga Rama se në Shqipëri ka një normalitet politik. Këtë e dinë mirë dhe e shprehin edhe partneret tanë. Mungesa e dialogut politik,mungesa dhe vonesa në ngritjen e institucioneve të drejtësisë, dhe zbatimin e reformën në drejtësi, nuk ka më dyshim që ishin përpjekje e Ramës dhe alibi e tij për kapjen e sistemit të drejtësisë. Me një qellim, ruajtjen e vetes dhe bandës së tij nga ndëshkimi për grabitjen dhe skandalet në kurriz të shqiptarëve.
Tashmë fasades i ka dale boja. Evropa nuk i tha JO shqiptarëve, por autokratit Edi Rama. 9 kushtet që Bundestagu i vuri Shqipërisë janë shumë të qarta.
LSI dhe opozita e bashkuar ka patur gjithnjë gatishmërinë për të realizuar të gjitha kushtet që kanë të bëjnë me hapjen e negociatave.Por, si gjithmonë, ka vetëm një person që nuk e do hapjen e negociatave; dhe ky është Edi Rama, i cili nuk do që të ketë më shumë BE në Shqipëri, se kështu merr fund uzurpimi i pushtetit dhe vjedhja qe i bën shqiptarëve.
Boja i ka dalë edhe fasadës së premtimeve te tij tek ndërkombëtarët për reformë elektorale, të cilën po bën çmos për ta zvarritur për ta shtyrë, sepse e di se pa reformë, nuk mund të ketë zgjedhje, dhe zgjedhjet janë tmerri i tij.
Minishengeni, Kryemadhi: Edi Rama tradhëtoi Kosovën dhe interesat e saj
Boja i ka dalë edhe karagjozllëkut dhe vulgaritetit të Edi Ramës, qe e shiste si modernizëm. Ne e mirebesuam deh me pas e nënvlerësuam si përpjekje të tij për të mbuluar padijen apo gabimet. Në fakt ajo ishte fasada e një plani të detajuar dhe të mirorganizuar,së bashku e i lidhur me një grusht njerëzish të fuqishëm dhe që rrënjët e tyre shtrihen në lobet antishqiptare.
Sjellja e tij ndaj Kosovës, eshte qartesisht antishqiptare: nuk mund të quhet ndryshe një politikë paternaliste ndaj Kosovës kur ky shtet i ri po forcon reputacionin e tij ndërkombëtar nuk mund te quhet ndryshe promovimi i shkembimit te territoreve midis Kosoves dhe Serbise qe copeton jo vetem Kosoven por I ve zjarrin gjithe rajonit apo fishekzjarret e tij demakogjike për Shqipërinë e Madhe, kur Kosova është në kulmin e përpjekjeve të saj për antarësim në organizata rajonale e ndërkombëtare si dhe për njohje të reja; nuk mund të quhet veçse antishqiptare një politikë presioni ndaj Kosovës për çeshtje të rëndësishme të marrëdhënies së saj me Serbinë, si ajo e taksës; nuk mund të quhet ndryshe angazhimi në nisma rajonale, jo-transparente, pa qëllime e objektiva të qarta, si e ashtuquajtura Mini-shengen, duke perjashtuar dhe tradhetuar Kosovën jashtë, e duke fyer publikisht udhëheqësit e zgjedhur të Kosovës.
Po ndodh në kohën e Edi Ramës, që është zyrtarisht edhe ministër i jashtë i Shqipërisë, që disa vende po tërheqin njohjet për Kosovën. Ndërkohë, që miku më i ngushtë në rajon i tij është Aleksandër Vuçiç, që është arkitekt i revanshit kundër Kosovës.
Çfarë duhet të bëjë më shumë një njeri kundër Shqipërisë dhe shqiptarëve qëta ndeshkoje historia?!
Kryemadhi: Ka shpresë, populli përballë qeverisë dhe oligarkisë
Vëllezer e motra,
Shqipëria ndodhet në një moment kritik të zhvillimit e progresit të saj. Humbja e besimit, ndalimi i emigrimit masiv, blerja e pushtetit me para të pista, uzurpimi i ekonomisë në pak duar oligarkesh, janë çështje madhore me të cilat ne kemi forcën dhe guximin që të përballemi.
Kjo përballje nuk është më çeshtje e politikës, e partive apo drejtuesve të tyre. Kjo është një çështje jetike kombëtare. Prandaj, ky është momenti kur çdokush duhet t’i bëjë pyetjen vetes së çfarë duhet të bëjë, si mund ta kthejë vendin në shinat e demokracisë dhe shtetit të së drejtës, si mund t’u kthejë shqiptarëve besimin se ky vend bëhet, se shqiptarët meritojnë të jenë qytetarë të Evropës ashtu si gjermanët, francezet, italianet, grekët apo kombet e tjerë të BE.
Po a ka shpresë? Po a ka zgjidhje?
Po ka një shpresë të madhe dhe një zgjidhje të qartë.
Shqipëria ka vetëm një rrugë, Integrimin në BE dhe aleanca e saj strategjike, e palëkundur me SHBA.
Serioziteti dhe luajaliteti i bashkëpunimit janë dy elemente thelbësore që rrisin dinjitetin e bashkëpunimit të Shqipërisë me partnerët tanë dhe që sigurojnë koherencën e një politike të jashtme në të mirë të shqiptarëve dhe të rajonit. Ne jemi sot një popull I vogël I një vendi të vogël dhe të varfër nën qeverisjen e një grupi kriminal e antishqiptar, Por jemi një komb I madh I një vendi të pasur që gjithmonë e ka gjetur forcën për tu ngritur nga vuajtja, varfëria, dhe diktatura.
Hapja e partise, Kryemadhi: Thirrje te rinjve per t‘u bashkuar me ne, gjitheperfshirja vizion i LSI
Sot unë dua të shpalos fushatën e dyerve te hapura të LSI në të gjithë Shqipërinë, por jo vetëm, edhe në Europë, edhe në SHBA, Australi dhe kudo.
Kam besuar gjithmonë se politika më e mirë, mesazhi më i mirë për sot dhe për nesër është Një Shans për të Gjithë! Të gjithë e kujtojnë që kjo ishte dhe kredoja jonë në fushatën e vitit 2017. Sfida një shans për të gjithë vazhdon dhe një Shans për të gjithë në LSI do të thotë që gjithkush mund të kontribuojë, gjithëkush mund të kandidojë, gjithëkush mund të shprehë lirisht idetë e reja, gjithëkush mund të garojë dhe të fitojë.
Dhe për këtë, dyert e LSI janë të hapura.
Dyert e LSI janë të hapura, për të gjithë ato vajza dhe djem të shkolluar kudo që janë dhe që duan të kontribuojnë për të ringritur sistemin demokratik, atë sistem vlerash dhe meritokracie që shqiptarët në 1991 aspiruan. Për atë sistem ku të gjithë të jenë të barabartë dhe shteti t‘u shërbejë qytetarëve të tij njëlloj pavarësisht se kujt partie, familje, feje, apo rrace i përkasin.
Në emër të LSI, në emër të Shqiperise, në emër të dekadës së re, ne ofrojmë sot 15 vitet e punës dhe përkushtimit të themeluesve të LSI, të gjithë atyre që janë këtu apo jashtë kësaj salle, investimin e pesë brezave të të rinjve të LRI që janë shpirti, energjia dhe e ardhmja e familjes sonë politike.
Nën dritën e dekadës së re, ne e ofrojmë këtë investim për këdo që ka dëshirën, vullnetin dhe aftësinë, për t’u përfshirë në listat e partisë, për të garuar dhe për t’u bërë pjesë me angazhimin dhe kontributin e tyre nga kandidatë për deputetë, kryetarë bashkie, për këshilltarë, anëtarë në komisionet politike pranë LSI, të forumeve drejtuese apo të konkurrojnë për drejtues të degëve në të gjithë Shqipërinë.
Në emër të dekadës së re Ju ftojmë ju pedagogë të rinj, plot energji dhe dije, të angazhoheni që asnje të mos ju kërcënojë më me vendin e punës. Ejani dhe së bashku të ndreqim gabimet e mëdha që janë bërë në arsim. T’i japim shpresë rinisë studentore dhe bashkë ta ndryshojmë këtë realitet të hidhur, ku sot studenti trajtohet si klient dhe jo si e ardhmja e një kombi.
Ejani ju mjekë të rinj, së bashku me humanizmin dhe përkushtimin tuaj, të ndryshojmë sistemin e antivlerave të ngritur sot nga të paaftët dhe arrogantët, të cilët fatkeqësisht drejtojnë mjekësinë shqiptare. Ta bëjmë së bashku shëndetësinë, ashtu siç duhet të jetë në fakt, një shërbim jetik dhe cilësor ndaj qytetarëve dhe vlerësim për mundin dhe djersën tuaj dhe jo një makineri fitimi nëpërmjet PPP-ve korruptive të oborrtarëve të Qeverisë.
Ejani ju ekonomistë të rinj së bashku me idetë novatore dhe dëshirën tuaj për reformim, të ndryshojmë këtë sistem të kalbur dhe korruptiv, për t’i dhënë frymëmarrjen e munguar ekonomisë shqiptare.
Të çlirojmë tregun, energjitë prodhuese dhe investuese të zëna sot prej fyti nga klientela e qeveritarëve, tenderat e paracaktuar, mungesa e garës dhe nga një sistem tatimor që e sheh biznesin e ndershëm, sidomos atë të vogël dhe të mesëm, si një armik të pushtetit të oligarkëve.
Ejani ju agronomë dhe veterinerë, së bashku me sakrificat dhe dashurinë tuaj për tokën dhe prodhimet shqiptare, të ringremë bujqësinë. Të hartojmë strategjinë dhe një program konkret dhe të qartë për subvencionimin e fermerëve, Të ndalim hemorragjinë e frikshme të braktisjes së tokës, serave, vreshtave dhe kullotave. Fermerët dhe blegtorët nuk janë thjesht prodhues, por ata janë shtylla kurrizore e një kombi. T’i shpëtojmë fermerët dhe prodhimet e tyre, nga konkurrenca e padrejtë e produkteve të importit, që vjen për shkak të politikave antikomëtare të Qevrisë së Rilindjes.
Ejani ju juristë të rinj të kontribuoni me përgatitjen dhe ndërshmërinë tuaj, për të bërë dhe implementuar një reformë të vërtetë dhe të pakapur në drejtësi, që vetëm transfuzioni i gjakut tuaj të ri mund ta shërojë dhe shpëtojë atë.
LSI-ja ka qenë dhe do mbetet një familje e madhe ku të gjithë mund të rriten, mund të afirmohen, mund të kontribuojnë.
Nga ky vizion politik i gjithëpërfshirjes që ka sjellë LSI që prej themelimit të saj, sot ne kemi pjesë në organet drejtuese dhe përfaqësuese të partisë, profesorë të nderuar, si Nora Malaj, Shezai Rrokaj, Edmond Panariti, Eltjon Halimi, Adela Shera, Luigj Turmalaj dhe shumë të tjerë. Sot LSI ka në gjirin e saj intelektualë të rinj, të cilët janë të shkolluar në universitetet më të mira perëndimore si Klajda Gjosha, Erisa Xhixho, Roni Telegrafi, Redi Lleshi apo të rinjtë me vullnet, energji dhe dije si Kejdi, Endriti, Floida, Klevi, Eriona, sepse LSI ka dhe një sfidë të saj, atë të aktivizimit të energjisë së rinisë shqiptare në shërbim të dekadës së ndryshimit dhe shpresës!
Ndërkohë po krijohet edhe rrjeti i miqve të LSI në SHBA, në Britani dhe BE, sepse shumë djem e vajza shqiptare janë shkolluar dhe punojnë jashtë dhe duan të jenë kontributorë aktiv të dekadës së shpresës dhe ndryshimit.
Shërimi i Shqipërisë nga sëmundja e Rilindjes kërkon vizion. Kërkon aftësi. Kërkon profesionalizëm. Kërkon ndershmëri. E kush më mirë sesa ne të gjithë së bashku, që kemi vendosur Shqipërinë të parën, mund ta realizojë këtë.
Për të ringritur Shqiperine, për të lartësuar Kombin, për të forcuar familjen shqiptare, ne duhet të çrrenjosim pushtetin e të paaftëve, mediokërve, arrogantëve, sharlatanëve dhe tradhëtarëve. Ne duhet të ringrëmë shtetin e specialistëve të zotë, profesionistëve të aftë që udhëhiqen nga dija, që besojnë vetëm tek ligji, dhe besnikërinë ndaj atdheut e kanë të shenjtë. Dhe ne së bashku mundemi ta realizojmë këtë aspiratë kombëtare.
Shqipëria po lëngon padrejtësisht nga sëmundja e Rilindjes, ndaj shërimi i saj nuk pret.
Duhet të ndodh Tani!