Kreu i opozitës, Basha deklaroi dje në ditën e 74 të protestës se ai nuk do të pranojë asnjë pazar me kauzën e protestës që kërkon të zëvendësojë të ashtuquajturin stabilitet me rënien e votës së lirë. Basha paralajmëroi se nuk do të ketë asnjë tërheqje nga protesta deri në garantimin e zgjedhjeve të lira dhe pa krim.
“Kush nuk e kupton këtë betejë, kush nuk e kupton këtë mision, duhet të hapë sytë dhe veshët mirë. Kush më kërkon mua, shqiptar apo i huaj, pazar me Edi Ramën, për hir të stabilitetit pa demokraci, duhet ta kuptojë se ajo që ka lindur më 18 shkurt është më e madhe se Partia Demokratike, është më e madhe se opozita, patjetër, është më e madhe se Lulzim Basha, më e madhe se Shqipëria dhe shqiptarët”, tha Basha.
Basha u shpreh se protesta e PD nuk synon kapjen e lokmave të pushtetit dhe ndarjen e koncesioneve të pista mbi kurrizin e shqiptarëve, por garantimin e një Parlamenti dhe qeverie legjitime. “Nuk ka e nuk do të ketë asnjë tërheqje në kauzën dhe betejën tonë për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Nuk ka dhe nuk do të ketë kthim në kohën e republikës së vjetër, ku populli është vetëm alibia e demokracisë fasadë, Parlamentit fasadë dhe qeverisë fasadë.
O do të kthejmë qeverinë e vërtetë, Parlamentin e vërtetë, që i përgjigjet qytetarëve ose do të vazhdojmë betejën deri në fitore.
Sepse, ne e dimë se çfarë do të ndodhë po të bëhemi pjesë e këtij pazari të qelbur.
Ne e dimë se do të vazhdojnë të ndajnë koncesionet dhe tenderat, se do të vazhdojnë të qeverisin me kriminelët. Edhe tani, që ndoshta për shkak të presionit popullor, nuk i kanë vënë në lista, kanë vënë fëmijët e tyre, kanë vënë në afërmit e tyre, sepse kupola politike e republikës së vjetër, e ka të pamundur ekzistencën pa kriminelët.
Ne e dimë se, varfëria do të thellohet, ju e dini se papunësia do të rritet, ju e dini që shumë shqiptarë do të humbin shpresën dhe do të largohen nga vendi i tyre. Prandaj nuk e dorëzojmë dot këtë betejë.
Prandaj nuk e dorëzojmë dot këtë betejë, prandaj do ta vazhdojmë këtë betejë, prandaj do ta fitojmë këtë betejë me çdo kusht e me çdo çmim. Kush mendon se ky është një presion i thjeshtë politik, që PD-ja të marrë ca koncesione, e të futet në lojën e republikës së vjetër, e ka thellësisht gabim”, tha Basha.
Lëvizja popullore e udhëhequr nga opozita kërkon një demokraci, e cila të mos jetë me dy standarde, por një demokraci me standarde europiane. Shqiptarët pas gjysmë shekulli diktaturë nuk mund të rikthehen pas në kohën e demokracisë fasadë.
“Miqtë e mi, hapni sytë, hapni veshët. Diçka e madhe po ndodh në Shqipëri, që u përgjan kapitujve më të ndritur të historive të popujve tuaj që sot gëzojnë demokracinë e vërtetë, me qeverisjen përgjegjëse përpara qytetarëve dhe jo arrogante para qytetarëve. Me shtetin e vërtetë të së drejtës, me llogaridhënien demokratike.
Pas 27 vitesh shqiptarët kanë vendosur se pluralizmi fasadë, se demokracia fasadë, nuk mjaftojnë. Ky është momenti kur shqiptarët kërkojnë dhe do të marrin demokraci të standardit europian. Demokracinë e vërtetë pjesëmarrëse, jo thjesht përfaqësuese, ku çdo qytetar do të ketë mundësinë të jetë pjesë e vendimmarrjes.
Ku çdo qytetar të ketë të drejtën të kërkojë dhe të marrë llogari nga qeveritarët e tij. Sot, në këtë shesh, bilanci i qeverisjes së vjetër, vërteton katërcipërisht se si kur shkëputesh nga populli dhe interesat e popullit, jo thjesht ke bërë një gabim, por je kthyer në rrezik total për popullin dhe interesat e tij.
Shikoni ç’ndodhi me pushtetin lokal, shikoni si falimentoi skema politike, shikoni si janë braktisur qytetarët, ku nuk kanë mundësi të zgjedhin kryetarët e tyre, prej një harte të gatuar në Tiranë, për interesat e Edi Ramës, Ilir Metës dhe Shpëtim Idrizit, por jo për interesat e qytetarëve shqiptarë”, tha Basha.
Miliardat e krimit në lojë, populli bashkohet në Kavajë
Për Bashën është e qartë se krimi ka gjithçka për të humbur ndaj dhe beteja do të vazhdojë deri në fitoren e plotë të popullit mbi krimin. Kavaja do të jetë fillimi i një bashkimi të madh popullor për të rrëzuar nga pushteti aleancën e baronëve të krimit.
“Kjo lëvizje përbën një kërcënim real dhe ekzistencial për kupolën e vjetër kriminale të republikës së vjetër.
Sepse vëllezër dhe motra, duhet ta kuptoni. E vetmja forcë që mund t’i ndalë, jeni ju! E vetmja forcë që mund ta ndalë realitetin e republikës së vjetër, këtë komplot politik, ekonomik, jemi ne, janë shqiptarët e bashkuar.
Ndaj, kanë bërë gjithçka këto 74 ditë për të na shkurajuar, për të na trembur, për të na ndalur, për të na përçarë, për të na shitur e për të na blerë, por kanë dështuar dhe do të dështrojnë, me turp.
Sot jemi më shumë. Sot jemi më të fortë. Sot jemi më të qartë. Sot jemi më të vendosur. Sot jemi më të bashkuar. E diela, është një ditë e madhe për lëvizjen tonë. E diela është një ditë e madhe për republikën e re. Ku do të jemi të dielën? – (Protestuesit): Në Kavajë! Ku do të jemi të dielën? – (Protestuesit): Në Kavajë! Ku? – (Protestuesit): Në Kavajë!”.
Koalicioni i drogës i vetëm më 18 qershor
Janë ndarë në 17 parti, por janë një dhe vetëm një koalicion. Është i njëjti koalicion i qelbësirave si ai i vitit 2013, por vetëm me disa parti më pak dhe me një strategji të ndryshuar. Koalicioni i drogës dhe krimit kërkon të paraqesë një pamje të rreme sikur mes tyre ka edhe opozitë, ndërkohë që janë vetëm ushtarë të bindur të skemës së pushtetit të krimit.
“Kjo lëvizje popullore, ky bashkim i madh qytetar ka një qëllim madhor, të zëvendësojë kupolën politike që ekziston vetëm për interesat dhe pasurinë e vet me një qeveri të kontrolluar nga qytetarët shqiptarë.
Ky është qëllimi i këtij bashkimi të madh popullor. Mos harroni, në republikën e vjetër gjithçka ekziston vetëm për pushtetin dhe pasurinë e një grushti njerëzish.
Partitë nuk janë parti, por banda të vogla që kanë nënshtruar vullnete njerëzish për t’i shërbyer njëshave të tyre. Gjithçka bëhet për pasurinë dhe pushtetin e një grushti njerëzish.
Republika e vjetër dhe kasta që qëndron pas saj, kanë miliarda euro në këtë lojë, kanë miliardat e buxhetit të shtetit, kanë naftën dhe mineralet e Shqipërisë, kanë bregdetin e Shqipërisë, kanë lejet e ndërtimit, kanë paratë e drogës dhe nëse kjo republikë e vjetër shembet dhe një e re lind nga vullneti qytetar për mirëqenien qytetare, kupola kriminale e republikës së vjetër humbet gjithçka. Ata e dinë këtë, ndaj po përpiqen me çdo kusht ta mbrojnë republikën e vjetër”, tha Basha.
Kreu i opozitës tha se skema politike që mendon se mund të bëjë zgjedhje pa opozitën është thjesht një shfaqje e monizmit në vitin 2017.
“Ta mbrojnë duke komprometuar kauzën qytetare, duke i ofruar pazare të pista politike opozitës, për të komprometuar kauzën qytetare në mënyrë që edhe opozita të bëhet pjesë e pazarit të peshkut që është qelbur nga koka të marrë pjesën e vet, aq sa i takon, nga një copë bishti këtu, nga një brinjë aty dhe të harrojë kauzën qytetare për të cilën jemi ngritur në këmbë tash 74 ditë.
Rruga tjetër është rruga e kërcënimit se 27 vite pas shpalljes së pluralizmit, këta do të na shkojnë në zgjedhje me një subjekt zgjedhor, me koalicionin e turpit, drogës, krimit dhe hajdutërisë të zgjedhjeve të 2015-ës.
Është i njëjti koalicion, 17 parti të të njëjtit koalicion, mungojnë disa që s’e kapën dot trenin, s’e kapën dot kazanin e korrupsionit, se u mbyll dera, ata mungojnë, ata i kanë lënë jashtë të kruajnë ndonjë gotë, të hanë ndonjë kothere, të tjerët janë në një koalicion, një subjekt zgjedhor që janë ndarë gjoja në 17 copa për t’i marrë mendjen qytetarëve shqiptarë, gjoja për të treguar se ka pluralizëm. Pluralizëm nuk ka, është monizëm, është një koalicion, një subjekt zgjedhor, i cili dëshiron të shkojë në votime, por jo në zgjedhje dhe që do ta ketë totalisht të pamundur t’i hedhë hi syve shqiptarëve dhe faktorit ndërkombëtar”, tha Basha.
Pazari i Ramës për Metën me rrëshqitjen e dherave
Kreu i opozitës ka zbardhur aferën më të pistë dhe të ndyrë të Ramës dhe Metës me kauzën e zgjedhjeve të lira dhe në kurriz të miliona eurove që do t’u grabiten shqiptarëve. Meta uli kokën vetëm pasi Rama i pranoi ofertën e kërkuar për 35 milionë për rrëshitjen e dherave në 4 kilometra rrugë të autostradës Tiranë-Elbasan.
“35 milionë dollarë për rrëshqitjen e rrugës së Elbasanit është çmimi që pagoi Edi Rama për t’i mbyllur gojën Ilir Metës, që zotohej që s’do të kishte zgjedhje pa opozitën. 35 milionë dollarë të shqiptarëve për ta ulur në karrigen e Presidentit dhe për t’i mbyllur gojën.
Ky është pazari. Kjo është republika e vjetër. Ky është komploti ekonomik që i lë banorët e Shushicës pa ujë, kur derrat e pushtetit pijnë verën më të shtrenjtë në vend duke bërë pazare në kurriz të demokracisë.
Po normal, normal, kjo është republika e vjetër, ulen dy veta pijnë verë të shtrenjtë dhe nga kjo na del presidenti i Republikës. Por kjo nuk është republika e qytetarëve shqiptarë. Kjo nuk është republika e të djathtëve. Nuk është republika e të majtëve. Kjo nuk është republika e gegëve, toskëve apo Shqipërisë Qendrore. Kjo është republika e vjetër e krimit, korrupsionit, drogës dhe derrave oligarkë që majmen me paratë e popullit shqiptar”, tha Basha.
Kryetari i opozitës deklaroi se gjithçka do të arrihet jo lehtë, pasi republika e vjetër do të bëjë gjithçka për të humbur miliardat nga krimi, droga, korrupsioni dhe koncesionet.
“Kjo republikë e vjetër shikoni se ç’ka në lojë, shikoni se sa miliona luajnë dhe që pjesa tjetër, është teatër kukullash.
Gjithë pjesa tjetër është teatër kukullash, si e si të vazhdojë Edi Rama në pushtet me çdo kusht, si e si Ilir Meta të vazhdojë të ruajë privilegjet me çdo kusht. Kjo është loja, të tjerat janë të gjitha teatër kukullash për t’i marrë mendjen popullit, për të gënjyer partnerët tanë ndërkombëtarë se, këtu me të vërtetë ka demokraci, ka lëvizje, ka dinamikë.
E gjitha është një gënjeshtër e madhe, që luhet mbi shpatullat, xhepat dhe tavolinat e shqiptarëve që janë sot më të varfër se katër vite më parë, më të papunë se katër vite më parë dhe më të pashpresë se katër vite më parë”, tha Basha.
Jo më deputetë me lista
Propozimi i ri që ka ardhur nga Basha është ai i ndryshimit të kodit elektoral. Jo më një kod elektoral si ai i vitit 2008 me deputetë listash, por me figura që përballen direkt përmes një sistemi mazhoritar. Kjo sipas Bashës do të bëjë që deputetët të jenë më afër qytetarëve dhe të jenë përgjegjës për atë që ndodh në zonat e tyre duke u larguar nga modeli i deritanishëm ku kryetari i partisë vendos se cilët do të jenë në krye të listës.
“E vërteta, e cila ka lindur nga kjo protestë qytetare, sot është shpërndarë e po shpërndahet anembanë Shqipërisë, anembanë botës së qytetëruar. E vërteta është se ne nuk jemi këtu për të luftuar për karriget tona, nuk jemi këtu për të ndarë privilegjet e pushtetit dhe thelat e republikës së vjetër.
E vërteta është se ne jemi këtu me një mision të madh kombëtar, popullor, qytetar dhe demokratik. Ne kërkojmë vetëm një gjë, ne kërkojmë të drejtën e çdo qytetari dhe çdo qytetareje për të vendosur me votë të lirë, i pakërcënuar, i pablerë, i pashitur.
Ne kërkojmë të lidhim përgjithmonë fatet e politikës dhe politikanëve, me fatin e qytetarëve shqiptarë. Kjo është republika e re, e cila në projektin e saj kryesor, ka transferimin e pushtetit nga partitë tek qytetari.
Sot, partitë vendosin kush ju përfaqëson. Prandaj, ata nuk ju përfaqësojnë sepse besnikëria e deputetit nuk është ndaj qytetarëve, por ndaj kryetarit të partisë.
Ky është një gabim i përbashkët, ku Partia Demokratike, ka përgjegjësinë e saj për ndryshimet kushtetuese të vitit 2008. Në republikën e re, ku nuk ka nevojë për 140 deputetë, nga të cilët 120 nuk u dëgjohet zëri asnjë ditë, për katër vjet. Në republikën e re, ku do të mjaftonin 100 deputetë, çdo deputet do të jetë në zonën e vet elektorale, tek qytetarët dhe qytetaret për t’u përgjigjur vetëm para atyre.
Harroje zonën, harroni qytetarët dhe shikoni kur të vijnë zgjedhjet se ç’punojnë qytetarët me votë, nuk ka kryetar partie të të shpëtojë”, tha Basha.
Kryetari i opozitës u shpreh se ky do të jetë mekanizmi që do të sigurojë demokracinë direkte mes deputetit dhe zgjedhësve.
“Ky është mekanizmi që do të rikthejë lidhjen e vetme që siguron demokracinë. Deputeti do ta ketë të lidhur fatin me qytetarët dhe vetëm me qytetarët. Kështu, do të shmangim këtë skenar të zymtë, ku kemi një Parlament fasadë.
Ai vetëm Parlament nuk është. Është noter i kryeministrit.
Demokracia funksionon në bazë të disa parimeve dhe normave themelore. Njëra prej të cilave është kontrolli dhe balanca e pushteteve. Qeveria kontrollohet nga Parlamenti. Në Shqipëri Parlamenti zotërohet, sundohet dhe pushtohet nga qeveria.
Sepse, fatet e parlamentarëve, janë në dorën e kryeministrit, nuk janë në dorën e qytetarëve, prandaj përpara se të mendojnë për qytetarët, ata mendojnë se si të gëzojnë kryeministrin.
Gëzohet kryeministri, gëzohet deputeti, mërzitet kryeministri, mërzitet deputeti.
Pi verë kryeministri, pi verë deputeti. Populli është jashtë këtij ekuacioni. Kjo është republika e vjetër që do të vdesë e do të varroset një orë e më parë”, tha Basha.
Basha-gazetarëve: Do ju çlirojmë nga vargonjtë e krimit
Basha denoncoi dje hakmarrjen e ushtruar nga pushteti ndaj dy gazetarëve që u pushuan nga puna e tyre vetëm se postuan një status në rrjetet sociale kundër qeverisë. Mediat e kapura janë vënë tërësisht në funksion të interesave të qeverisë tek krimi dhe droga dhe hakmerren ndaj çdo zëri të lirë që i denoncon ato.
“Ky, sigurisht, është një lajm i keq në radhë të parë për vetë punonjësit e medias, për gazetarët që vazhdojnë pushohen nga puna për mendimin e tyre, siç ndodhi në Shkodër para dy ditësh, me Simon Shkrelin dhe të shoqen e tij, që i hoqën nga puna oligarkët e Ilir Metës sepse patën guximin të shprehin mendimin e tyre në Facebook-un e tyre privat. Siç ka ndodhur tash 3 vjet e gjysmë me dhjetëra gazetarë, të shkarkuar me urdhër të Edi Ramës, vetëm e vetëm sepse nuk pranonin të mbyllnin gojën.
Ndaj, duke e konstatuar si bashkautore dhe bashkëfajtore të republikës së vjetër median e kapur nga kupola kriminale e republikës së vjetër, dua t’u jap sot një premtim gazetarëve dhe punonjësve të medias.
Republika e re do t’iu çlirojë totalisht nga vargonjtë e krimit, korrupsionit dhe padrejtësisë që iu shtyp në punën tuaj të përditshme.
Në republikën e re, pozicioni dhe statusi i gazetarit, operatorit dhe çdo punonjësi të medias, do të jetë po aq i shenjtë sa statusi i gjyqtarit dhe prokurorit dhe i deputetit. Dhe kushdo, që guxon t’u cenojë për interesat e pronarit apo interesat e politikanëve, do të përballet me saksionet më të rënda penale”, tha Basha.
Kur censurohen dhe kur pushohen nga puna gazetarët që kanë një status të caktuar në shoqëri është e kuptueshme se çfarë mund të ndodhë me zërin e qytetarëve.
“Këtu dëgjohet zëri i të vërtetës përmes gojës dhe zërit të qytetarëve të thjeshtë të këtij vendi. Pashë pak më parë, që një media ia doli të tejkalojë urdhrat e pronarit dhe të japë të paktën një nga folësit, zonjën e nderuar që foli nga shpirti, që përfaqëson qytetarët dhe qytetaret e thjeshtë të zakonshëm të këtij vendi.
Ndërkohë që 74 ditë, zëri i qytetarëve nuk del në ekranet e medias së kapur nga qeveria. Nuk shkojnë të marrin zërin dhe hallin e popullit aty ku ndodh dhe kur populli vjen këtu në mes të Tiranës dhe flet i pacensuruar, mediat e kapura, korporatat mediatike, arma më e fuqishme e kupolës politike të republikës së vjetër, sërish u heq zërin.
Kjo, sepse korporatat mediatike nuk kanë as axhendën qytetare, as interesin e qytetarëve, por kanë axhendën e tyre politike që në fakt është axhenda ekonomike e pronarëve, oligarkëve të bërë njësh me kupolën kriminale të republikës së vjetër.
Kjo është arsyeja se përse ekranet dhe gazetat e kapura nga qeveria vazhdojnë t’i shërbejnë me vetëmohim qeverisë së krimit, drogës dhe korrupsionit. Sepse, ato e kanë lidhur fatin e tyre me zhagen e Edi Ramës, Ilir Metës me shokë dhe jo me fatin e qytetarëve shqiptarë”, tha Basha.
Katër vite që nuk e mbaruan rrugën Tiranë-Elbasan
Rruga Tiranë-Elbasan, e cila përfundoi thuajse tërësisht katër vite më parë me inaugurimin e tunelit të saj, ende sot nuk është e mbaruar. Pazaret korruptive dhe urrejtja ndaj rrugës e kanë lënë atë në gjendje të mjerueshme. Basha tha se projekti do të duhet të kishte përfunduar prej kohësh.
“Elbasani ka zbarkuar me hijeshinë, fisnikërinë, qytetarinë dhe mençurinë e tij në agorën e lirisë. E vërtetë është, kam një pikë të dobët për Elbasanin. Mjaftoi një kohë e shkurtër e shërbimit tim politik, si i ngarkuari me fushatën politike në Elbasan, ta kuptoja sa e madhe dhe bujare është zemra e Elbasanit, e elbasanllinjve, e qytetit, e fshatarëve, sa i madh është rreziku që, edhe për një kohë fare të shkurtër, të ndihesh elbasanlli e të jesh elbasanlli mes elbasanllinjve.
Ka qenë dhe është jo vetëm zemra gjeografike, por edhe zemra qytetare e Shqipërisë.
Ndaj, kam pasur nderin dhe privilegjin e veçantë ta përfaqësoj për dy vite në Parlamentin shqiptar. Kam pasur nderin të punoj me të rinjtë dhe të rejat, me gratë dhe burrat e Elbasanit, për një numër projektesh madhore, për një ëndërr të përbashkët, që ishte tuneli i Kërrabës dhe autostrada Tiranë-Elbasan.
Ia dolëm, nuk ishte e lehtë, por ia dolëm. Por për fat të keq, ndërprerja e mandatit të Partisë Demokratike, siç është normale, rrotacioni politik, solli edhe ndërprerjen e këtij projekti madhor, jo thjesht për Tiranën dhe Elbasanin, por për gjithë Shqipërinë, madje për gjithë rajonin.
Katër vite dhe nuk e mbaruan rrugën që e gjetën pothuajse gati. Pse, thoni vallë?! Zotnia tha kemi katër muaj pa ujë.
Pse nuk pini verë? S’keni verë? Po kanë këta verë. Këta të dy, pinë verë javë për javë. Një shishe verë bën sa 5 fatura uji në muaj. Aq sa pijnë këta, ndërtohet një ujësjellës nga fillimi.
Pse s’pini verë ju?! S’keni ujë, pini verë? Ah, s’keni verë? Po këta ku e gjejnë verën? Po paret ku i gjejnë? Ku i gjejnë paret këta për verën?”, tha Basha.
Inceneratorët kancerozë për të vrarë qytetarët
Rama dhe Meta bëjnë sikur zihen me deklarata publike kur në fakt bashkojnë votat për të gjitha koncesionet deri edhe tek ato që vrasin njerëz si në rastin e inceneratorit të Elbasanit. Basha e ka denoncuar këtë si teatër kukullash.
“Shikoni se ku e marrin guximin, në Elbasan, që ka vuajtur historikisht helmet e metalurgjikut, duan të ndërtojnë inceneratorët, djegësit, jo vetëm për plehrat e Elbasanit, por për plehrat e botës, që duan t’i sjellin dhe t’i djegin në Shqipëri dhe kanë filluar t’i sjellin në mënyrë të paligjshme për të helmuar shqiptarët dhe fëmijët e tyre, për të mbushur xhepat e tyre.
Republika e vjetër e trajton Shqipërinë dhe shqiptarët si një kopsht zoologjik.
Ata vetë përfitojnë miliarda, ata vetë i çojnë fëmijët e tyre jashtë shtetit dhe Shqipëria për ta, nuk është gjë tjetër, veçse kazani i plehrave, i llumit, nga i cili nxjerrin përfitime të majme me të cilat qëndrojnë në pushtet dhe për të cilat qëndrojnë në pushtet.
Asgjë nuk është e rastësishme.
Gjithçka është një lojë, një fasadë, një teatër kukullash për të mbuluar një pazar me miliarda euro, që blejnë vota. Miliarda euro që e bëjnë ligjin të paqenë.
Shikoni si vepruan me ligjin elektoral. Listat janë të pavlefshme, s’duan t’ia dinë. Këta që kapen për një cigare hashash dhe çuan drejt vetëvrasjes djalin 19-vjeçar nga Lushnja.
Ligjin elektoral e thyejnë dhe nuk thonë asnjë fjalë, përkundrazi krenohen me thyerjen e ligjit elektoral.
Këta ekzistojnë vetëm për pasurinë dhe pushtetin e tyre. Me këto miliarda blejnë mediat, me zhaget e tyre dhe me lobistët e tyre, mundohen të asgjësojnë të vërtetën përpara miqve të kryeqyteteve perëndimore, të vërtetën e një populli të tërë, jo thjesht të vërtetën time apo të Partisë Demokratike, por të vërtetën e shtëpive tuaja, të xhepave tuaja, të tavolinave tuaja, të fëmijëve tuaj, të prindërve tuaj, të shëndetit tuaj, të arsimit tuaj, për të treguar një fabul që nuk ekziston”, tha Basha.
Parlamenti me 100 deputetë dhe ligj mazhoritar
Bashkëbisedim me qytetarë dhe përfaqësues të Elbasanit për problemet e mëdha të këtij qyteti të zhytur në mjerim, ndërkohë që oligarkët përfitojnë duke helmuar qytetin me djegien e mbetjeve.
Paraditen e 74-të në sheshin e lirisë kryedemokrati Lulzim Basha bisedoi me qytetarë të Elbasanit për shqetësimet e tyre. Të rinj, prindër dhe gjyshër elbasanllinj treguan problemet dhe folën për një të nesërme më të mirë.
Edona Kaçaniku, studente nga Elbasani, tregoi problemin kryesor të rinisë në Elbasan sot, shkollimin. Studentja e vitit të dytë për drejtësi, foli në emër të gjithë gjimnazistëve në Elbasan, të cilëve qeveria i mohoi mundësinë e shkollimit. Formula klienteliste e ligjit të arsimit të lartë la jashtë dyerve të universiteteve publike edhe studentë me nota mbi mesatare. Këta të rinj, tha vajza, sot marrin rrugën e emigracionit për të gjetur atë çka shteti i tyre i mohoi.
Edhe kur shkollimi dhe trajnimi nuk mungojnë, qeveria sërish ka axhendën e saj. Ergys Muzhaqi është baba i pesë fëmijëve nga Elbasani, oficer policie i diplomuar në Turqi dhe me studim pasuniversitar në Cambridge. Më 2013-ën e gjeti veten të papunë. Ai tregoi se si miqtë e tij, të lidhur ngushtë me Partinë Socialiste, e konsiderojnë rastin e lirimit të tij nga puna si të padrejtë dhe të pashoq.
Besimi, nga Shushica e Elbasanit denoncoi mungesën e ujit të pijshëm prej katër muajsh në fshatin e tij. Askush nuk interesohet, tha babai i dy fëmijëve, i cili ka tre vjet që nuk sheh vajzën dhe dy nipat e tij, të larguar në emigrim.
Prindërit sot detyrohen të bëjnë nga dy punë, të paguhen nën shumën minimale të detyruar me ligj nga shteti, vetëm për të mundësuar shkollimin e fëmijëve të tyre. I tillë ishte rasti i nënës së katër fëmijëve, e cila tregoi se pranoi të punonte në Gramsh vetëm për 90 mijë lekë të vjetra në muaj, edhe kur vetëm rruga vajtje-ardhje për në punë, i kushtonte 14 mijë lekë të vjetra. Pasi mori kredi në bankë për të futur vajzën në Akademinë e Arteve të Bukura, ajo e gjeti veten të pushuar nga puna, pa para për të paguar arsimimin e fëmijëve të saj.
Ndërkohë qeveria vetëm pak ditë më parë deklaroi rritjen me dekret të rrogës minimale nga 22 mijë në 24 mijë lekë të reja, shifra të papërputhshme me realitetin që qytetarët tregojnë.
Albana Myrelini, anëtare e këshillit bashkiak Elbasan foli në emër të komunitetit rom. Mungesa e vëmendjes dhe investimeve ndaj këtij komuniteti, i cili ka nevojë për strehim dhe punësim, e bën të pamundur zhvillimin e tyre dhe integrimin në shoqëri.
Kasem Gurakuqi, sot i papunë, tregoi se si kur u kthye në vitin 2012 nga emigrimi, mbolli 5 dynymë tokë me ullinj në Dumre, ku vetëm me një kartë identiteti qeveria e kohës i dha subvencion. “Sot në Elbasan askush nuk përfiton nga subvencionet”, tha Kasem Gurakuqi duke theksuar se vetëm në Elbasan janë mbjellë 1 milion e 200 mijë rrënjë ulliri.
Blendi Himci, pedagog në Universitetin “Aleksandër Xhuvani”, zgjodhi t’i japë zë shqetësimit mbi inceneratorin e inauguruar nga kryeministri Rama pak ditë më parë. Ishte një aferë e pastër korruptive Rama-Ahmetaj-Sejdini, tha Himci. Ai i kujtoi qytetarët se më 2014-ën, pas VKM-së që miratoi ndërtimin e impiantit të djegies së mbetjeve në Elbasan, qeverisë i mjaftuan vetëm 24 orë për të bërë shpalljen, marrjen e mendimit nga banorët, përpilimin dhe lidhjen e kontratës me një firmë me zero eksperiencë në përpunimin e mbetjeve. Firma fituese në momentin e lidhjes së kontratës nuk kishte leje mjedisore, të cilën e mori dy muaj më vonë, pas marrëveshjes me shtetin shqiptar.
Lulzim Basha i tha elbasanllinjve dhe gjithë qytetarëve që kanë ngritur zërin për padrejtësi nga sheshi i lirisë se pavarësisht mundit të republikës së vjetër për të mbytur zërat e qytetarëve të thjeshtë, e vërteta thuhet çdo ditë nga tenda e kauzës për zgjedhje të lira.
“Kjo sepse korporatat mediatike nuk kanë as axhendën qytetare, as interesin e qytetarëve, por kanë axhendën e tyre politike që në fakt është axhenda ekonomike e pronarëve, oligarkëve të bërë njësh me kupolën kriminale të republikës së vjetër. Kam pasur nderin dhe privilegjin e veçantë ta përfaqësoj Elbasanin për dy vite në Parlamentin shqiptar. Por për fat të keq, rotacioni politik solli edhe ndërprerjen e projektit madhor të tunelit të Kërrabës dhe autostradës, jo thjesht për Tiranën dhe Elbasanin, por për gjithë Shqipërinë, madje për gjithë rajonin. Katër vite dhe nuk e mbaruan rrugën që e gjetën pothuajse gati”.
Lulzim Basha tregoi se sa ka kushtuar pazari politik i republikës së vjetër për zgjedhjen e Presidentit.
“35 milionë dollarë për rrëshqitjen e rrugës së Elbasanit. Ky është çmimi që pagoi Edi Rama për t’i mbyllur gojën Ilir Metës. 35 milionë dollarë të shqiptarëve për ta ulur në karrigen e Presidentit dhe për t’i mbyllur gojën. Ky është pazari. Kjo është republika e vjetër”.
Zoti Basha argumentoi se janë pikërisht këto pazare të republikës së vjetër, ato të cilat lejojnë shqiptarët të jetojnë pa ujë të pijshëm për katër muaj dhe nuk lejojnë rritjen dhe zhvillimin ekonomik të shqiptarëve.
“Kjo nuk është republika e qytetarëve shqiptarë. Kjo nuk është republika e të djathtëve. Nuk është republika e të majtëve. Kjo nuk është republika e gegëve, toskëve apo Shqipërisë Qendrore. Kjo është republika e vjetër e krimit, korrupsionit, drogës dhe derrave oligarkë që majmen me paratë e popullit shqiptar”.
Lulzim Basha, duke marrë përsipër pjesën e përgjegjësisë që i takon Partisë Demokratike për ndryshimet kushtetuese të vitit 2008 i tha qytetarëve se në republikën e re, do të bëhet transferimi i pushtetit nga partitë tek qytetarët.
“Sot partitë vendosin kush ju përfaqësojnë. Prandaj ata nuk ju përfaqësojnë sepse besnikëria e deputetit nuk është ndaj qytetarëve, por ndaj kryetarit të partisë. Në republikën e re, ku nuk ka nevojë për 140 deputetë, nga të cilët 120 nuk u dëgjohet zëri asnjë ditë”.
Në republikën e re, ku do të mjaftonin 100 deputetë, tha Basha, ku çdo deputet do të jetë në zonën e vet elektorale, tek qytetarët dhe qytetaret për t’u përgjigjur vetëm para atyre.
“Pazar me Edi Ramën për hir të stabilitetit pa demokraci nuk ka. Nuk ka e nuk do të ketë asnjë tërheqje në kauzën dhe betejën tonë për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Nuk ka dhe nuk do të ketë kthim në kohën e republikës së vjetër, ku populli është vetëm alibia e demokracisë fasadë, Parlamentit fasadë dhe qeverisë fasadë”, deklaroi Lulzim Basha.