“Asnjë qindarkë qeverisë”! Refreni qytetar që ngriti në këmbë kryeministrin hajdut!

Nga Red VARAKU

Ky tërmet do të mbetet gjatë në kujtesë si një nga tërmetet më shkatërrues që ka goditur ndonjëherë Shqipërinë, sepse ka shkaktuar një nga katastrofat më të mëdha humanitare në vendin tonë. Ndërkohë që sipas autoriteteteve në terren, dëmet mund të jenë disafish më shumë. Pamjet që shikojmë të shfaqen në ekran janë të frikshme dhe tejet demoralizuese.

Por, ky tërmet nuk do të mbahet mend vetëm për shkatërrimin e rëndë apo për paaftësinë totale të qeverisë për ta përballuar këtë situatë. Ai do të mbahet mend gjatë edhe si një ndër shfaqjet më të rralla të solidaritetit tonë kombëtar. Një solidaritet, që mund të krahasohet për nga mobilizimi shoqëror vetëm me solidaritetin gjatë luftës së Kosovës.

Të gjitha trojet ku ka shqiptarë janë shndërruar në qendra të mëdha humanitare, dhe në çdo lagje janë ngritur pika ku mblidhen ndihma për të goditurit nga kjo karatastrofë. Ndërkohë , rrjetet sociale janë kthyer në mjetin kryesor të mobilizimit qytetar, një rrjet që e ka nxjerrë shtetin pothuajse jashtë loje.

Por, një zhvillim jashtëzakonisht domethënës për këtë situatë është mosbesimi shumë i madh i shoqërisë tek kjo qeveri dhe refuzimi i prerë i tyre për të bashkëpunuar me qeverinë. Një fenomen që u vu re menjëherë pas tërmetit. Kjo për shkak të ballafaqimit me çoroditjen totale të strukturave shtetërore dhe mungesën e plotë të përgjegjshmërisë nga qeveria. Ky zhvillim dëshmoi, që qytetarët shqiptarë janë vetë shumë herë më përpara se sa vetë qeveria që i përfaqëson.

Thirrja njëzëri e shoqërisë dhe aktivistëve, që ndihmat të mos përfundojnë në duart e qeverisë, për shkak se kjo e fundit mund t’i vjedhë ato, ndodh për herë të parë në mjedisin tonë shoqëror dhe është pasgoditja më e fortë e tërmetit politik, që e detyroi kryeministrin të niste turin e gjezdisjes me dhjetëra kamera dhe fotografë me vete si dhe të derdhte lot para kamerave.

Kaq mosbesues janë qytetarët ndaj kësaj qeverie, sa vetë kryeministri është detyruar që t’i kërkojë qytetarëve, që t’ia dorëzojnë ndihmat e tyre agjensive shtetërore, madje ka shumë raste që nuk i ka lejuar këta qytetarë të shpërndajnë ndihma. Kjo për faktin e thjeshtë se ky organizim spontan zemrash, ky model njerëzor po e nxjerr fort në pah shëmtinë e kësaj qeverie.

Është pikërisht ky zhvillim, që e ka nxjerrë jashtë vetes kryeministrin, i cili me ç’duket nuk mund ta tolerojë një solidaritet të tillë, që në fakt e rinxjerr cullak atë dhe është tejet poshtërues për qeverinë.

Nervozizmi i holluar me lotë mallëngjimi, kërcënimi ndaj mediave , ironia ndaj vullnetarëve dhe sforcimi për protagonizëm në këtë situatë, në thelb nuk ka lidhje me interesin e kryeministrit për hallet e qytetarëve, sepse ai vetë ka lënë rrugëve mijëra familje, gra, pleq dhe fëmijë mbase edhe më shumë se sa kjo fatkeqësi.

Ajo është një përpjekje shëmtuar për të zhurmuar dhe mbytur këtë klithmë ulëritëse mosbesimi të shoqërisë, e cila ditët në vijim rrezikon të kthehet në një refren kundër qeverisë.

Refuzimi i qytetarëve për të bashkëpunuar me shtetin e tij KÇK, është një poshtërim therës dhe një zhvillim i jashtëzakonshëm për shoqërinë Shqiptare. Gjithësesi, çdo përpjekje e tij për ta asgjësuar këtë refren vetëm se e ka bërë atë të jehojë më shumë, sepse qytetarët tashmë e kanë të qartë fytyrën e saj të vërtetë.

Exit mobile version