Marrëdhëniet e regjimeve totalitare me intelektualin, janë bërë shpesh objekt diskutimesh në rrethet e studiuesve. Duket si kur ky raport përvijohet në dy kahe të kundërta, ku intelektuali duhet të zgjedhë midis të qenit “njeri i oborrit” ose, “disident”, pa pasur rrugë të mesme. Por në diktaturat komuniste ekziston koncepti i “artit të të mbijetuarit”, i cili nuk është gjë tjetër veçse një kombinim i nënshtrimit të kalkuluar, kritikës së vetë-kontrolluar, mbajtjes taktike të një profili të ulur dhe përdorimit me inteligjencë e pa zhurmë, të mundësive që mund të të krijohen. Në këtë mënyrë, pranimi i kontratës sociale të regjimit komunist, jo gjithmonë e bën intelektualin “njeri të oborrit”.
Duke nisur nga fillim-viti 1950, kohë kur Sekretariati i Komitetit Qendror të PPSH-së dhe personalisht vetë Enver Hoxha mori plotësisht në dorë Institutin e Shkencave, lidhja formale e organeve të Partisë edhe me institucionin e vetëm shkencor në Shqipëri, përbënte shqetësim për udhëheqjen. Për Enver Hoxhën, ngritja e Institutit të Shkencave, ishte padyshim një sukses, por Partia nuk kishte krijuar një pikëpamje të drejtë për punën aty, “duke e konfonduar atë, me kuadrin e vjetër që është atje”!
“Instituti, – vijonte ai, – “nuk është parë me sy të mirë, puna e tij është nënvlerësuar…, duke qenë atje kuadro të vjetra, është humbur besimi në punën e Institutit, ngaqë ata janë më të shumtë dhe pse ka vetëm dy tre anëtarë partie, atje”. Në këtë kuadër, Enver Hoxha e konsideronte të rëndësishme, marrjen e dy masave: së pari, “duhet të kemi kujdes se Instituti, nuk është atje për të vënë kuadrot e vjetra, por ata që janë atje, ne duhet të përpiqemi dhe t’i bëjmë që të punojnë”; së dyti “duhet të kujdesohemi që të përgatisim kuadro të tjera”, për të cilët duhej të përdorej edhe përvoja e eksperienca e “kuadrove të vjetër”.
Që prej asaj mbledhjeje, puna në Institutin e Shkencave do të vendosej në lupën e Partisë, madje personalisht Hoxha, do të merrte në dorë raportet dhe planet e punës aty. Sakaq, ai u shpreh: “Se ne na duhet të dimë mirë, se cilat janë kuadrot që punojnë mirë atje dhe kjo, jo vetëm me emrat dhe biografitë e tyre, por edhe me kapacitetin e tyre”! Si shembull, u mor prej tij vetë Eqrem Çabej: “Ne e dimë … se çfarë elementi është Eqrem Çabeu, por duhet të përpiqemi, që ta bëjmë të punojë. Këto kuadro, Komiteti Qendror duhet t’i marrë dhe t’i studiojë mirë dhe këtë do të mund ta bëjë, po të dijë mirë, se çfarë bëhet atje”.
Tashmë, periodikisht thuajse çdo dy vjet, kur në organet udhëheqëse do të diskutohej puna e Institutit të Shkencave, Enver Hoxha do të përmendte emrin e studiuesit Çabej. Ai do të ishte kështu, përfaqësues i asaj kategorie të elitës së vjetër, të paparti, që “nuk bënte përpjekje për të përqafuar ideologjinë marksiste-leniniste”, puna e të cilit në kushtet e mungesës së studiuesve të rinj të përgatitur në Bashkimin Sovjetik dhe vendet e Demokracive Popullore, do të konsiderohej e rëndësishme për Partinë dhe regjimin komunist.
Që prej sjelljes tejet të ashpër të shtetit me një pjesë të elitës së vjetër, eliminuar midis viteve 1946-1951, dhe spastrimit të administratës nga “elementët armiq”, në mbështetje të vendimit të Sekretariatit të K.Q., të PPSH-së, të 14 shkurtit 1951, vihet re një zbutje e marrëdhënies së partisë / shtetit, me “intelektualët e vjetër”, të konsideruar “armiq”.
Shqetësim për udhëheqjen komuniste përbënte fakti “i shkëputjes së urave” me ta. Për sa kohë veprimtaria intelektuale e kësaj kategorie konsiderohej e rëndësishme, puna e Partisë “me intelektualët armiq”, duhej të merrte vlerë. Lënia pas dore konsiderohej si “lëshim në vijë”, ndërkohë që theksi vihej te fakti se; “armiku nga ana e tij, punon”. Në këtë frymë kërkohej që intelektualët, anëtarë partie, të kishin më durim dhe të luftonin sektarizmin ndaj elitës së vjetër, madje të mos nënvleftësonin kapacitetet e tyre. Elita e re nuk duhej të trembej nga marrëdhënia me të vjetrit, sepse ata ishin “të armatosur me marksizëm-leninizmin dhe me shkencën e kulturën e përparuar sovjetike”, e si të tillë; “janë në mënyrë më absolute superiorë nga intelektualët e shkollës së vjetër dhe me ideologji të huaj”.
Kjo qasje e re, në dukje më e zbutur, në punën e Partisë me “intelektualët e vjetër”, u përforcua edhe nga Enver Hoxha: “Të kenë nji frymë shoqërore që t’i ndihmojmë për të shkuar përpara…! Por kjo nuk arrihet në mënyrë policeske, me dhunë, me përplasje grushtesh në bango, me kufizim me mbytje të diskutimeve, me metoda imponimi e të tjera të kësaj natyre. Kjo do të thotë: ja ky është intelektuali me të metat e tija dhe me të mirat e tija, xhvishe nga të metat, ndihmoje për këtë dhe bjere në rrugë”.
Gjithë sa më sipër, u reflektua edhe në qëndrimin ndaj Eqrem Çabejt. Në mbledhjen e Byrosë Politike të K.Q., të PPSH-së, të datës 25 janar 1952, që shqyrtoi punën e Institutit të Shkencave, u shmang diskutimi për “kuadrot e vjetër”. Madje, pyetjes së Mehmet Shehut: “Çabeu e të tjerë duhet të mbeten atje”? Enver Hoxha nuk i dha përgjigje, duke nënkuptuar që ndaj tyre, nuk kishte ashpërsim qëndrimi. Në këtë aspekt, Hoxha kishte anashkaluar edhe raportin e Misto Treskës, përgjegjës i seksionit të kulturës dhe arteve në Drejtorinë e Agit-Propit në K.Q., të PPSH-së, në të cilin Çabej konsiderohej njeri që as politikisht as ideologjikisht, nuk ishte me komunistët dhe ç’ishte më keq, as që mund të edukohej e të korrigjohej.
Qëndrimi karshi tij do të ndryshonte në vitin 1954, kohë kur numri i “kuadrove të rinj” të përgatitur në BS dhe vendet e tjera të Lindjes ishte rritur, duke zvogëluar raportin e kësaj kategorie me atë të “kuadrove të vjetër” në Institutin e Shkencave. Situata e re do të vihej në dukje nga vetë Enver Hoxha, në mbledhjen e Byrosë Politike të K.Q., të PPSH-së, më 24 shkurt 1954. Sipas tij: “Ne kemi me qindra kuadro të mësuara me teori e me shkencë të lartë të pararojës”. Tashmë kishte ardhur momenti. që t’i jepej fund praktikës së deriatëhershme, kur “nuk kishim kuadro të larta, kur ata ishin të pakta, numëroheshin me gisht, pra ahere kjo punë për ne, ishte e vështirë”.
Qëndrimi i Enver Hoxhës në lidhje me intelektualët e vjetër, të konsideruar armiq, do të ishte i ashpër: “T’i japim fund një herë e mirë, me ata elementë të vjetër që nuk kanë asnjë lidhje me shkencën tonë të re dhe me pushtetin tonë, por që bile janë edhe armiq dhe gjoja mbahen atje, pse janë të mësuar dhe të ditur. Dituria e njerëzve si Sejfulla Malëshova, Eqrem Çabej, etj., …nuk na vlen për në Institut, i cili ka qëllime të mëdha. Ne duhet t’i japim kompetentë institutit, që ata njerëz të mos i mbajë më, se mjaft i kemi mbajtur dhe në ato duar ne nuk mund të japim sekretet shkencore tonat. Prandaj duhet t’i pastrojmë ata njerëz… Instituti i Shkencave… nuk mund të mbajë në gjirin e vet, njerëz që qëndrojnë atje sepse janë gjoja pleq, të pjekur ose të ditur, kur në një kohë, ata janë armiq të pushtetit tonë popullor, të shkencës së re dhe të socializmit…”!
Por marrëdhënia e Partisë me studiuesin Çabej, do të marrë një tjetër qasje, duke nisur nga viti 1955. Në mbledhjen e Byrosë Politike, më 3 mars 1955, kur u diskutua përbërja e re e Institutit të Shkencave, në ndryshim nga një vit më parë, entuziazmi i Enver Hoxhës, për rritjen e numrit të studiuesve të Institutit të Shkencave, kishte rënë. “Nuk mund të japim 40 veta”, – konstatonte ai, ashtu sikurse ishin nevojat atje. Por mbledhja rezervoi një surprize, në lidhje me qëndrimin karshi Eqrem Çabejt, emri i të cilit, ishte propozuar nga Instituti i Shkencave, që të hiqej nga përbërja e tij.
Për të mos hedhur poshtë atë që vetë Enver Hoxha kishte thënë për Çabejn një vit më parë, fjalën në lidhje me të, e mori një tjetër pjesëtar i familjes, Nexhmije Hoxha, drejtore e sektorit të agjitacionit e propagandës në K.Q., të PPSH-së. Ajo u shpreh: “Për Eqerem Çabejin, po të nisemi nga ana politike, mund të hiqet, por unë them se ai nuk duhet të hiqet, duke marrë parasysh se ai sot [shkencërisht] punon për neve, prandaj kjo të shikohet”. Fjala e saj do të vuloste gjithçka dhe Çabej do të vijonte të punonte në Institutin e Shkencave.
Puna studimore ishte kështu aspekti i katërt që kushtëzoi marrëdhëniet e shtetit me studiuesin Çabej. Nisur nga veçoritë e “punonjësit të mendjes”, qasja e shtetit me të mban parasysh: fushën e kërkimit dhe cilësinë e punës shkencore, aspekt ky që në analizë të fundit, ndikoi pozitivisht në marrëdhënien e shtetit me studiuesin Çabej; metodologjinë e punës, që në rastin e Çabejt, rezultoi sfiduese në marrëdhënien e tij me shtetin. Pavarësisht përpjekjeve për imponimin e ideologjisë marksiste në punën e tij studimore, Çabej vijoi të shkruante, duke u mbështetur në “ideologjinë borgjeze” dhe “shkollën idealiste gjermane”. Ky aspekt i dytë, në analizë të fundit, ndonëse ndikonte negativisht në marrëdhënien e shtetit me studiuesin, në rastin e Çabejt, u tolerua për shkak të punës së tij të domosdoshme dhe cilësore.
Në promemorien “Mbi krijimin e një fakulteti universitar katërvjeçar për studimin e gjuhës dhe të letërsisë shqipe në Tiranë”, hartuar nga një grup studiuesish dhe paraqitur, më 17 gusht 1947, qeverisë shqiptare nga Dhimitër Shuteriqi, mungesa e specialistëve në fushën e shkencave shoqërore ishte kryefjalë. Fakti se studimet gjuhësore brenda vendit kishin qenë mjaft të kufizuara, se në to ishin angazhuar pak persona, që më së shumti ishin ata që kishin pasur fatin të qëndronin afër ndonjë albanologu, evidentoheshin si arsyet e një situate të tillë. Eqrem Çabej ishte një prej tyre, që në promemorie konsiderohej “kuadroja më i afirmuar nga pikëpamja shkencore gjuhësore”.62 I barasvlershëm me të qëndronte Kostaq Cipo, e pas tyre vinte Aleksandër Xhuvani, i vlerësuar për kulturën e gjerë shkencore dhe gjuhësore.
Sakaq, ministri i Arsimit, Sejfulla Malëshova, kishte vendosur piketat e punës në Institutin e Studimeve/ Shkencave. Fjalori i Gjuhës Shqipe, Historia e Literaturës dhe Gramatika e Gjuhës Shqipe ishin fushat në të cilat do të përqendrohej puna në sektorin e gjuhësisë dhe letërsisë.63 Tri ekipe studiuesish nisën nga puna, pjesë e të cilëve ishte edhe Eqrem Çabej. Fillimisht, ai punoi me Cipon dhe Xhuvanin për Ortografinë dhe Fjalorin e Gjuhës Shqipe, punë që në vazhdimësi u vlerësua si shkencore e kujdesshme dhe e kualifikuar dhe që prej 1950-ës u angazhua në Historinë e Letërsisë Shqipe. Puna për këtë të fundit e vendosi në marrëdhënie të drejtpërdrejtë me drejtuesin e projektit, Dhimitër Shuteriqin, i anëtarësuar herët në parti, në atë kohë kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve.
Puna për hartimin e Historisë së Letërsisë Shqipe u fillua në shkurt të vitit 1950, por ajo nuk eci me ritmet e parashikuara.65 Për këtë, Dh. Shuteriqi bëri me faj Institutin e Shkencave, që i kishte dhënë përparësi përgatitjes së Atlasit Gjuhësor të Shqipes, duke anashkaluar punën e transkriptimit të veprave të shkrimtarëve të vjetër, si Buzuku e Budi, e konsideruar si e domosdoshme për Historinë e Letërsisë Shqipe. Në letrën që Shuteriqi dhe Mark Ndoja i dërguan kryetarit të Institutit të Shkencave, Manol Konomi, bënin me dije se Eqrem Çabej ishte “i vetmi njeri ndër ne që është interesuar gjer më sot për “Atlasin e Shqipes”…”, që ngurronte të merrte përsipër të punonte me autorët e vjetër të letërsisë shqipe. Puna për hartimin e Atlasit konsiderohej nga dyshja Shuteriqi-Ndoja si “utopike” dhe ngurrimi “për studimin e auktorëve të vjetër shqiptarë e të letërsisë arbëreshe, është i dëmshëm jo vetëm sepse pengon për hartimin e Historisë së Letërsisë Shqipe, por së shpejti do të influenconte edhe për çështje të tjera me rëndësi…”. Me ton urdhërues, Shuteriqi-Ndoja kërkonin që Çabej, Cipo e Xhuvani, “shkencëtarët më me eksperiencë për punë të gjuhës”, të merreshin menjëherë me “studimin e transkriptimin e autorëve më me rëndësi, e pa u lejuar që tjetërkush të bëjë studimin e tjetërkush transkriptimin”.66
Prej këtej e ka zanafillën puna e Çabejt për transliterimin dhe transkribimin e Mesharit të Gjon Buzukut, libri më i vjetër në gjuhën shqipe i zbuluar deri më sot. Puna me Mesharin, e konsideruar nga specialistët e fushës “si punë murgu”, filloi në verë të vitit 1950 dhe përfundoi në vitin 1958. Ajo rezultoi e gjatë, tejet e vështirë, por cilësore dhe skrupuloze. Në vitin 1955, kur Nexhmije Hoxha foli për punën e Çabejt, profesori ishte duke punuar pikërisht me Mesharin e Buzukut. Në këtë mënyrë, Meshari jo vetëm evidentoi domosdoshmërinë e punës së Çabejt, por në njëfarë mënyre u bë edhe shpëtimtari i tij.68
Ndërkohë, puna e profesorit të rezervuar e fjalëpakë i ishte bërë prezent Udhëheqjes edhe nga raportet e bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit. Spikasin këtu raportet e bashkëpunëtorit me pseudonimin “Edija”, në të cilat Çabej për- shkruhej si studiuesi “që punon me leksin [leksikun] e teksteve të vjetra të gjuhës shqipe, të cilët i njeh mirë, punën e të cilit seksioni i gjuhësisë e shfrytëzon mirë; njeri që punon shumë…, që njeh gjithë anën teorike të shqipes, çfarë është thënë mbi të nga linguistët e mëdhenj”, i vetmi studiues i çmuar nga Aleksandër Xhuvani, “që nuk e nxjerr kurrë punën nga dora kur s’ka përfunduar si duhet”.69 Përshkrime të tilla, pa anashkaluar këtu qëndrimin e Udhëheqjes karshi Çabejt, do ta detyronin kapitenin Nuri Çakërri që në maj 1955, në dosjen formulare të Çabejt, të vendoste shënimin: “Vlera e Çabejt në pikëpamje të Historisë Linguistikës është e madhe. Sot që neve na mungojnë të tillë kuadro, unë jam dakord… që duke vlerësuar punën e tija, pa u kursyer … të punohet për heqjen e botëkuptimit reaksionar … kur është rasti për ndonjë delegacion shkencor në Demokracitë Popullore … ta dërgojmë gjithnjë me qëllim afirmimi”.
Përfundime
Periudha 10-vjeçare (1944-1954) rezulton të jetë më e vështira për studiuesin Eqrem Çabej, si në aspektin njerëzor dhe profesional. Ai rezistoi këto vite duke përdorur me mjeshtëri punën si “artin e të mbijetuarit”, pa qenë as intelektuali “njeri i oborrit” as intelektuali “disident”. Shteti komunist ndoqi ndaj tij politikën e dorës së hekurt, duke e survejuar, duke e mbyllur në vetvete dhe duke e ndrydhur thuajse në çdo aspekt të veprimtarisë së tij. Duke nisur prej 1955-ës, marrëdhënia e shtetit me të, gradualisht, filloi e mori trajtat e politikës së dorashkës së kadifenjtë, që nuk ishte gjë tjetër veçse një formë shumë e hollë dhune dhe manipulimi, me synim nënshtrimin përmes shtrëngimit dhe përkëdheljes njëkohësisht.
Në rastin konkret, “përkëdhelja” fillon e bëhet e dukshme që prej vitit 1957, kur Eqrem Çabej u vlerësua me Urdhrin e Punës të Klasit II-të, për të vijuar me disa çmime të para të Republikës dhe dhënien e titullit “Mësues i Popullit”. Sakaq, prej vitit 1961 Çabej do të ishte pjesë e diskursit publik të Enver Hoxhës, duke u konsideruar si “mik i vjetër” dhe “profesor me rezultate të shkëlqyera”. Në vijim, nga gushti i 1963-shit, me ulje e ngritje të herëpashershme, ai u bë pjesë e delegacioneve të studiuesve shqiptarë jashtë Shqipërisë. Regjimi kishte nisur kështu të projektonte përdorimin e punës së pashoq të profesorit të gjuhës, si pasqyrë të tij në arenën ndërkombëtare.
Ndërkohë, larg syve të publikut zhvillohej ana tjetër e dorës së hekurt të totalitarizmit shqiptar. Ajo mban emrin Dosja Formulare, numër 2383, që ekzistoi si e tillë deri pesë muaj pas ndarjes nga jeta të profesor Çabejt. Në brendinë e 205 fletëve të saj zbulon “tjetrin” e Çabejt studiues, atë të Çabejt “armik i pushtetit popullor”, që nuk e përqafoi marksizëm- leninizmin, me një vëlla të vrarë nga komunistët dhe kunatin eksponent të Ballit Kombëtar, arratisur në Amerikë. Këto dy aspekte të fundit, pjesë e historisë së tij familjare në vitet e Luftës së Dytë Botërore, gjatë gjithë jetës ishin kambanat e alarmit, çekanët mbi kokë, për ta frikësuar dhe për ta bindur njëkohësisht, duke dashur t’i kujtonin se për regjimin ai ishte “i dashuri armik”. Memorie.al/Nga Dr. Ledia Dushku