Frrok ÇUPI
Sigurisht, këta nuk do të jenë “derra”, siç i transformoi njerëzit Circja në udhëtimin e Odiseut në Greqinë e Lashtë. Por këta nuk do të jenë këta që janë sot, në 18 Qershor- ditë që është dekretuar për zgjedhje parlamentare.
Mund të mos jetë edhe vetë 18 qershori bash dita kur do të votohet për Parlamentin dhe qeverinë tjetër; por përsëri e njëjta gjë është: Këta nuk do të jenë këta.
Edhe pse sot thonë se “do të fitojmë “më shumë se 71”, pse thonë “po fituat 71”, pse thonë “nuk fitoni as 60”, pse thonë “prisni vitin 2024″… Janë shumë të guximshëm kur arrijnë të thonë e të mendojnë kështu; të guximshëm ose si “derrat” e Cirsjes (Por edhe ata ndryshuan formë, jo arsyen njerëzore).
Circja e kësaj epoke është vetë Era që frynë në gjithë rruzullin, sidomos në këto pjesë europianiste të botës… Po t’i marrësh një nga një këta që “guxojnë”, çfarë do të jetë secili.
1.
Kryeministri, përfaqësues i të majtëve ish- komunistë, mund të mos ketë nevojë të presë humbjen në zgjedhje. Ky ka një çështje të hapur penale në Shtetet e Bashkuara, dhe rreth ditëve kur mendohen për zgjedhje, mediat mund ta kenë vëmendjen te burgosja e kryeministrit. Ky ka thyer egër ligjin federal në Amerikë duke sponsorizuar politikën me para të paligjshme, në rrugë të paligjshme dhe në “martesë” fake. Sulmi i paparë në historinë (as njerëzore, as alias Circja- derra), nuk është parë që një kryeministër i një vendi të marrë torbën me “baltën e Dritëroit” dhe të lëçisë sulme kundër kandidatit presidencial të Amerikës- televizor më televizor nëpër botë, deri në CNN… Kur studiojmë këtë fenomen, pse nuk paskemi të drejtë të besojmë Circjen dhe derrat e “Odisesë”? Kryeministri ynë e kishte ndjerë në lëkurë, ose e kishte cytur Soros, që të bëjë atë që bëri sepse ndryshe do të kthehej në krijesën e magjistares (nuk po them derr se këta e marrin për keq sa kohë që nuk njohin Homerin). Por deri atë ditë zor se do të ketë Soros; ose do të jetë, por i shndërruar në “derr” me emrin: “rrezik për Amerikën”. Si mund të mos monitorojë Amerika një rrezik që vjen edhe nga Shqipëria me një ekip sorosian!?
2.
Këta që janë sot në maxhorancë, do të kthehen në “derra” opozitarë; padyshim. Procesi ka filluar. Një deputet “hyjni” si Heliosi i Fierit, ka marrë rrugët “me shkop e me strajcë” për të shembur fronin e atij që e kishte vënë në fron. Kokëdhima është betuar se do të rrëzojë Ramën. Por deri atë ditë as Kokëdhima nuk do të jetë ky që është. Rilindja ka krijuar një dosje të trashë ndaj tij; por edhe disa të vrasës majtistë të burgosur do të dalin nga burgu e do të lëshohen fushës ku mbillen “lulëkuqe”.
As opozita e tanishme nuk do të jetë opozitë e vetme deri atë ditë. Kryetari i Kuvendit, Meta, po rrëmon nën këmbët e opozitës; ky “gjallë a vdekur” do t’i afrohet tempullit të Trump në Shtetet e Bashkuara. Edhe sikur Trump të mos e pranojë, ky nuk do të thotë se “nuk më pranoi”, por do të kthehet me medaljonin e Trump në xhaketë. Shkurt, edhe pse opozita e djathtë, natyrshëm është më afër Republikanëve të Trump, këtë vend po lufton që ta zërë Meta. Deri ditën e zgjedhjeve ai do të qëndrojë në avion mbi Atlantik; por në zgjedhje do të vijë si i dërguari i “Zeusit”. E djathta “Republikaniste dhe Trumpiste” po fle.
3.
Me datën 18 qershor mund të ndodhë si me shtëpinë që u gjend në vendin ku kalojnë hekurudhat. Derisa u bë hekurudha, kasollja ishte; por kur të vijë treni do të thonë: “ku ishte ajo shtëpia?”. Situatat që po vijnë vrullshëm mund ta fshijnë renditjen që i bëjnë këta vetes për zgjedhjet. Gjithë bota është vënë në lëvizje. Në rajonin tonë do të ravijëzohen akset, aleancat dhe inventarët. Inventarët e vendeve që përbëjnë rrezik- në radhë të parë! Shqipëria është e para në hartën e vendeve “kolumbiane” të drogës. Nën filozofinë e re të Brexit- Trump, vendet prodhuese të drogës krahasohen me vendet ku sundon ISIS. Ju e dini, ISIS është shpallur si objektiv për “t’u fshirë nga dheu”… Edhe monitoruesit e zgjedhjeve mund të mos vijnë nga Europa… Nga cila Europë? Në prill Franca ka president tjetër, të djathtë. Në Gjermani po përparojnë kundërshtarët e kancelares. Në Austri ku “fle” kryesia e OSBE po fryjnë erëra të fuqishme djathtiste; si edhe në Holandë. Britanikët i dhanë sot të drejtë ligjore Brexit-t; dhe me siguri që do ta ndjekin shtete të tjerë. Europa do të jetë duke u “për.. dhe shpër- bë”; e ç’janë këto zgjedhje në Shqipëri?!
4.
Deri më 18 qershor Shtetet e Bashkuara dhe djathtistët e Europës, do të kenë marrë një lajm të kobshëm, si lajmin se “një prind nuk është i denjë” që të mbajë fëmijën e tij. E dini çfarë ndodh në vendet e qytetërimit të përparuar për këtë rast?… Ia heqin prindit të drejtën për të mbajtur fëmijën. Edhe këtu kështu do të ndodhë. Qeveria që kërkon të prindërojë zgjedhjet dhe Parlamentin e ri, nuk është e denjë. Ka mbjellë drogë pa fund dhe ka grumbulluar para; ka stërvitur vrasës dhe po i nxjerr nga burgu që të vrasin ditën e votimeve; ka infektuar atmosferën me mosbesimin kulmor se “këtu nuk mund të bëhen zgjedhje”. Përfaqësuesi i SHBA dhe i OSBE kanë dalë me “torbë” në dorë e po mbledhin fakte që t’i çojnë në “gjykatë” ku do të vendoset që “ky prind” të mos ketë të drejtë për “fëmijën”. Qeveria shqiptare del nga loja për t’u besuar si zhvilluese e zgjedhjeve.
… Këta do të kenë vetëm arsyen njerëzore, sa për të kuptuar se nuk do të jenë këta që janë. Circja nuk ua merr të gjitha.