Ateisti i çmendur Enver Hoxha, diktatori që i shpalli luftë Zotit dhe historia e një paranojaku që donte të shfaroste besimin fetar në Shqipëri

Nga Rigels Seliman

Sot mbushen plot 40 vite që kur vdiq diktatori Enver Hoxha. Por ndërsa trupi i tij prehet prej dekadash nën dhe, hija e tij vijon të endet mbi Shqipëri si një mallkim i pathyeshëm. Nuk është thjesht kujtimi i një diktatori që sundoi me hekur e me zjarr një popull të tërë, por trashëgimia e një paranojaku që luftoi çdo ndjenjë njerëzore: lirinë, mendimin dhe mbi të gjitha, besimin.

Nga të gjitha krimet e panumërta të regjimit të Hoxhës – burgosjet, ekzekutimet, internimet – njëri ndër më të errëtit dhe më mizorët është ai ndaj fesë. Me një egërsi që i kalonte edhe standardet më të zymta të diktaturave totalitare, ai nuk mjaftohej të kontrollonte trupat dhe mendjet e shqiptarëve, por donte të shkatërronte edhe shpirtin e tyre.

Në një urdhër sekret të datës 27 shkurt 1967, që vetëm forma e tij burokratike e mban të fshehur sadopak mizorinë që mbart, Enver Hoxha firmoste zhdukjen e organizuar të fesë në Shqipëri. Jo me debate, jo me edukim, por me urdhra që fshiheshin pas një gjuhë të akullt dhe makabre: “të shembim kishat dhe xhamitë, të ndalojmë shtypjen e librave, të mbyllim shkollat fetare… pa bërë bujë”. Pa bërë bujë, por me një mizori që do të ulërinte ndër vite.

Në atë urdhëresë prej 9 faqesh – një manifest i përbindshëm kundër besimit – Hoxha zbërthen planin e tij për të shuar çdo frymë hyjnore nga shpirti i këtij populli. Për të, edukimi fetar ishte “thembrës së Akilit”. Dhe ashtu veproi: e preu. U mbyllën medresetë, seminaret, kolegjet e jezuitëve, shkollat orthodhokse. U arrestuan dhe u torturuan krerët e komuniteteve fetare. Disa prej tyre u zhdukën pa lënë gjurmë, të tjerë u detyruan të heqin rrobën e shenjtë dhe të heshtin për të mos u tretur në burgjet e diktaturës.

Objektet e kultit u kthyen në magazina, depo, kinema, klube partie. Katedralet u shembën me dinamit. Xhamitë u rrafshuan. Teqetë u bastisën. Besimi u ndalua me ligj dhe kush guxonte të fliste për Perëndinë, shpallej armik i popullit.

Hoxha nuk i mjaftohej as zhbërjes së strukturës së besimit, por tallte dhe poshtëronte vetë ndjesinë e tij. Për myslimanët ai shprehej përçmuese se “nuk kuptojnë asgjë nga kurani”, për orthodhoksët thoshte se “janë të varfër e të paarsyeshëm”, për katolikët i frikësohej faktit se kishin “filozofi” dhe libra. Pra, donte jo vetëm të zhdukte fenë, por të ulte inteligjencën e besimtarëve, duke e përbuzur dhe denigruar çdo shtresë shpirtërore të shoqërisë.

Por historia nuk është heshtje. Në një fshat të jugut, në Finiq, gratë u ngritën kundër bastisësve të Partisë që kishin ardhur të shembnin kishën në vitin e largët 1967. Aty ndodhi një akt rebelimi i pastër, një thirrje e dëshpëruar dhe e guximshme që përshkon vitet si një kujtesë: se Hoxha mund të prishte muret, por jo besimin. Mund të digjte librat, por jo shpirtin. Mund të vriste priftërinj e hoxhallarë, por jo Zotin në zemrën e njerëzve.

Sot, 40 vjet më pas, ne nuk duhet të kujtojmë Hoxhën si një “udhëheqës”, por si atë që ishte vërtet: një shkatërrues i Shqipërisë, një gllabërues i shpirtit të saj. Dhe mëkat do të ishte të heshtnim përpara kësaj të vërtete.

Në një vend që u bë i vetmi në botë që ndaloi me Kushtetutë fenë, nuk mund të ketë pajtim pa pendesë. Nuk mund të ketë përparim pa drejtësi. Dhe nuk mund të ketë drejtësi, pa e thirrur të keqen me emrin e saj: Enver Hoxha ishte një diktator. Një armik i lirisë. Një ndëshkim për shqiptarët.

Megjithatë ne, pas 40 vitesh, kemi ende në dorë të jemi diçka tjetër. Të mos harrojmë. Të mos bëjmë paqe me harresën. Të nderojmë besimin, si pjesë të qenies sonë, si dritë në një tunel që për shumë kohë u duk i pafund! Lavdi Zotit!

Exit mobile version