Atentat autorit që vodhi makinën për vrasjen e kryekomisar Lamajt

Një makinë u hodh në erë dje në ecje e sipër me tritol në Nikël të Krujës. Policia njoftoi fillimisht se, tritoli ishte vendosur në mjetin tip “Touareg” të shtetasit G.B., në Nikël të Krujës, i cili është me precedent penalë. Më pas, rezultoi se tritoli i ishte vendosur makinës së shtetasit Gentian Bejtja, mik i Enver Stafukës, i cili rezulton i zhdukur në rrethana misterioze prej më shumë se një viti.
Gentjan Bejtja mori dëmtime në këmbë dhe ndodhet në Spitalin Ushtarak, ndërsa makina ka shpërthyer në pjesën e parme të saj. I plagosuri u lirua para një viti nga Gjykata, ku akuzohej për vjedhjen e makinës që u përdor për ekzekutimin e komisarit të policisë, Dritan Lamaj. Policia bëri të ditur se, ngjarja ka ndodhur në fshatin Nikël, ku automjetit tip “Touareg” me targa AA 020 BH, në pronësi të 35-vjeçarit G.B., i është vendosur një sasi lënde eksplozive në pjesën e përparme. Në momentin e shpërthimit mjeti ka qenë në lëvizje.
Sipas policisë, sasia e vendosur në Tuahareg ishte e vogël dhe 35-vjeçari nga Larushka ka mundur të hidhet nga makina, duke shpëtuar vetëm me plagë në gjymtyrë. Në njoftimin e saj policia theksoi se, Bejtja është person me preçedentë penalë të mëparshëm në fushën e veprave penale kundër personit dhe pronës. Kjo do të jetë dhe pista për të hetuar.
Emri i Bejtjes doli edhe në seancën gjyqësore ndaj Arben Frrokut. Ai ka qenë i dyshuar në vjedhjen e automjetit, që u përdor në vrasjen e Komisar Dritan Lamaj. Atë kohë Prokuroria akuzoi Bejtajn se ishte prezent një ditë përpara vjedhjes së automjetit në zonën e “Misto Mames” në Tiranë, fakt ky i provuar nga tabulatet telefonike.
Gjykata e Durrësit u dha pafajësinë dy të dyshuarve për vjedhjen e automjetit, i cili u përdor në vrasjen e komisarit, Enver Stafukës dhe Gentjan Bejtjes. Ndërkohë Enver Stafuka rezulton i zhdukur prej më shumë se 1 viti. Ai u rrëmbye nga persona të veshur si efektivë policie.

Kush është Gentian Bejtja

Gentian Bejtja, është 35-vjeçari që mbeti i plagosur, pasi në automjetin e tij ishte vendosur lëndë eksplozivi. Automjeti i tij, tip “Tuareg” ka shpërthyer në lëvizje mëngjesin e djeshëm në Nikël të Krujës. Në pjesën e përparme të tij ishte vënë një sasi e vogël eksplozivi. Për pasojë është plagosur në këmbë.
Gentian Bejtja nga Larushku i Fushë-Krujës, akuzohet për vjedhjen e makinës BMW, që u përdor në atentatin ndaj Kryekomisarit Dritan Lamaj. Për vjedhjen e makinës është akuzuar edhe Enver Stafuka, i cili rrezikon i zhdukur prej kohësh.
Një ditë pas vrasjes së komisarit Dritan Lamaj, më 25 shkurt 2013, policia gjeti në periferi të Tiranës një automjet tip “BMW” ngjyrë gri, gjysmë të djegur. Nga verifikimet nëpërmjet dëshmive dhe pamjeve filmike rezultoi se kjo makinë ishte vjedhur në qytetin e Durrësit më datë 23 shkurt, pra një ditë përpara vrasjes së komisarit.
Tre muaj pas vjedhjes së makinës, policia mundi të arrestojë dy të dyshuar si autorë të vjedhjes, shtetasit Enver Stafuka dhe Gentjan Bejtja, të dy banorë të Fushë-Krujës, fqinjë me njëri-tjetrin.
Në vendimin e datës 13 nëntor 2013, gjykatësja e Gjykatës së Durrësit, Anita Mici shpall të pafajshëm Enver Stafukën dhe Gentian Bejtjan, të akuzuar për vjedhjen e automjetit që u përdor për vrasjen e komisar Dritan Lamajt në Tiranë. Që në nisje të vendimit të Gjykatës, pranohet se automjeti tip “BMW” ka shërbyer në vrasjen e komisarit Lamaj.

Artikulli paraprakU nis për të blerë librat e fëmijëve, vdes në aksident
Artikulli tjetërAvioni kishte 2 ton drogë, ishte i treti transportues brenda ditës