Një biznesmen është plagosur me armë në një pritë mesditën e djeshme në Shkodër dhe është dërguar në spitalin rajonal në gjendje të rëndë. Burime nga Policia e Shkodrës bëjnë me dije se, rreth orës 11:50 është njoftuar se ka mbetur i plagosur me armë zjarri 44-vjeçari Syri Mehmedaj, i cili është në gjendje të rëndë shëndetësore. Mehmetaj mësohet se është biznesmen i njohur në Shkodër.
Burimet e policisë bënë të ditur se, Syri Mehmedaj nga Shkodra ka mbetur i plagosur rëndë paradrekën e së hënës në vendin e quajtur rreth rrotullimi i lagjes “Xhabije”. Ai ka qenë duke udhëtuar me automjetin e tij tip “Benz” me targë AA 031 NL, kur një person me motoçikletë dhe me skafandër në kokë ka qëllur tre herë ndaj tij me një pistoletë me silënciator.
Nga sa mësohet nga burime policore, në momentin e plagosjes 44-vjeçari ka qenë duke drejtuar mjetin dhe së bashku me të ishte edhe një person tjetër, i cili pas plagosjes e ka çuar deri në Urgjencën e Spitalit të Shkodrës dhe është larguar menjëherë.
Nga ana e policië, në bazë edhe të pyetjes së dëshmitarëve, mësohet të kenë thënë se kanë parë vetëm një person me skanfandëe dhe me një motoçikletë, i cili është afruar tek mjeti dhe më pas është larguar me shpejtësi, por nuk kanë dëgjuar krisma, çka dyshohet se atentatori të ketë përdorur pistoletë me silenciator.
Bazuar në dëshmitë e njerëzve të pranishëm, policia ka mësuar se atentatori ka qenë një person i vetëm që i është afruar mjetit të Mehmedaj dhe pasi qëlloi ndaj tij u largua me shpejtësi. Policia dyshon se agresori ka përdorur një pistoletë me silenciator, pasi nuk janë dëgjuar zhurma në momentin e ngjarjes.
Sipas policisë, Syri Mehmedaj njihet si një person me precendente të mëparshëm kriminal. Ai është arrestuar afërsisht një vit më parë dhe është dënuar me 1.4 vite burg për vjedhje. Ai është një person i njohur edhe nga Policia e Shkodrës, për konflikte të ndryshme që sipas hetuesve lidhen më së shumti me aktivitetin e tij kriminal në qytetin e Shkodrës. Ndërkaq, pas ndihmës së parë të dhënë në Spitalin e Shkodrës, i plagosuri Mehmedaj është përcjellë për në Spitalin e Traumës në Tiranë për ndihmë më të specializuar mjekësore. Policia ende nuk ka arritur të zbulojë dhe arrestojë autorin e krimit.