Atentat në Shkodër, plagoset me armë ish-kampioni i boksit

Ish-kampioni i boksit në Shkodër, Nelson Hysa është qëlluar me armë zjarri nga persona ende të paidentifikuar për policinë. Pasi kanë qëlluar me armë, duke e lënë të plagosur 32-vjeçarin, autorët kanë arritur të largohen me motor nga vendi i krimit. Plagosja ka ndodhur mesditën e djeshme në vendin e quajtur “Ura Dervish Beg”. Nelson Hysa ka marrë disa plumba në pjesën e poshtme të barkut. Ish-boksieri është dërguar në Spitalin e Shkodrës dhe sipas mjekëve nuk paraqet rrezik për jetën. Ende nuk dihen motivet.
Policia e Shkodrës thotë se Nelson Hysa u qëllua nga dy persona me motor. Në momentin që ai do futej për t’u qethur në një berberanë në lagjen “Qemal Stafa” në vendin e quajtur Ura Dervish Beg, dyshohet se dy persona me motor me skafandra në kokë dhe me rroba të zeza i janë afruar, ndërsa njëri prej tyre e ka qëlluar njëherë me armë zjarri pistoletë në pjesën fundore të barkut dhe janë larguar menjëherë.
Menjëherë pas plagosjes, rreth orës 14:30 boksieri 32-vjeçar u transportua në Spitalin Rajonal Shkodër. Shtetasi N.H për momentin ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe identifikimin e autorëve.
Në vendngjarje është sekuestruar në cilësinë e provës materiale një gëzhojë e qitur nga armë zjarri pistoletë. Janë ngritur pika kontrolli si dhe vijon krehja e zonës me qëllim kapjen e autorëve.

Artikulli paraprak300 gram C4 poshtë makinës, shpëton biznesmeni
Artikulli tjetërTjetër viktimë për drogën, gjendet kufoma në brigjet e Sazanit