Një atentat me armë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të djeshëm në Shijak. Burime nga policia thanë se, rreth orës 02:20, në lagjen “Ballias” të Shijakut kanë qëlluar me armë zjarri në rrugë, rreth 30-40 metra 42-vjeçarin me inicialet S. Gj., i cili është plagosur lehtë në pjesën e parakrahut. S. Gj. ka qenë duke u kthyer në banesë me mjetin e tij, tip “Range Rover” me targa AA 580 MS.
I dëmtuari, pasi ka marrë mjekim në Spitalin Rajonal Durrës është larguar për në banesë. Menjëherë në vendngjarje ka shkuar policia, e cila ka nisur hetimet në vendin e ngjarjes, duke mbledhur provat materiale me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes janë gjetur disa gëzhoja të kalibrit 9 mm. S. Gj., ka qenë i dënuar me 7 vjet burgim për veprën penale”Trafikim të lëndëve narkotike”, i cili është liruar në vitin 2012.
Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës vijojnë hetimet për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes.