Atentati në të cilin mbeti i vrarë Klaudio Prendit, djali i ish-gjyqtarit, Fran Prendi, i ka kaluar në kompetencë SPAK.
Do të jetë Prokuroria e Posaçme që do të hetojë ekzekutimin e 27-vjeçarit, i cili u vra me armë zjarri me silenciator në afërsi të Xhamllikut.
Burimet zyrtare bëjnë me dije se ka dyshime se autorët që e sulmuan të riun sapo doli nga lokali ku qëndronte me 3 punonjës policie, i përkasin një grupi të strukturuar kriminal që dyshohet se është i përfshirë edhe në krime të tjera.
Kujtojmë se Prendi u vra sapo hipi në makinën e tij tip ‘Mercedes’ nga autorët që sulmuan me breshëri nga një tjetër automjet.
Për këtë rast janë 2 pista hetimi që ka ngritur policia që mund të jenë shkak për ngjarjen, një për shkak të detyrës së të atit dhe tjetra për shkak të një konflikti që ai mund të ketë pasur me eksponentë të një organizate kriminale.