Një video është publikuar dje nga televizionet ku duket atentati i 1 tetorit në Vlorë, ku u plagosën Ferdinand Llanaj, djali i tij 8-vjeçar dhe Dritan Bega, pas të shtënave me breshëri kallashnikovi nga një makinë tjetër. Në video duket momenti kur makina “Mercedez Benz” e Ferdinand Llanajt afrohet për t’u futur në rrugën Transballkanike, ndërkohë që një “BMW” i pret rrugën. Në këtë çast nisin të shtënat nga makina BMW, ku dallohen dy persona, të cilët qëllojnë me kallashnikov. Nga video që “Report TV” disponon duket Ferdinand Llanaj, i cili ndodhet në vendin e pasagjerit, hap derën dhe del nga makina për t’i shpëtuar plumbave.
Edhe Dritan Bega braktis makinën dhe shikohet teksa rrotullohet në rrugë dhe fshihet në krah të automjetit “Benz”. Ndërkohë fëmija 8-vjeç i Ferdinand Llanajt nuk del nga makina, duke mbetur i plagosur. Dy autorët qëllojnë me breshëri dhe brenda 10 sekondave drejt mjetit “Mercedez Benz” është qëlluar 20 herë, me qëllim për të vrarë Ferdinand Llanaj.