Fitim Zekthi
Pas sulmit prej mendjesh të sëmura, pervers, për të vrarë presidentin Donald Trump kanë shpërthyer përpos të tjerash edhe teoritë konspirative. Në këto kohë sigurisht që ato janë një prej gjërave më të rrezikshme, një prej gjërave që jo thjesht përhapin rrena por që mund të nxisin edhe më shumë tension apo pasiguri. Amanda Rogers një kërkuese shkencore për çështjet e disinformimit thotë se është tmerrësisht e rëndësishme që njerëzit seriozë të mos i lejojnë këto marrëzira të pushtojnë hapësirën publike ndoëse ato nuk mund të shmangen. Ajo ka mbledhur disa prej këtyre teorive apo shpjegimeve konspiravtive në median amerikane (ajo nuk e di që në Shqipëri ka konspiracionmistë që ia kalojnë çdo amerikani dhe çdo aziatiku ndoshta) dhe në masë dërrmuese ato janë dy llojesh. Njëri që vjen nga, po ta quajmë të tillë e majta thotë se atentatin e sajoi e organizoi vetë presidenti Trump. Me këtë atentat të sajuar nga vetë ai, ai do të mund të paraqitet si martir dhe messiah dhe sigurisht që do të rrisë në mënyrë shumë të fuqishme mbështetjen e tij. Tjetri, që vjen nga e djathta, nqs mund ta quajmë kështu, thotë se atentatin e organizoi presidenti Biden, demokratët, ‘deep state’ në mënyrë që tyë eliminohet kundërshtari politik Trump.
Brenda të dyja qëndrimeve ka me dhjetëra ngjyra, element dallues, fantazira nga më iracionalet dhe befasueset në lidhje me mënyrën se si secili organizoi sulmin, se si u përfshinë njerëz të shërbimit sekret ose të grupeve të ndryshme okulte, se si për disa u përdor AI-ja ose edhe alienët, se si u manipuluan fotot apo videot etj por në tërësi mbeten dominuese këto dy narrativa.
Vetë presidenti Donald Trump mbajti një qëndrim të naltë dhe shumë serioz. Ai bëri thirrje për bashkim dhe luftë kundër të keqes. Ai nuk përmendi askund, aspak se sulmi u organizua nga Biden apo se demokratët donin të eliminonin kundërshtarin, apo se sulmi ishte një sulm politik i organizuar nga demokratët, nga Biden, nga shërbimet e fshehta. Asnjë senator i rëndësishëm republican, as Tim Scot, as Marco Rubio, as Lindsey Graham, as Josh Hawley ethj nuk thanë që sulmi u bë për qëllime politike nga demokratët. As kryetari republikan i kongresit Mike Johnson nuk trha se sulmi u bë nga demokratët për qëllime politike apo për të eliminuar kundërshtarin dhe përmbysur vullnetin e njerëzve.
Edhe presidenti Biden mbajti një qëndrim po ashtu të naltë dhe serioz. Ai telefonoi presidentin Trump. Bëri thirrje për dënim të dhunës nga të gjithë dhe tha se dhuna politike nuk ka vend në SHBA. Edhe drejtuesit kryesorë demokratë të senatit Chuck Schumer, Dick Durbin, Richard Blumenthal, Bernie Sanders, Cris Coons etj thanë të njëjat gjëra. Askush nuk tha kurrë se Trump e sajoi vetë, madje nuk thanë kurrë që Trump është nxitës i dhunës. Edhe Trump nuk tha kurrë që Biden është nxitës i dhunës.
Atëherë pse shfaqen, pse dalin, çfarë janë, çfarë duan konspiracionistët? George Monbiot thotë se konspiracionistët janë njerëz që iu mungon skrupuloziteti, rigoroziteti, serioziteti, fuqia analitike për të njohur botën dhe për të kuptuar botën. Tek njerez të tillë demagogë të ndryshëm, politikanë të këqinj populistë, autorë manipulues ose mashtrues mbjellin farën e frikës, të mosbesimit, të ndarjes, të komplotit. Atëherë mendja e tyre nis e funksionon në bazë të kornizës së re që formohet. Këta njerëz janë lënda e parë e rekrutimit politik apo militantesk nga çdo anë që të vijë. Politikanët (ose autorë të ndryshëm) demagogë, populistë i bindin shumë lehtë këta njerëz se ata (politikanët) janë të veçantë, janë shpëtimi madje se ata janë të zgjedhur nga lart.
Sot këta konspiracionistë që shpikin lloj lloj shpjegimi për atentatin ndaj Trump, që bëjnë lloj lloj lidhje apo lloj lloj paralelizmi janë vërtet shqetësim i madh. Amand Rogers thotë se ata janë në fakt “përshpejtues”. Ata duan që të plasë, të shpërthejë, të ndizet luftë deri edhe civile. Ajo i quan ata përshpejtues që janë duke parë ëndrra të lagura (erotike..)
Megjithatë falë përgjegjësisë së lartë të politikanëve kryesorë në SHBA nga çdo anë ku askush nuk tha një gjysmë fjale për sulm politik të nxitur nga kundërshtari, ku të gjithë u bënë bashkë kundër dhunës, falë gazetarëve kryesorë të mediave të mëdha që mbajtën qëndrim shumë serioz dhe falë gjithë klasës së atyre që kanë një zë publik të cilët përbuzën çdo konspiracion nuk duket se “përshpejtuesit” do të shkaktojnë ndonjë gjë me zarar.
Në vende si ne, në Shqipëri ku mungon kjo përgjegjësi e politikanëve të lartë, e gazetarëve dhe e atyre që kanë një vend në hapësirën publike konspiracioni ushqen fuqimisht politikën, konfliktin, sherrin dhe mban gjallë ndodhta gjithë sistemin.