Asnjë i ndaluar për atentatin e Vlorës, ku u plagosën dy burra dhe një fëmijë. Deri tani, policia nuk ka të dhëna për autorët e krimit, por hetuesit vazhdojnë me dyshime se ngjarja ka lidhje me masakrën e vitit 2015 në Çole dhe me atentatin 27 majit të këtij viti ku u ekzekutuan drejtori i OSHEE Roland Saliu, i cili ndodhej rastësisht me shënjestrën Mirvjen Hyseni drejtori i një televizioni privat në Vlorë. Shënjestra e atentatit me pseudonimin Robit, Ferdinant Llanaj sipas burimeve nga spitali ka marrë 10 plumba, në kokë dhe në trup. Personi tjetër Dritan Begaj u qëllua me katër plumba, kurse fëmija tetëvjeçar u dëmtua fizikisht, por jo nga plumbat. Ngjarja ndodhi paraditen e së dielës në rrugën Transballkanike, një zonë e populluar.
Një orë më vonë, policia gjeti një BMW të shkrumbuar në rrugën “Kafaraj”, që lidhet me autostradën Levan-Tepelenë, poshtë një nënkalimi. Brenda makinës së djegur është gjetur edhe një automatik. Mjeti u gjet poshtë një nënkalimi. Nga kjo makinë dyshohet se u qëllua me breshëri automatiku në drejtim të Ferdinant Llanajt, që po udhëtonte me një “Benz” gri.
Policia e Vlorës deklaroi dje se janë siguruar prej bizneseve pranë kësaj zone, të gjitha kamerat, të cilat mund të ndihmojnë në zbardhjen e fakteve dhe sqarimin e dokumentimin e plotë të ngjarjes.
Në vendngjarje policia ka sekuestruar gjithashtu një armë zjarri tip Pistoletë, një predhë arme zjarri model 56-kalibër 7.62mm, automjetin tip ”Mercedes Benz”, dhe një tjetër mjet “Renault Klio”, disa aparate celular dhe një shumë prej 1.600.000 lekësh.
Në lidhje me ngjarjen janë kryer edhe veprime të tjera proceduriale dhe po vazhdon puna për identifikimin, dokumentimin dhe kapjen e autorëve të plagosjes me armë zjarri të Ferdinand Llanajt, djalit të tij B.Ll., dhe Dritan Bega. Atentat me armë zjarri që ka tronditur qytetin bregdetar të Vlorës ndodhi mëngjesin e të dielës në rrugën Transballkanike pranë një karburanti ku u plagosën dy burra dhe një fëmijë.