Atletico pranë akordit për Diego Costan

 

Merkatoja e verës sapo është mbyllur, por bisedimet mes Atleticos së Madridit dhe Chelsea-t për Diego Costën vazhdojnë. Sipas raportimeve të fundit të mediave angleze, Los Colchoneros dhe Blutë e Londrës janë shumë pranë arritjes së një marrëveshjeje për rikthimin e sulmuesit të kombëtares spanjolle në La Liga. Sigurisht që kjo do të ndodhë në merkaton e janarit, kur Atleticos t’i hiqet pezullimi i marrë nga FIFA për merkaton në hyrje. Por ashtu siç bënë me Sevillan për Vitolon, të cilin e huazuan më pas te Las Palmas, Atletico kërkon t’i përshpejtojë procedurat, për të transferuar Diego Costën në Primera Division. Sulmuesi i kombëtares spanjolle është nxjerrë jashtë skuadre nga Chelsea dhe Costa dëshiron t’i bashkohet sa më shpejt Atleticos, për t’u përshtatur me shokët e tij të skuadrës dhe për të qenë gati për të luajtur sërish me Los Colchoneros në muajin janar. Për kartonin e Diego Costës, klubi madrilen do të derdhë në arkat e Chelsea-t, 32 milionë paund, rreth 35 milionë euro, ndërsa 28-vjeçari me origjinë braziliane do të përfitojë 10 milionë euro në sezon nga kontrata që do të firmosë me skuadrën e drejtuar nga Diego Simeone.

Exit mobile version