Atletiko do pikë në Mynih

Bajerni i Mynihut ka humbur shkëlqimin e lojës së tij nën drejtimin e Karlo Ançelotit. Në këtë përfundim ka arritur ylli francez Antuan Grizman gjatë një interviste për “Sky Sport HD”. Finalisti i “Topit të Artë” do zbresë në “Allianz Arena” mbrëmjen e së martës, ku synon të paktën një barazim 1-1 përballë Bajernit në ndeshjen e fundit të fazës në grupe të Champions-it.
Më të fortë me Pepin
Sipas Grizman, Bajerni ka humbur klasin dhe dominancën, ndryshe nga koha e Guardiolës. “Bavarezët nuk janë më aq të fortë sa me Guardiolën. Kjo është e thjeshtë për t’u evidentuar”, nënvizoi 25-vjeçari francez duke nxjerrë në pah armët e forta të lojës së italianit: “Vërtet s’janë më aq të fortë, por janë bërë më të rrezikshëm në një drejtim tjetër. Ndoshta janë bërë më të paparashikueshëm. Ata lëvizin sa nga e djathta në të majtë si dhe nga qendra. Kjo lloj lëvizje i bën ata të vështirë për t’i ndalur mbrojtja”.
Lewa, një monstër
Sulmuesit të Atletikos i pëlqen shumë atmosfera e stadiumit “Allianz-Arena”. Atletiko dhe Bajerni janë kualifikuar në 1/8-at ku spanjollët kanë blinduar vendin e parë dhe bavarezët të dytin. “Stadiumi i Mynihut ofron atmosferë brilante. Bajerni ka lojtarë shumë cilësorë. Lewandowski më pëlqen shumë. Para portës ai është një monstër. Kam simpati edhe për Mylerin. Për të nuk flasin shumë, por Tomasi është superlojtar. Më pëlqen shumë ta shoh. Kam respekt për të”.
Por, ylli i Atletikos vlerëson në veçanti dy lojtarë të tjerë të Bajernit. Ata janë portieri Manuel Nojer dhe mesfushori francez Tiago Alkantara. “Në ndeshjen e parë penalltinë e gjuajta në traversë, pasi Nojer nuk të lë shumë hapësira. Nojeri është shumë i fortë në dyluftime, sepse është i madh në trup. Duhet të kesh pak fat ta ndëshkosh.
Por, te Bajerni adhuroj së tepërmi teknikën dhe trurin e Tiago Alkantarës. Ai është mjeshtër. Bën çudira me topin. Të bën për vete me thjeshtësinë e tij. Të zotërosh topin në atë formë, duhet të kesh teknikë të niveleve të larta si dhe për më tepër truri i tij punon shumë shpejt. Më impresionon”, nënvizoi 25-vjeçari francez.
Barazim 1-1
Atletiko ka siguruar vendin e parë në grup. Nëse fituan 1-0 në Madrid, Grizman do ishte i kënaqur edhe me një barazim të bukur 1-1 në Mynih. “Do bëjmë të pamundurën të marrim të paktën një pikë. Do e pranoja një barazim 1-1 me lojë të bukur”, deklaroi Grizman, duke parashtruar edhe qëllimet këtë sezon: “Fitorja e Champions-it është qëllimi ynë primar. Finalja e humbur kundër Realit më ka dhembur shumë”, përfundoi ai.

Artikulli paraprakHiguain nuk shënon? Do fitojë titullin
Artikulli tjetërFederata dënon Agueron dhe Fernandinjon