Pas dy barazimeve të regjistruara në 2 javët e para të La Ligas ndaj 2 skuadrave të ardhura nga Segunda Division si Alaves dhe Leganes askush nuk do ta kishte imagjinuar se Atletiko e Madridit në javën e 7-të të kampionatit do të ngjitej në krye të klasifikimit. Fjalët e Antoine Griezmann, njeriut simbol të një skuadre që bazohet më së shumti te forca e grupit pas ndeshjes ndaj Leganes se, nëse Atletiko vazhdonte me ato ritme do të luftonte për mbijetesë, patën efektin e tyre. Kjo pasi në 7 ndeshjet e radhës mes La Ligas dhe Championsit skuadra e Diego Simeones ka regjistruar 6 fitore dhe vetëm 1 barazim edhe atë ndaj Barcelonës në “Camp Nou”.
Nga fitorja fantastike ndaj Bayern-it në Champions te suksesi kundër Valencias në javën e 7-të të La Ligas, në një sfidë që as Diego Alves me dy penallti të pritura nuk arriti të frenonte dot hapin e Los Colchoneros. Atletiko numëron të njëjtën sasi pikësh 15 sa edhe Reali i Madridit, por kryeson kampionatin spanjoll në sajë të goleavarazhit më të mirë. Gjithçka e merituar sepse edhe statistikat flasin në favor të Atletikos me skuadrën e El Cholo Simeones që në këto 7 javë jo vetëm që nuk ka pësuar humbje, por ka shënuar 14 gola dhe ka pësuar vetëm 2. Një goleavarazh +12 në favor dhe një mbrojtje e hekurt. Te Atletiko funksionon çdo repart duke filluar që nga porta me Jan Oblak që është thuajse i pakalueshëm. Për të mos folur për sigurinë që përcjellin emra të tillë si Juanfran, Godin, Gimenez e Filipe Luis në mbrojtje.
Mesfushorët po kalojnë gjithashtu një moment të shkëlqyer forme. Ferreira Carrasco është thjesht shpërthyes, Gabi një kapiten i palodhur që vrapon në çdo cep të fushës, ndërsa Koke e Saul dy lojtarë klasi që bëjnë gjithmonë diferencën. Në sulm nuk është vetëm Griezmann. Francezi me 6 golat e tij kryeson listën e golashënuesve në këtë sezon të La Ligas, por në një formë shumë të mirë po shfaqen edhe Kevin Gameiro e Fernando Torres pa harruar argjentinasin Angel Correa që sa herë hyn nga stoli lë gjithmonë shenjë siç ndodhi në sfidën e “Camp Nou”-t ndaj Barcelonës. Simeone pak ditë më parë u shpreh se kjo është skuadra më e mirë që ka patur në dispozicion që nga momenti që është ulur në stolin e Los Colchoneros. Sezoni është shumë i gjatë dhe është ende herët për të folur me siguri, por kjo Atletiko tremb vërtet. Duan apo s’duan të mëdhatë e Europës duhet t’ia kenë frikën pasi ky mund të jetë ndoshta viti i tyre.