Atletiko Madrid në këtë sezon duhet llogaritur jashtë luftës për titullin kampion. Skuadra e Diego Simeones ka shfaqur përsëri vështirësi të dukshme në fazën ofensive, edhe pse ka në përbërje emra si Grizman, Gameiro, Korreia apo Torres.
Sot, madrilenët u ndalën në një barazim 2-2 në fushën e Atletik Bilbaos, në një duel që kishte përmbysje të njëpasnjëshme dhe shumë emocione. Koke kaloi në avantazh madrilenët që në minutën e tretë të sfidës dhe Lekue barazoi gjithçka para fundit të pjesës së parë.
Goli i De Markos në minutën e 56 i dha avantazhin baskëve. Por për të kthyer përsëri barazinë mendoi i zakonshmi Grizman me golin e minutës së 80 që do të vuloste rezultatin përfundimtar 2-2. Tani Atletiko Madrid është 8 pikë larg Realit kryesues, i cili për më tepër ka edhe një ndeshje më pak të luajtur, ndaj duket thuajse e pamundur që të arrijë të kthehet në garën për titull në këtë edicion.