Pas 21 vjetësh, Atletico Nacional sërish në finalen e Copa Libertadores. Skuadra kolumbiane triumfoi edhe në gjysmëfinalen e kthimit ndaj brazilianëve të Sao Paulos duke bërë kështu surprizën e madhe. Me rezultat të përgjithshëm 4-1, pasi kishte fituar edhe në takimin e parë me shifrat 2-0 në transfertë skuadra nga Medellini u kualifikua sërish në finalen e këtij kompeticioni dhe tashmë synon të fitojë për herë të dytë në historinë e klubit Kupën Libertadores. Në stadiumin “Atanasio Girardot” brazilianët e Sao Paulos e nisën më mirë ndeshjen. Në minutën e 9-të Michel Bastos krosoi në zonë një top të rrezikshëm dhe aty përfitoi qendërsulmuesi argjentinas i Sao Paulos, Jonathan Calleri, i cili nuk fali duke ndëshkuar portierin vendas.
Rezultati 0-1 i dha shpresë skuadrës së trajnerit Edgardo Bauza pasi për ta çuar ndeshjen minimalisht në shtesë Sao Paulos i duhej vetëm një gol. Por nuk ishte e thënë që skuadra pauliste të realizonte sërish në këtë sfidë, sepse shumë shpejt Miguel Borja, sulmuesi kryesor i Atletico Nacional barazoi shifrat. Pjesa e parë përfundoi në barazim pa gola, ndërkohë që miqtë nga Brazili e kishin të pamundur të realizonin dy gola në pjesën e dytë dhe Atletico Nacional arriti ta menaxhonte shumë mirë sfidën. Në minutën e 78-të Borja vulosi kualifikimin e ekipit kolumbian pasi kthehu në gol një 11-metërsh shumë të dyshimtë të fituar nga vendasit. Vetëm pak sekonda më vonë Sao Paulo mbeti me dy lojtarë më pak në fushë sepse arbitri kilian Polic nxori me karton të kuq Diego Luganon dhe Wesley-in. Deri në fund shifrat nuk ndryshuan më dhe me rezultat të përgjithshëm 4-1 Atletico Nacional avancoi për herë të tretë në finalen e Copa Libertadores.