Ditën e sotme në orën 18:30, Bundesliga do na njohë me derbin më të magjishëm të Gjermanisë. Derbi i Ruhrit, Dortmundi kundër Shalkes. Atmosfera në Dortmund është elektrizuese. Këtë e shpreh edhe sulmuesi afrikan PierreEmerik Aubamejang gjatë një interviste për Ligën gjermane.
-Aubamejang, për herë të parë udhëhoqët Dortmundin si kapiten kundër Ingolshtadit në Bundesligë. Si u ndietë?
Ishte e pazakontë, por shumë e bukur. Edhe pse 27 vjeç, bëni pjesë në lojtarët më me eksperiencë në ekip. Përpiqem të ndihem i ri edhe unë. Më duket paksa e çuditshme që jam një ndër më të vjetrit. Më përpara isha më i riu. E kam për nder dhe kënaqësi të luaj me lojtarë të rinj të talentuar.
-Keni shënuar 4 gola në 6 ndeshje Bundeslige kundër Shalkes. Çfarë rëndësie kanë golat për ju në derbi?
Natyrisht, rëndësi të lartë! E dimë të gjithë sesa i rëndësishëm është derbi për Dortmundin dhe fansat tanë. Ka për të qenë një superndeshje. Jemi gati dhe jam i bindur që do të shënoj sërish.
-Si e gjykoni atmosferën para derbit në fundjavë në “Signal-Iduna-Park?
Atmosferë speciale si vetë derbi. Kur sheh tifozët në sy, të përshkon një ndjenjë e veçantë për t’u dhuruar atyre një fitore. Derbi është tema e çdo dite.
-Ka ndryshuar stili i lojës suaj nga ndryshimet në organikë?
Është ndryshe nga sezoni i kaluar. Kemi humbur lojtarë të fortë me eksperiencë dhe me ta e kisha më të lehtë të shënoja. Tani në skuadër kemi gjak të ri me shumë talent. Së fundmi, na kanë penalizuar edhe dëmtimet. Kur të rikthehen të gjithë, do ta kem edhe unë më të lehtë për të shënuar. Këtij ekipi duhet t’i japim edhe pak kohë për të shkëlqyer si në Bundesligë, kupë dhe Champions.
-Sa rëndësi ka rikthimi i Marko Rojsit?
Na duhet dhe na mungon shumë Rojsi. Kam folur me të në telefon dhe e ndiejmë mungesën e tij. Të gjithë e dimë se çfarë di të bëjë ai. Me të në fushë ndëshkojmë çdo rival.
-Sezonin e kaluar e humbët duelin për “Këpucën e Artë” me Lewandowskin. Aktualisht keni një konkurrent të fortë si Antoni Modeste, të cilin e njihni mirë.
I kam dërguar një mesazh: “Me qetësi dhe maturi ecet përpara”. Më vjen mirë për të, pasi ka punuar fort. Në Francë e kritikojnë shpesh dhe kritikët e kanë marrë përgjigjen. Më pëlqen që nuk është vetëm Lewandowski, por edhe Modeste.
-Një lojtar atlet pa dyshim që i pëlqejnë edhe makinat e shpejta apo jo?
Shpejtësia është një pjesë e imja. Unë kam lindur për këtë gjë. Makinat i kam pasion. Zhurma është shumë e rëndësishme për mua. Më pëlqen kur bën zhurmë motori.