Aubameyang: Iki nga Dortmundi vetëm për Realin

I qartë dhe bindës në deklaratat e tij. Pierre Emerick Aubameyang hedh poshtë zërat e një largimi të mundshëm të tij nga Borussia e Dortmundit, por në të njëjtën kohë nuk i mbyllen dyert një klubi të madh si Reali i Madridit. Sulmuesi nga Gaboni aktualisht është i lumtur te verdhezinjtë dhe po përgatitet për sezonin e ri futbollistik 2016-2017, gjithsesi të ardhmes asnjëherë nuk i dihet dhe deri në fund të merkatos mund të ndodhin shumë gjëra. Për Aubameyang gjatë muajve të fundit kanë shfaqur interes shumë klube të mëdha përfshirë këtu Realin e Madridit, Chelsea-in, Manchester United, Atleticon e Madridit apo edhe Paris Saint Germain-in, por megjithatë ofertat konkrete në drejtim të Dortmundit kanë munguar.
27-vjeçari i lindur në Francë për momentin është i bindur për qëndrimin e tij te Dortmundi edhe gjatë sezonit të ardhshëm, gjithsesi nëse në drejtim të tij do të vinte një ofertë nga Reali i Madridit e ardhmja e sulmuesit nga Gaboni te verdhezinjtë do të vihej në dyshim të madh: “I vetmi klub që mund të më largonte nga Dortmundi është Reali i Madridit, asnjë tjetër për momentin theksoi Aubameyang në një prononcim për mediat. Atletico e Madridit është një nga skuadrat e interesuara për lojtarin, sipas mediave spanjolle për të firmosur me Los Colchoneros, Aubameyang u kërkoi drejtuesve të Atleticos një pagë vjetore prej 12 milionë eurosh në sezon.
Florentino Perez po punon në heshtje për të realizuar të paktën një goditje të madhe në këtë merkato. Sipas mediave spanjolle, presidenti i Realit të Madridit po përgatit një blerje surprizë për të kënaqur të gjithë tifozët e Los Blancos dhe mbi të gjitha trajnerin Zinedine Zidane. Klubi merengues deri tani ka qëndruar disi pasiv në merkato dhe afrimi i vetëm është rikthimi në skuadër i sulmuesit Alvaro Morata për të cilin Los Blancos derdhën në arkat e Juventusit shumën e 30 milionë eurove. Deri tani, Reali i Madridit ka dështuar të firmosë me emra të tillë si Andre Gomes, N’Golo Kante apo Paul Pogba lojtarë që pëlqeheshin shumë nga trajneri Zidane. Alternativat për goditjen e madhe të Los Blancos në merkato janë 3.
Marco Verrati, mesfushori italian i Paris Saint Germain-it, është një nga futbollistët që presidenti Perez kërkon të afrojë në skuadër. Edhe pse është vetëm 23 vjeç, Verrati ka shumë personalitet në fushë dhe do të rriste cilësinë në mesfushën e Realit. Vlera e kartonit të tij në merkato kap shifrën e 60 milionë eurove. Dele Alli mesfushori i talentuar i Tottenhamit dhe kombëtares angleze është një tjetër lojtar që pëlqehet nga Perez. Falë paraqitjeve të tij në sezonin e kaluar, Dele Alli ka tërhequr vëmendjen e disa prej klubeve më të mëdha të Europës. 45 milionë euro është çmimi i tij në merkato.

Artikulli paraprakBayerni ekip i madh
Artikulli tjetërDorëhiqet kryetarja e demokratëve pas skandalit të e-mail-eve të Klinton