Aubameyang mposht Milanin

Ndeshja e parë në Kinë e International Champions Cup, turneut të superndeshjeve të verës filloi me një leksion për Milanin, mbret të shpenzimeve të merkatos në Itali. Kina është pranë, por elita e Championsit është ende larg, edhe pse shumica e 15 mijë tifozëve kinezë në stadium ishin kuqezinj, Milani u mund 3-1 nga Borussia e Dortmundit, në një ndeshje që tregoi se kuqezinjve iu duhet organizim dhe durim për t’u rikthyer të mëdhenj. Protagonist me një dygolësh Aubameyang, pikërisht sulmuesi që është aluduar se mund të jetë qershia mbi tortë e merkatos kuqezi.
Borussia kalon në avantazh me Sahin në minutën e 17 në një goditje ku Storari nuk është se ishte pa faj, pasi topi ishte në shtyllën e tij dhe numri 30 i Milanit reagoi me shumë vonesë. Vetëm dy minuta më vonë Paletta rrëzoi Pulisiç në zonë dhe për arbitrin nuk kishte dyshime, penallti. Nga pika e bardhë Aumbameyang dyfishoi avantazhin e verdhezinjve.
Milani shkurtoi distancat me Carlos Bacca-n, i cili u tregua i zoti dhe me fat në një aksion personal ku kaloi dy kundërshtarë dhe ndëshkoi Weidenfeller me të djathtë. Në pjesën e dytë ishte sërish Aumbayemang ai që u vuri vulën duke finalizuar para Storarit pas një kundërsulmi perfekt të Castro e Pulisiç. Përfundoi në këtë mënyrë 3-1, me Milanin që ka ende shumë punë për të bërë, ndërkohë që i duhet të jetë gati për paraeliminatoret e Europa League të enjten e javës tjetër.
Skuadra e Milanit ka pësuar humbje nga Borussia Dortmund 3:1, por trajneri Vincenzo Montela nuk është i shqetësuar. Ai thotë të mos shikohet rezultati, po karakteri që tregoi skuadra në fushë. “Ne nuk duhet ta shikojmë rezultatin”, tha fillimisht Montela pas ndeshjes. “Unë e pashë një skuadër me karakter. Ka gjëra që duhet t’i rregullojmë, por shpirti është i njëjtë. Ne vuajtëm, por reaguam me lojtarët e rinj që luajtën shumë mirë”, tha Montela.

Exit mobile version