Aubameyang në shitje

Borussias së Dortmundit i është sosur durimi me Pierre-Emerick Aubameyang dhe po mendon seriozisht të shesë sulmuesin. Pas barazimit dramatik 4-4 në sfidën me Schalke 04, mësohet se marrëdhëniet e lojtarit me klubin janë acaruar së tepërmi pas kartonit të kuq që mori Aubemeyang, duke lënë skuadrën në baltë, me lojtarin nga Gaboni që pritet të bëjë gati valixhet që në janar. Janë të shumta skuadrat që e duan 28-vjeçarin, me Liverpool dhe Chelsea në krye të listës.
E përditshmja gjermane ‘Bild’ flet për një largim të mundshëm të sulmuesit nga Gaboni, që në muajin janar dhe kjo për shkak të tensioneve të shfaqura së fundmi në raportet mes futbollistit dhe klubit verdhezi.
Drejtuesit e Borussia Dortmund përpara disa ditësh vendosën të pezullojnë Aubameyang për shkak të vonesave të tij të njëpasnjëshme në seancat stërvitore. Ky vendim nuk është pritur aspak mirë nga Aubameyang, i cili e ka konsideruar atë të papranueshem, duke kërkuar edhe largimin nga verdhezinjtë.
Gjithnjë sipas ‘Bild’, kjo situatë e re e krijuar në ambientet e Borusias së Dortmundit, ka shtyrë drejtuesit e kësaj të fundit të vendosin edhe një çmim për kartonin e Aubameyang, që kap vlerën e 60 milionë eurove.
Tani pritet vetëm reagimi nga klubet e interesuara për shërbimin e sulmuesit nga Gaboni, mes të cilave deri përpara disa javësh ishte edhe Reali i Madridit.

Artikulli paraprakBosz i ka orët të numëruara te Dortmundi
Artikulli tjetërGIZ kundër ndërtimit të inceneratorëve: Janë të dyshimta