Austri, Norbert Hofer pranon humbjen

Kandidati i së djathtës në Austri, Norbert Hofer pranoi humbjen në zgjedhjet presidenciale të së dielës, pak pasi sondazhet treguan se rivali i tij Alexander van der Bellen, shënoi fitore.
Sondazhet që u publikuan nga televizioni publik, “ORF”, treguan se Van der Bellen ka fituar 53.6 për qind të votave.
Menaxheri i fushatës së zotit Hofer, Herbert Kickl, tha se sistemi ja doli mbanë sërish të bllokojë dhe të shmangë rinovimin.
Austriakët iu drejtuan ditën e diel kutive të votimit në përsëritje të procesit zgjedhor të muajit qershor, rezultati i të cilit u anulua për shkak të parregullsive.
Sondazhet fillestare të ditës së djeshme tregonin për një përparësi të ngushtë të pretendentit të së djathtës, Norbert Hofer, i cili si kandidat i Partisë së Lirisë, zoti Hofer pati marrë pozicione të forta antiemigracion, si dhe pati bërë thirrje fillimisht për një dalje të Austrisë nga Bashkimi Evropian, ku u anëtarësua në vitin 1994. Pas vendimit të Britanisë për të dalë nga BE-ja, zoti Hofer e zbuti retorikën e tij kundër bashkimit, gjë që e konfirmoi edhe ditën e diel pasi votoi në qytetin e tij të lindjes, Pinkafeld.
Rivali kryesor i tij, Alexander van der Bellen, i Partisë së Gjelbërt, fitoi ngushtë në zgjedhjet e qershorit, rezultatin e të cilave Gjykata e Lartë austriake vendosi ta anulojë për shkak të parregullsive në procesin e numërimit të votave.
Fushata elektorale në Austri ka qenë e gjatë dhe e ngarkuar me tensione. Shtypi lokal e përshkruan madje si “zgjedhjet e urrejtjes”, për shkak të irritimit në radhët e mbështetësve të djathtë të zotit Hofer dhe të frikës dhe zemërimit të kundërshtarëve të tij të majtë që e kanë quajtur ndonjëherë edhe nazist, për shkak të qëndrimeve të tij antiemigracion.

Artikulli paraprakGjermani, kundërsulme ndaj sulmeve kibernetike
Artikulli tjetërRrëzohet një aeroplan rus mbi Detin Mesdhe