Austria thirrje BE-së: Kosova të njihet nga 5 shtete që nuk e kanë njohur, të avancohet aplikimi për anëtarësim

Ministrja e Qeverisë së Austrisë për Bashkimin Evropian dhe Kushtetutën, Karoline Edtstadler, ka dalë me një propozim pesë pikësh rreth Ballkanik Perëndimor. Ajo ka kritikuar qasjen e deritanishme të Bashkimit Evropian me rajonin pasi nuk i ka mbajtur premtimet e dhëna ndër vite. Në pikën e katërt, ministrja i ka dhënë hapësirë Kosovës dhe dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Politikania austriake ka thënë se duhet të bëhet progres rreth anëtarësimit të Serbisë dhe avancimit të aplikimit të Kosovës për anëtarësim para zgjedhjeve të brendshme të BE-së.

“Progres në bisedimet për anëtarësimin e Serbisë dhe procesimin e aplikimit për anëtarësim të Kosovës para zgjedhjeve të BE-së ( ndërlidhur me zhvillimet e mëtejme në bisedimet për normalizim ndërmjet Serbisë dhe Kosovës); nëse BE dëshiron të prijë, njohja e Kosovës nga të gjitha vendet anëtare është imperativ”, shkruan në propozimin e ministres, të cilën e ka publikuar në platformën X. Ndër tjera, qeveritarja ka pohuar se incidentet e fundit mes Kosovës dhe Serbisë na kanë treguar se sa e brishtë është situata në rajon. Ajo ka shprehur bindjen se familja evropiane nuk është e plotë “pa gjashtë partnerët tanë të Ballkanit Perëndimor. Le të tregojmë se Evropa është e aftë të jetë një akter gjeopolitik të paktën në portat e saj – jo, në oborrin e saj”. Edtstadler ka dhënë propozime edhe për Shqipërinë, Malin e Zi, Maqedoninë si dhe Bosnje-Hercegovinën.

Ajo ka deklaruar se gjatë vitit 2024 duhet të organizohen konferenca ndërqeveritare me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut ndërsa kërkoi të bëhet progres real me anëtarësimin e Malit të Zi. Ministrja ka thënë propozuar që gjatë këtij viti të hapen bisedimet për anëtarësim me Bosnjën. Kjo nuk do të thotë se partnerët në Ballkanin Perëndimor nuk kanë nevojë të ecin përpara me reformat dhe t’i zbatojnë ato në terma konkretë – përkundrazi, nuk ka rrugë të shkurtra për t’u bërë anëtarë të plotë të BE-së, kujtoi zyrtarja austriake.

Artikulli paraprakAmnesty International kundër: Marrëveshja për dërgimin e emigrantëve në Shqipëri e paligjshme dhe e pazbatueshme
Artikulli tjetërMinxhozi: Berisha po vuan vakuumin e ndërkombëtarëve dhe përkrahësve në sheshe