Një aksident rrugor ndodhi mesditën e së mërkurës në aksin Lezhë-Shkodër, pranë fshatit Balldre. Tre automjete u përplasën me njëra-tjetrën, mes të cilave një autobus i punonjësve italianë të kampit të emigrantëve të Gjadrit, një kamionçinë dhe një autoveturë.
Nga aksidenti, i cili ndodhi rreth orës 12:00, mbeti i plagosur drejtuesi i autoveturës, i cili u dërgua me urgjencë për ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal të Lezhës, nga ku mësohet se ndodhet nën kujdesin e mjekëve dhe është jashtë rrezikut për jetën.
Nga të dhënat paraprake, bëhet e ditur se kamionçina po levizte në drejtim të Balldrenit kur është ndeshur ballë për ballë me autoveturën që po tentonte të parakalonte autobusin me punonjësit e kampit të Gjadrit, në një segment ku sinjalistika nuk e lejonte diçka të tillë. Për shkak të përplasjes së fortë, kamionçina është rrotulluar në drejtim të kundërt të lëvizjes, duke prekur edhe autobusin që po levizte në drejtim të Lezhës, por fatmirësisht drejtuesi dhe pasagjerët nuk morën lëndime.
Nga aksidenti u bllokua për rreth 60 minuta lëvizja në superstradën Lezhë-Shkodër, duke shkaktuar radhë të gjata automjetesh.
“Rreth orës 11:59, te kthesa e Balldrenit, janë përplasur me njëra-tjetrën 3 automjete. Si pasojë, është dëmtuar drejtuesi i automjetit tip ‘Renault’, shtetasi N. N., 29 vjeç, banues në Lezhë, i cili është transportuar në spital dhe është jashtë rrezikut për jetën.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit,” njofton policia.