Autokraci e kohëve moderne

 

Të gjorët propagandistë të ditëve të sotme! Në fillim të shekullit 20 ishte më e thjeshtë të kontrolloje zemrat dhe mendjet e një populli që jeton nën regjim autoritar. Të gjitha mediat e brendshme drejtoheshin nga zyra e qeverisë, mediat e huaja mund të bllokoheshin, kufijtë ishin të mbyllur dhe popullsia nuk mund të shikonte suksesin e një shteti rival. Në shtetet autoritare ekzistonte së paku një narrativë e qartë dhe një vizion teorik për drejtësinë sociale dhe superioritetit kombëtar, një vizion aq joshës sa për të penguar flirtimin me demokracinë liberale dhe kapitalizmin. Kushdo që kundërshtonte mund të izolohej, heshtej dhe shtypej.

Kjo ishte periudha e artë e socialistëve që kinezët e quanin “manipulim të mendimit”, ndërsa sovjetikët e quanin “ristrukturim të shpirtit njerëzor”. Deri pak kohë më parë dukej sikur kjo periudhë kishte marrë fund përgjithmonë. Telefonët e zgjuar dhe laptopët e ditëve të sotme sëbashku me përhapjen e jashtëzakonshme të teknologjisë së informacionit, kanë bërë të mundur që çdo qytetar të ketë në dorë një qendër personale mediatike. Kufijtë janë të hapur për të gjithë. Filmat perëndimorë, makinat dhe motorët e kërkimit në internet penetrojnë virtualisht në çdo cep të botës. Të gjithë regjimet po eksperimentojnë së paku një version të kapitalizmit.

Megjithatë, historia nuk është kaq e cekët. Regjimet demokratike joliberale, hibride dhe neo-autoritare në vendet si Venezuela, Kina, Siria dhe Rusia nuk e kanë lënë pas dore propagandën. Ata kanë gjetur metoda tërësisht të reja për të ndjekur rrugën e vjetër dhe shumica e tyre janë duke përdorur mjetet teknologjike të shpikura në botën demokratike.

Përse të luftosh kundër globalizimit dhe epokës së informacionit, kur mund t’i përdorësh në favorin tënd? Shpeshherë teknikat janë tepër të mprehta dhe dinake. Pasi analizuan censurën reale që ekzistonte mbi 1.382 faqe interneti kineze (rreth 12 milionë postime në total) studiuesit e Universitetit të Harvardit arritën në një konkluzion të papritur.

Ata zbuluan se, propagandistët e qeverisë kishin toleruar në faza kritike kundër politikanëve dhe politikave në vend, por kishin censuruar menjëherë çdo përpjekje në internet për të organizuar protesta popullore, përfshirë këtu edhe disa protesta që nuk lidheshin aspak me kriticizmin ndaj qeverisë. Një event tepër i censurizuar për shembull, kishte për qëllim të ndërgjegjësonte popullsinë dhe shtetin për rrezikun se firot bërthamore të Japonisë mund të arrinin një ditë deri në Kinë.

Kjo analizë bëri të qartë se, prioriteti i qeverisë kineze nuk është ndërprerja e kritikave popullore, por të frenojë potencialin e organizimit masiv të shoqërisë. “Popullsia kineze është individualisht e lirë, por kolektivisht e prangosur”. Ky është konkluzioni me të cilin e mbyllin raportin studiuesit e Harvardit. Mbi të gjitha, interneti ka rezultuar të jetë një mjet shumë i rëndësishëm kontrolli, pasi i lejon njerëzit që të shprehen lirisht dhe i ofron qeverisë një lloj barometri për të matur opinionin publik.

Edhe zgjedhjet mund të shërbejnë si një mjet autoritar. Në Venezuelë, Hugo Chavez organizonte aq shpesh zgjedhje saqë opozita, të cilës i mungonin financimet dhe aksesi mediatik, nuk kishte kurrë shansin të konkuronte kundër tij. Chavez zinte më shumë se 40 orë kohë mediatike të drejtpërdrejtë në javë, përfshirë këtu edhe emisionin e tij “Alo, President”, i cili transmetohej çdo të dielë për aq orë sa i nevojiteshin Chavezit.

Si një lloj përzjerje ndërmjet Jay Lenos dhe Mussolinit, ky emision i jepte Chavezit mundësinë që të diskutonte për çdo argument, që nga sporti e deri tek politikat e George W. Bushit, t’i përgjigjej telefonatave që vinin nga populli, të tregonte anekdota personale, të pushonte ministrat nga puna, të shpallte gjendje lufte apo të këndonte ndonjë këngë. Shumë artistë ndërkombëtarë si Naomi Campbell, Danny Glover apo Sean Penn shfaqeshin në emision, duke shitur influencën e tyre artistike për kauzën e revolucionit të përjetshëm socilist të Chavezit.

Ndërkohë, njëlloj si Chavez, edhe pasardhësi i tij Nicolas Maduro, përhapi censurën nëpërmjet dorës së tij të padukshme për të frenuar shprehjen e pakënaqësisë. Në vend që të mbyllë haptazi mediat që e kritikojnë, ai bëri të mundur që të falimentojnë. “Fillimisht bëhet e mundur që media të bëhet ekonomikisht jo konkuruese në treg”, shkruan Daniel Lansberg-Rodríguez.

“Një gazetë, për shembull mund t’i mohohet kursi preferencial i këmbimit për importimin e letrës, një televizion mund të goditet sistematikisht me gjoba apo të akuzohet për shpifje dhe mashtrim. Më pas, atëherë kur biznesi fillon të falimentojë, një koorporatë fantazëm, shpeshherë anonime, shfaqet në mënyrë misterioze me një ofertë të mjame për ta blerë. Në fund, edhe pse thuhet fillimisht se linja editoriale do të mbetet e pandryshuar, menaxherët e rinj fillojnë të përgjysmojnë stafin dhe ta ndryshojnë mbulimin mediatik për tju përshtatur nevojave dhe kërkesave të partisë në pushtet”.

E njëjta formulë vlen në vendet që kanë arritur të integrojnë me dinakëri kapitalizmin oligarkik dhe autoritar në menaxhimin mediatik. Kompanitë që zotërojnë edhe biznese mediatike që flasin mirë për qeverinë, janë ato që përfitojnë edhe kontratat më fitimprurëse të sektorit publik. Kompanitë, mediat e të cilëve guxojnë të kritikojnë qeverinë, humbasin sistematikisht tenderat qeveritarë dhe kthehen në shënjestra për hetimet tatimore.

Për kundërshtarët e pushtetit, kjo formë e re propagande mund të jetë e vështirë për t’u mposhtur, veçanërisht për shkak se kundërpesha e saj perëndimore nuk duket më aq e paarritshme dhe joshëse. Në shekullin 20, kapitalizmi demokratik i perëndimit kishte një kundërpërgjigje të fuqishme ndaj totalitarizmit sovjetik: treg të lirë, kulturë të lirë, politikë të lirë. Makinat “Mercedes”, bankat tregtare, muzika rrok kontemporane dhe Parlamenti demokratik ishin alternativa më tërheqëse kundrejt autoritarizmit, planit pesëvjeçar, ushtrisë së kuqe dhe kufijve të mbyllur.

Por në ditët e sotme, autoritarët e rinj janë duke ofruar një tjetër lloj “marrëveshjeje” për qytetarët e tyre. Sot, ata mund t’i kenë të gjitha ato që ofron Perëndimi, që nga makinat gjermane, tek mediat e huaja, Naomi Campbellin dhe çdo formë argëtimi, por asnjë nga liritë politike që ofrohen aty. Në fund të fundit, kujt i pëlqen më Perëndimi?

Një shembull i çuditshëm i këtij fenomeni janë edhe “Ujqërit e Natës”, një grup i sponsorizuar nga Kremlini, të cilët kanë luajtur një rol tepër të rëndësishëm në aneksimin e Krimesë. Ujqërit e Natës shfrytëzojnë të gjithë elementët tërheqës të Perëndimit, duke udhëtuar nëpër qytete të ndryshme në Harley-Davidson dhe duke organizuar koncerte madhështore me grupe gjermane të muzikës heavy-metal. Në të njëjtën kohë, ata adhurojnë Stalinin dhe Putinin dhe bëjnë thirrje për ringjalljen e Perandorisë ruse.

Po në këtë linjë, Gary Rawnsley, një profesor i diplomacisë publike në Universitetitn Aberystwyth, thekson se si propagandistët kinezë, ndoshta më kontemporan dhe perëndimorë, por po aq eficentë në përhapjen e ideologjisë, projektojnë me dashje mesazhe kontradiktore. Ata flasin për “kampionët” e Partisë Komuniste, por në të njëjtën kohë edhe për revolucion kulturor, lavdërojnë tregun e lirë dhe kapitalizmin, ndërkohë që këndojnë këngët maoiste.

Duket qartë që në ditët e sotme, regjimet autoritare nuk kanë më për qëllim indoktrinimin e thjeshtë. Në një studim të vitit 2014, Haifeng Huang, një profesor i Universitetit të Kalifornisë, analizoi sjelljet politike të 1.250 studentëve në një nga universitetet kryesore të Kinës, emri i të cilit është mbajtur anonim për çështje sigurie. Studimi i Huangut tregoi se, ndërkohë që studentët që ndjekin leksionet e propagandës janë të ndërgjegjshëm që qeveria e tyre nuk është “e mirë”, ata përsëri janë të kënaqur për faktin që është “e fortë”.

“Një sasi e mjaftueshme propagande mund të shërbejë si një mjet për të demonstruar forcën e regjimit në ruajtjen e rregullit social dhe politik”, argumenton Huang. Ai e quan këtë lloj të re propagande si “orientim” në vend të “indoktrinimit”. Qëllimi është që të frikësohet popullsia, jo të binden të gjithë që të ndjekin një ideologji të caktuar të imponuar nga regjimi.

Një fenomen i tillë është përhapur në Siri. Në studimin e saj të titulluar “Ambiguitetet e Dominimit”, Lisa Wedeen u përpoq të kuptonte përse sirianët që kanë jetuar nën regjimin e Hafez al-Assadit gjatë viteve 1990, përsërisnin të njëjtat pretendime absurde të imponuara nga regjimi i atëhershëm, për shembull, që Assadi ka qenë farmacisti më i mirë i historisë së vendit. Wedeen arriti në konkluzionin se i gjithë qëllimi është shpikja: “Pushteti i regjimit qëndron në aftësinë e tij për të imponuar fakte të shpikura në rang kombëtar dhe t’i shtyjë njerëzit që të thonë gjëra që jo domosdoshmërisht janë të vërteta. Kjo lloj bindjeje i bën njerëzit bashkëfajtorë dhe pjesë të një marrëdhënieje nënshtrimi të vetimponuar”.

Sipas një vëzhguese të Siri dhe ish-korrespondentë të “Financial Times”, Abigail Fielding-Smith, Bashar al-Assadi, pasaardhësi i Hafezit, kërkon që të rivendosë të njëjtin model bashkëfajësie. Revolucioni kundër Bashar al-Assadit filloi në shkurt të vitit 2011, kur adoleshentët shkruanin slogane për Pranverën Arabe në muret e qytetit Deraa. Reagimi i forcave të sigurisë, duke arrestuar dhe torturuar këta adoleshentë, u perceptua si një akt ekstrem, por është pasojë e logjikës së regjimit, i cili kërkon që qytetarët të shfaqin besnikëri të rreme, edhe në situata absurde. Çdo devijim nga kjo sjellje mund të kthehet në revolucion.

Sot, televizioni zyrtar i Sirisë vazhdon të transmetojë histori pabesueshmërisht pozitive për progresin e vendit, edhe pse të gjithë e dinë se çcfarë po shkakton lufta shkatërrimtare civile, qoftë nga miqtë dhe të afërmit që luftojnë në front, qoftë nga burimet e panumërta mediatike satelitore apo virtuale. Megjithatë, regjimi duket se nuk shqetësohet nga ky fakt.

Në shtator të vitit 2011, një televizion sirian u përpoq të pengonte transmetimin e protestave në disa qytete siriane nga “Al Jazeera”, me pretendimin se, Katari kishte ndërtuar kopje ekzakte të shesheve kryesore të vendit për të inskenuar protesta të rreme, të cilat më pas filmohen nga francezët, amerikanët dhe izraelitët. Qëllimi, sipas një gazetari sirian, nuk është që të bindin njerëzit se kjo histori absurde është e vërtetë. “Qëllimi është që të hutojnë njerëzit, që t’ua bëjnë të vështirë të kuptojnë se çfarë është e vërtetë dhe çfarë jo”, thotë ai.

Assadi nuk është i vetmi. Shumë nga autoritarët e rinj e kanë kuptuar, se në shekullin 21 nuk është e nevojshme ta censurosh informacionin gjatë gjithë kohës, edhe për vetë faktin se është e pamundur. Por, mund të krijosh aq shumë informacione të rreme sa për ta ç’orientuar hapësirën mediatike, për t’i bërë njerëzit që të mos kuptojnë se çfarë po ndodh. Kinezët kanë krijuar “skuadrën e 50 qindarkave”, komentues në rrjet, të cilët paguhet 50 qindarka për çdo koment pozitiv që postojnë për qeverinë. Krimlini përdor “fabrikat e sajimit” për të postuar mesazhe pro-Kremlinit dhe për të hedhur poshtë kritikat ndaj qeverisë në Rusi dhe jashtë saj.

Cili është rezultati? Shembulli konkret janë vendet Baltike, ku shumë minoritete ruse përballen me realitete të ndryshme radikale nëpërmjet mediave lokale dhe ato të Kremlinit. Një studim i Open Estonia Foundation tregoi se, rusët etnikë që jetojnë në vend arrijnë të mos kenë besim tek asnjëra nga palët dhe e kanë shumë të vështirë të krijojnë një opinion. Nëse audienca Baltike tërhiqet disi më shumë nga mediat e Kremlinit, kjo ndodh për shkak se janë më emocionale, argëtuese dhe u ofrojnë atyre fantazi të bukura. Personat që kanë marrë pjesë në sondazh thonë se, televizionet ruse janë emocionalisht më tërheqëse, sepse lajmet që shfaqen duken si filma. “Ndoshta nuk u beson, por i shikon me kënaqësi”.

Nëse ekziston një konkurencë ndërmjet versioneve të ndryshme të realitetit, me pak fjalë, pala që është më pak e lidhur ndaj së vërtetës ka më shumë gjasa të fitojë. Nëse kjo është e vërtetë, atëherë i gjithë qëllimi madhor i industrisë mediatike vihet në rrezik. Prej shumë kohësh kemi besuar se sa më shumë informacion të kesh, aq më demokratike bëhen vendimmarrjet. Por, nëse mediat bazohen në keqinformim, atëherë ndodh e kundërta.

Autokratët e ditëve të sotme, të ashtuquajturit “demokratë jo liberalë” dhe propagandistët e tyre kanë mësuar se si të shfrytëzojnë fenomentet që lidhen ngushtësisht me demokracinë siç janë zgjedhjet, interneti, mediat dhe tregu, për të shtypur liritë dhe të drejtat, ose të paktën për t’i kufizuar ato. Ata kanë mësuar si të shfrytëzojnë pushtetin e butë të diplomacisë, duke i shtuar një dozë të fortë ideologjie, dhe këtë e bëjnë duke përdorur teknologjinë dhe paratë e Perëndimit.

Exit mobile version