Autonomia e vullnetit në marrëdhëniet kontraktore dhe kufizimi i tij

Nga Rezarta B. Koçi Notere

Kontratat janë mjeti më i përhapur juridik në qarkullimin civil të një ekonomie tregu dhe një burim i rëndësishëm i detyrimeve dhe si të tilla, në teorinë juridike ato përkufizohen si pëlqim i vullnetit midis dy ose më shumë palëve për të krijuar, ndryshuar ose shuar një marrëdhënie të caktuar juridike.

Nëse do të flisja si Notere në ofrimin e këtij sherbimi publik, do të thoja se fillimisht, elementi i parë që konstatojme ndërmjet palëve kur pretendohet se një marrëdhënie e caktuar rregullohet me kontrate, është pikërisht autonomia e vullnetit.

Pra, konstatojmë parimin e shprehjes së lirë të vullnetit të palëve kontraktuese që do të lidhin kontratën dhe verifikojmë se palët detyrohen vetëm nga vullneti i tyre. Është me rëndësi të theksohet se liria e kontraktore dhe autonomia e vullnetit të palëve kontraktuese, janë ndër parimet kryesore dhe më të rëndësishme të së drejtës së detyrimeve.

Liria kontraktore në përgjithësi nënkupton autorizimin e subjekteve të së drejtës që në mbështetje të vullnetit të tyre të krijojnë marëdhënien kontraktore, të caktojnë mënyrën, formën dhe përmbajtjen e tyre. Liria kontraktore shpesh shqiptohet si “dead on arrival”, pra si një parim organizues për shoqëritë komplekse bashkëkohore.

Ky parim duhet të jetë i pandjeshëm për dallimet në pasuri, status, pozitë, dhe fuqi, që e bëjnë ushtrimin e zgjedhjes kontraktore një mit për të dobëtit dhe të shpronësuarit. Duke qenë se një kontratë e lidhur ka fuqinë e ligjit për palët, e njohur ndryshe edhe si pacta sunt servanda, kjo do të thotë se nënshkrimi i një kontrate ka si pasojë detyrueshmërinë e një pale ndaj tjetrës.

Mirëpo edhe pse palët kontraktuese janë të lira të vendosin se me cilin person do te lidhin kontratë dhe cila do të jetë lënda apo përmbajtja e saj, liria e kontraktimit duhet të jetë në suazat e rregullave ligjore, me karakter imperativ, kushtetues dhe të moralit shoqëror apo zakoneve të mira, pra palët duhet t’i përmbahen kufijve ligjor në hartimin e kontratave sepse kjo liri e kontraktimit nuk është absolute dhe e pakufizuar.

Përkundrazi, ajo kufizohet nga parimet kushtetuese dhe parimet e vet ligjit psh kufizimi i lirisë së kontraktimit përmes së drejtës së parablerjes ose mundësisë për zgjedhjen e palës kontraktuese nëse subjekti me të cilin është do të lidhet një kontratë është monopol në treg, atëherë drejpërdrejtë këtu kemi të bëjmë me një kufizim.

Gjatë ushtrimit të profesionit të Noterit, jam hasur edhe me raste, kur klientët në mungesë të njohjes së ligjit, kërkojnë të ndërhyjnë në përmbajtjen e kontratës edhe në kontrata adezioni, ku përmbajtja e kontratës është përpiluar pavarësisht nga vullneti i palëve p.sh shitja ndërkombëtare e naftës ose kontratat për shërbimet postale.

Pra, në praktikë ka disa lloje kontratash ku kufizohet liria e kontraktimit, ku mund të shtoj këtu edhe rastet e vlefshmërisë e kontratës ku kërkohet dhënia e pëlqimit (psh: kujdestari jep pëlqimin që i kujdesuari të hyjë në marrëdhënie kontraktore) një rast tjetër kufizimi.

Pra, palëve ligji u ka vendosur kufizime ndaj lirisë së tyre të kontraktimit, në mbrojtje të interesave publike, apo të interesave të ligjshme të palëve më “të dobëta”, prej situatave monopol, konkurencës së pandershme, rritjes pa kriter e në mënyrë abuzive të çmimeve etj.

Por, edhe kur palët me njëra tjetrën negociojnë kushtet e kontratës, përsëri ka kufizime të ligjit që nuk mund të shmangen, si dhe parashikime ligjore në lidhje me mirëbesimin dhe mënyrën se si duhet të veprojnë palët në të gjitha fazat e kontratës.

Megjithatë, pavarësisht nga sa më sipër, mund të them që respektimi i autonomisë së vullnetit në një shtet demokratik përbën themelin e të drejtës kontraktore i cili duhet të qeverisë dhe interpretojë cdo kontratë, dhe një ndërhyrje në autonominë e këtij vullneti përbën edhe vdekjen e të lirisë kontraktore duke passjellë kështu frikë dhe pasiguri tek palët kontraktuese.

Dhe mendoj, që të gjithë Noterët, duhet të jenë të angazhuar cdo ditë në përsojen e shërbimit ndaj qytetarëve duke ju garantuar besueshmërinë dhe bazueshmërinë e kontratave vetëm në ligj, duke hequr dorë nga dogmat shqiptare “e njoh unë dhe ska nevojë për procedura të tjera”, vetëm në këtë mënyrë mund të krijohen standaret europiane të shtetit të së drejtës dhe respektimit rigoroz të ligjit.

Exit mobile version